Nga: Ardit Kika Shpërndaje në: Prokurori i Shtetit dhe familja e viktimës argjentinase, Maria Clara Urdangaray, kanë kërkuar ashpërsimin e dënimit prej 18 vjetësh burgim për vrasje të Endrit Nikës, ndërkohë që mbrojtja e tij ka kërkuar që ai të lirohet.
Në seancën e mbajtur të hënën, gjyqtari referues Mentor Hajraj ka theksuar se Prokuroria e Apelit dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë kanë kërkuar që të rritet dënimi për të akuzuarin për vrasje të rëndë. Avokati i familjes së viktimës, Betim Shala, ka kërkuar burgim të përjetshëm.
E avokati i Endrit Nikës, Tomë Gashi, ka kërkuar lirimin e tij meqë ka thënë se vdekja e argjentinases ishte aksidentale dhe u shkaktua pasi viktima ra pasi u mbështet në kornizat e dritares së një hoteli që, sipas tij, nuk ishte hotel, por ndërtim pa leje. Ai ka insistuar se vdekja e Maria Clara Urdangaray ishte aksidentale.
Gjykata Themelore në Prishtinë në shkurt të këtij viti e pati dënuar Nikën me 18 vjet burgim, për vrasjen e të dashurës së tij argjentinase, në një hotel në Fushë-Kosovë në gusht të 2023-tës. Sipas aktakuzës, Nika ushtroi dhunë ndaj viktimës edhe në dhomë, derisa në një moment e hodhi atë nga dritarja e katit të gjashtë të hotelit ku po qëndronin.
