Si po e anashkalojnë rusët perden digjitale të hekurt të Putinit?

0%

Nga: Reuters Përktheu:

Flutura Gashi-Mehmeti Shpërndaje në: Që kur Kremlini ka rritur kontrollin mbi internetin këtë vit, rusët po përdorin zgjidhje teknike gjithnjë e më të ndërlikuara për të shmangur monitorimin shtetëror dhe kufizimet ndaj aplikacioneve të huaja të njohura si WhatsApp i kompanisë Meta dhe aplikacioni i mesazheve Telegram Në një kafene të qetë, të njohur për internet falas dhe kafe të mirë, një dizajnere ruse e interierit lidhet me një VPN (Virtual Private Network – Rrjet Privat Virtual) për të biseduar me miqtë jashtë vendit, përmes shërbimit amerikan të mesazheve WhatsApp, i cili është bllokuar në Rusi.

Më vonë, ajo e çaktivizon VPN-në për të blerë një biletë në faqen e Hekurudhave Ruse, e cila nuk lejon përdoruesit që përdorin mjete për të fshehur vendndodhjen e tyre. Më pas, ajo merr një telefon tjetër për të kontrolluar mesazhet nga klientët në aplikacionin e kontrolluar nga shteti, MAX.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Që kur Kremlini ka rritur kontrollin mbi internetin këtë vit, rusët po përdorin zgjidhje teknike gjithnjë e më të ndërlikuara për të shmangur monitorimin shtetëror dhe kufizimet ndaj aplikacioneve të huaja të njohura si WhatsApp i kompanisë Meta dhe aplikacioni i mesazheve Telegram.

Goditja më e madhe e këtij lloji gjatë sundimit të presidentit Vladimir Putin ka shkaktuar herë pas here ndërprerje në sistemet bankare, transport, tregti online dhe shërbime të tjera, duke irrituar qytetarët para zgjedhjeve parlamentare të shtatorit, sipas deklaratave të partive opozitare pro-Kremlinit, blogerëve të njohur dhe drejtuesve të biznesit.

Edhe disa influencues të rrjeteve sociale, të cilët zakonisht shmangin politikën, kanë kritikuar kufizimet. Pakënaqësia ndaj këtyre masave, së bashku me rritjen e çmimeve, rritjen e taksave dhe lodhjen nga lufta, besohet gjerësisht se ka kontribuar në rënien e popullaritetit të Putinit.

Sipas institutit shtetëror të sondazheve VTsIOM, mbështetja për të ka rënë nga 75.1% në shkurt në 65.6% në prill, niveli më i ulët që nga fillimi i luftës në Ukrainë në vitin 2022. Aktualisht ajo qëndron afër 67%. Zyrtarët kanë nxitur rusët të përdorin alternativa të mbështetura nga shteti në vend të aplikacioneve dhe faqeve të huaja, në kuadër të një përpjekjeje për “sovranitet digjital”.

Por disa përdorues mbeten të kujdesshëm pas paralajmërimeve nga kritikët e Kremlinit dhe disa kompani perëndimore të teknologjisë, se MAX mund të përdoret për t’i gjurmuar ata. Pronari i aplikacionit, gjiganti teknologjik VK, i mohon këto pretendime. Mbajtja e aplikacionit në një telefon të dytë duket më e sigurt, thotë Irina, dizajnerja 41-vjeçare.

“Sigurisht që kjo është një bezdi e madhe, por çfarë mund të bëjmë tjetër?”, ka thënë ajo, duke kërkuar të identifikohet vetëm me emrin e saj për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.

“Mësohesh me të dhe e kalon ditën duke ndezur e fikur VPN-të, duke kaluar nga një aplikacion mesazhesh në tjetrin dhe duke ndërruar vende virtuale apo telefona për të përdorur aplikacionet dhe faqet që të duhen”, ka shtuar. Shkarkimet e VPN-ve po shpërthejnë VPN-të funksionojnë duke kaluar lidhjen e internetit të përdoruesit përmes serverëve privatë jashtë Rusisë.

