Elton Rexhepi, nga Federata e Ragbit të Kosovës, ka rrëfyer historinë e themelimit dhe zhvillimit të këtij sporti në vend, duke theksuar se gjithçka nisi si një aktivitet vullnetar dhe pa synime të menjëhershme për krijimin e një federate apo kombëtareje.
Në emisionin SportCast, Rexhepi tha se ai është pjesë e ragbit që nga viti 2015, periudhë kur një grup entuziastësh ushtronin dhe luanin vetëm për pasion ndaj sportit. Sipas tij, ideja për organizimin e ragbit në Kosovë erdhi nga ish-ambasadori britanik në Kosovë, Ruari O’Connell, së bashku me disa figura të tjera që kontribuuan në këtë proces.
Rexhepi: Ishte ideja e Ruari O’Connell që ragbi të zhvillohet si sport në Kosovë “Po unë jam pjesë e ragbit prej vitit 2015. Atëherë s’ka qenë as ide as qëllim të bëhet kombëtarja ose federata. Por kemi vazhduar për qejf duke u ushtruar, duke luajtur në mënyrë vullnetare.
Ishte ideja e Ruari O’Connell, ish-ambasadorit anglez bashkë me disa të tjerë që tash më falni nëse s’ua përmendi dikujt emrin, po ka qenë Denis Dautaj, Veli Hoti e disa të tjerë, Mark Barrett, Kevin, që kanë filluar iniciativën për ta bërë Federatën e Ragbit të Kosovës.
Fillimet kanë qenë 2018, në fund të vitit 2018 ku është bërë aplikimi për federatë të ragbit, është pranuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës edhe pastaj kemi filluar me procesin e aplikimit në Rugby Europe edhe Ëorld Rugby, siç njihet në futboll UEFA ose FIFA. Në vitin 2022, kemi marrë pëlqimin, në fakt 2021.
Kemi marrë pëlqimin nga Rugby Europe që jemi anëtarë edhe pastaj në vitin 2022 vetëm se kemi filluar me lojërat e para si kombëtare e Kosovës”, theksoi Rexhepi. Në Kosovë, ragbi është sport relativisht i ri. Federata e Ragbit e Kosovës u themelua në vitin 2018, ndërsa vendi u pranua në organizatën Rugby Europe në vitin 2021 dhe zhvilloi ndeshjet e para zyrtare ndërkombëtare në vitin 2022.
