Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar zhvillimin e një mocioni me debat mbi raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2025. Kërkesa mban firmën e kryetarit Gazment Bardhi, ndërsa në të listohen 20 shqetësime të evidentuara nga Parlamenti Evropian, të cilat kërkojnë një trajtim të menjëhershëm nga Kuvendi.
Ndër pikat e evidentuara nga PE, përmendet edhe paralajmërimi i Komisionit Evropian ndaj Shqipërisë për veprime që mund të ndikojnë negativisht në procesin e integrimit europian, në lidhje me projektin e resortit në Zvërnec.
“PE thekson se Komisioni Evropian e ka paralajmëruar Shqipërinë kundër veprimeve që mund të ndikojnë negativisht në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, në kushtet e protestave të vazhdueshme kombëtare lidhur me një projekt zhvillimi luksoz në shkallë të gjerë, i cili kërcënon një zonë të mbrojtur natyrore ku jetojnë flamingot, fokat dhe ku ndodhen vende folezimi të breshkave.
Mbështet kritikat e Komisionit në këtë drejtim dhe kujton se përafrimi me legjislacionin mjedisor të Bashkimit Evropian, përfshirë Direktivën për Shpendët dhe Direktivën për Habitatet, është një kusht paraprak për anëtarësimin në BE.” , thuhet në dokument.