Vetëm në muajin mars, pati 9.2 milionë shkarkime të pesë shërbimeve VPN më të njohura në Google Play, 14 herë më shumë se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ka raportuar gazeta ruse “Kommersant”, duke cituar të dhëna nga “Digital Budget”, një kompani konsulence me bazë në Moskë që monitoron sjelljen online.

“Nuk kemi parë kurrë më parë një ritëm të tillë përdorimi”, ka thënë Sarkis Darbinyan, një aktivist rus për lirinë e internetit me banim në Lisbonë. Moska e ka shpallur Darbinyanin “agjent të huaj”, një term që përdoret për personat që autoritetet i konsiderojnë të përfshirë në aktivitete kundër interesave ruse.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka deklaruar vazhdimisht se kontrollet mbi internetin janë të nevojshme ndërsa Rusia ndodhet në atë që autoritetet e përshkruajnë si një përplasje ekzistenciale me Perëndimin për Ukrainën.

Megjithatë, Putini në prill i ka kërkuar qeverisë të tregojë më shumë kujdes, duke u thënë ligjvënësve se është “kundërproduktive” të përqendrohesh vetëm te ndalimet dhe kufizimet. “Shqetësimet për sigurinë i kanë bërë të nevojshme disa kufizime të internetit kohët e fundit. Sapo kërcënimi të eliminohet, kufizimet do të hiqen”, ka thënë Peskov për Reuters.

Zyrtarë të tjerë qeveritarë nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Reuters lidhur me këtë. Ndërsa shumë vende autoritare vendosin kufizime të rrepta mbi internetin, rusët ishin mësuar me një shkallë të caktuar lirie online.

Shërbimet e sigurisë kanë kërkuar prej kohësh të heshtin kritikët e brendshëm, por para luftës në Ukrainë autoritetet rrallë ndërhynin në përdorimin e aplikacioneve të huaja ose qasjen në mediat perëndimore.

Që nga viti i kaluar, shërbimi rus i sigurisë FSB, pasardhës i KGB-së sovjetike, ka urdhëruar kompanitë e telekomunikacionit të ndërpresin internetin mobil për ditë të tëra në rajone të ndryshme të Rusisë, duke argumentuar se dronët ukrainas mund ta përdorin atë për navigim.

Autoritetet kanë bllokuar ose ngadalësuar gjithashtu lidhjet me një listë gjithnjë e më të gjerë aplikacionesh dhe faqesh interneti, për të cilat rregullatori shtetëror “Roskomnadzor” pretendon se përmbajnë materiale të paligjshme ose ekstremiste.

WhatsApp dhe Telegram kanë akuzuar Rusinë se po përpiqet t’i detyrojë njerëzit të përdorin aplikacione më pak të sigurta dhe të kontrolluara nga qeveria.

Ndërprerjet u intensifikuan në mars me një bllokim pothuajse trejavor në Moskë, duke shqetësuar burokratë të lartë që kanë nevojë për internetin dhe Telegramin për të mobilizuar votuesit për partinë në pushtet, Rusia e Bashkuar, sipas dy burimeve pranë Kremlinit dhe disa analistëve.

“Çështja nuk është nëse regjimi do të arrijë rezultatin që dëshiron, por nëse procesi zgjedhor do të zhvillohet pa probleme”, ka shkruar në prill Tatiana Stanovaya, studiuese e lartë në “Carnegie Russia Eurasia Center”.

Edhe zyrtarë besnikë të qeverisë shkarkojnë VPN dhe mbajnë disa telefona për të mbajtur të ndara aplikacionet shtetërore si MAX nga pjesa tjetër e jetës së tyre digjitale, kanë thënë burimet për Reuters. Disa prej tyre madje heqin mikrofonin dhe kamerën nga pajisjet ku është instaluar MAX, nga frika se FSB-ja mund të ketë qasje në to.

“Edhe nëse nuk po bën asgjë të dyshimtë, askush nuk dëshiron që FSB-ja t’i lexojë mesazhet e tij”, ka thënë një nga burimet. “Lojë maceje dhe miu” I dërguari special i Putinit për bashkëpunim ekonomik dhe investime ndërkombëtare, Kirill Dmitriev, nuk e fsheh përdorimin e VPN-ve dhe publikon rregullisht në rrjetin X, të cilit nuk mund t’i qasesh në Rusi pa një VPN.

