Çka është “Blloku Omega” që po shkakton valën e të nxehtit intensiv në Evropë?

0%

Flutura Gashi-Mehmeti Shpërndaje në: Vala intensive e të nxehtit që ka përfshirë Evropën Perëndimore, duke shkaktuar më shumë se 40 vdekje vetëm në Francë, po mbahet në fuqi nga një model meteorologjik i njohur si “Blloku Omega”. Por çfarë duhet të dini për këtë model dhe nëse ndryshimet klimatike mund të bëjnë që ai të bëhet më i shpeshtë në vitet e ardhshme.

Çfarë është një “bllok omega”? “Blloku Omega” e merr emrin nga forma e shkronjës greke Ω (omega), me një fryrje të ajrit të ngrohtë dhe të qëndrueshëm me presion të lartë të vendosur mes dy sistemeve më të ftohta me presion të ulët. Pjesa “bllokuese” i referohet mënyrës se si zona e presionit të lartë me ajër të ngrohtë mbetet e ngecur në një vend.

Në kushte normale, rrjedha ajrore e njohur si “jet stream” transporton sistemet atmosferike në mënyrë të vazhdueshme nga perëndimi në lindje. Por gjatë një “Blloku Omega”, kjo rrjedhë prishet dhe mund të devijojë ndjeshëm drejt veriut dhe jugut, duke izoluar sistemet e presionit. Si rezultat, ajri i nxehtë dhe i palëvizshëm mbetet i grumbulluar mbi të njëjtën zonë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Blloqet omega zakonisht zgjasin nga tre deri në dhjetë ditë, por mund të vazhdojnë edhe për javë të tëra. Çfarë ndodh gjatë një blloku omega? Nën zonën e presionit të lartë në qendër, kushtet bëhen të nxehta dhe të thata. Presioni i lartë gjithashtu pengon formimin e reve, duke sjellë qiell të kthjellët dhe me diell, gjë që lejon temperaturat të rriten më tej.

Janë pikërisht këto kushte që po përvëlojnë Francën dhe Spanjën, ku temperaturat kanë kaluar 40 gradë celsius. Ndërkohë, rajonet që ndodhen në zonat me presion të ulët në të dy anët e valës së të nxehtit kanë më shumë gjasa të përjetojnë mot më të freskët dhe me reshje shiu.

Britania ndodhet në kufirin midis sistemit të presionit të lartë dhe ajrit më të freskët në veriperëndim, duke sjellë vapë intensive në jug dhe lindje të vendit, ndërsa në veri dhe perëndim moti është më i freskët dhe më i lagësht, sipas Shërbimit Meteorologjik Britanik. A janë përgjegjëse ndryshimet klimatike?

Shkencëtarët ende nuk kanë arritur një konsensus të plotë mbi mënyrën se si ndryshimet klimatike po ndikojnë në shpeshtësinë e ngjarjeve bllokuese si kjo. Megjithatë, konsensusi shkencor global është i qartë se ndryshimet klimatike po rrisin si shpeshtësinë ashtu edhe intensitetin e valëve të të nxehtit.

Emetimet e gazeve serrë, kryesisht nga djegia e qymyrit, naftës dhe gazit, e kanë ngrohur planetin me rreth 1.3 gradë celsius që nga periudha para-industriale. Kjo do të thotë se vala e të nxehtit fillon nga një nivel bazë më i lartë temperaturash, duke bërë që temperaturat ekstreme të arrijnë vlera edhe më të larta.

Evropa po përjeton tani valë të nxehti që janë 2 deri në 4 gradë celsius më të nxehta sesa do të ishin pa ngrohjen globale të shkaktuar nga aktiviteti njerëzor, sipas Clair Barnes, studiuese e motit ekstrem dhe klimës në “Imperial College London”. Si rezultat, kur ndodhin modele atmosferike si “Blloku omega”, nxehtësia që ato prodhojnë mund të jetë dukshëm më intensive dhe më e rrezikshme.

Burimi: Koha