FC Drita ka prezantuar përforcimin e radhës për sezonin e ri, duke zyrtarizuar transferimin e mesfushorit ofensiv belg William Baeten. Klubi gjilanas njoftoi se Baeten i është bashkuar skuadrës në fazën përgatitore që po zhvillohet në Bansko, duke u bërë pjesë e projektit të Dritës për edicionin e ardhshëm.
Futbollisti belg vjen nga Flamurtari Vlorë, ndërsa gjatë karrierës së tij ka luajtur edhe për klubet e njohura rumune FCSB dhe Universitatea Craiova. Drejtuesit e Dritës besojnë se përvoja dhe cilësitë e Baeten në repartin ofensiv do t’i japin më shumë kreativitet dhe forcë skuadrës në ndeshjet e kampionatit dhe në garat evropiane. “William Baeten bardh e kaltër.
Kemi kënaqësinë t’ju njoftojmë se futbollisti William Baeten është përforcimi ynë i radhës, i cili i bashkohet ekipit për fazën përgatitore në Bansko”, thuhet në njoftimin e klubit. Me afrimin e Baeten, Drita vazhdon të përforcojë skuadrën para nisjes së sezonit të ri, duke synuar të mbetet një nga pretendentet kryesore për trofetë në futbollin e Kosovës.