Megjithëse përdorimi i VPN-ve nuk është i paligjshëm, Roskomnadzor ka kufizuar qasjen në qindra prej tyre, duke krijuar një “lojë maceje dhe miu” me përdoruesit, të cilët detyrohen të shkarkojnë vazhdimisht shërbime të reja për të hyrë në përmbajtjen që dëshirojnë.

Në prill, institucionet shtetërore, bankat dhe shitësit më të mëdhenj online, duke vepruar sipas udhëzimeve të rregullatorit, filluan të bllokojnë qasjen në faqet e tyre për përdoruesit që kishin VPN të aktivizuar. Kjo përkoi me një rënie prej 10% të trafikut në Wildberries, ekuivalenti rus i Amazonit, sipas “Digital Budget”.

“Siç vërejnë pjesëmarrësit e tregut, shumë përdorues nuk e çaktivizojnë VPN-në për të hyrë në faqe dhe thjesht humbasin interesin për të bërë një blerje nëse nuk mund të hapin faqen e produktit”, ka shkruar “Digital Budget” në një postim në Telegram.

Përqindja e rusëve që pranojnë se përdorin VPN është rritur nga 23% në vitin 2022 në 36% këtë vit, sipas Qendrës Levada, një institut i pavarur sondazhesh që Moska e ka futur në listën e “agjentëve të huaj”. Të rinjtë me njohuri teknologjike shpesh blejnë abonime VPN për prindërit e tyre ose krijojnë VPN të personalizuara.

Megjithatë, shumë rusë preferojnë të përdorin aplikacione dhe faqe që funksionojnë pa to. MAX, i lansuar vitin e kaluar, ka më shumë se 85 milionë përdorues aktivë çdo ditë, sipas pronarit të tij. Reuters ka intervistuar disa punonjës zyrash dhe kalimtarë pranë Teatrit Bolshoi në Moskë.

Gjysma e tyre kanë shprehur irritim ndaj mjedisit digjital, ndërsa të tjerët kanë thënë se ishin përshtatur dhe nuk përdornin VPN. “Shumica e rusëve thjesht nuk e shohin të nevojshme të bëjnë përpjekje shtesë. Ajo që është e disponueshme është e mjaftueshme për ta”, ka shkruar në prill drejtori i Qendrës Levada, Denis Volkov.

Kur aplikacionet e navigimit pushuan së funksionuari në Moskë në mars, shpërndarësit e “Flowwow”, një platformë online për lule dhe dhurata, përdorën rrjetet Wi-Fi të dyqaneve për të shkarkuar udhëzimet drejt adresave të klientëve, ka thënë drejtuesi i logjistikës së kompanisë, Yuri Semichastnov.

Sipas të dhënave të Wildberries, shitjet e hartave prej letre në kryeqytet u dyfishuan gjatë periudhës së ndërprerjeve. Ndërsa pakënaqësia po rritet, Kremlini ka zbutur retorikën e tij javët e fundit, duke siguruar publikun se ndërprerjet e internetit mobil janë të përkohshme.

Një plan për t’i detyruar operatorët celularë të tarifojnë shtesë klientët që përdorin më shumë se 15 gigabajt të dhëna të huaja në muaj u shty në maj, kanë raportuar mediat ruse. Sipas tyre, kjo masë, e cila synon kryesisht përdoruesit e VPN-ve, ka të ngjarë të zbatohet pas zgjedhjeve.

Putini ka kërkuar gjithashtu nga qeveria dhe FSB-ja të bashkëpunojnë për të siguruar që shërbimet kritike, si platformat e kujdesit shëndetësor dhe sistemet e pagesave online, të vazhdojnë të funksionojnë. Megjithatë, Irina nuk pret që jeta e saj digjitale të bëhet e lehtë së shpejti. “Në Rusi kemi një shprehje: Nuk ka asgjë më të përhershme se e përkohshmja”, ka thënë ajo.

Burimi: Koha