Kina njoftoi të hënën se u ka vendosur sanksione 10 kompanive amerikane të lidhura me sektorin ushtarak. Kjo, si kundërpërgjigje ndaj një vendimi të fundit të Shteteve të Bashkuara që ndalon disa kompani kryesore kineze të teknologjisë të marrin pjesë në kontrata të mbrojtjes.
Ministria e Tregtisë në Pekin bëri të ditur se kompanive kineze do t’u ndalohet eksportimi i produkteve me “përdorim të dyfishtë” për këto 10 kompani amerikane, të cilat përfshijnë prodhues të dronëve ushtarakë dhe kompani të përfshira në nxjerrjen e mineraleve të rralla. Me “përdorim të dyfishtë” nënkuptohen mallrat që mund të përdoren si për qëllime ushtarake, ashtu edhe civile.
Sipas ministrisë, ndalimi i eksporteve synon mbrojtjen e sigurisë kombëtare të Kinës dhe vjen si reagim ndaj asaj që Pekini e quan “zgjerim i gabuar i të ashtuquajturës Listë e Kompanive Ushtarake Kineze” nga ana e qeverisë amerikane.
George Chen, partner për Kinën e Madhe në kompaninë konsulente “The Asia Group”, tha se masa e Kinës ishte një përgjigje e pritshme dhe proporcionale ndaj kufizimeve amerikane. “Shumica e tyre janë pjesë e industrisë amerikane të mbrojtjes ose kanë lidhje të ngushta me qeverinë amerikane përmes kontratave dhe arsyeve të tjera”, tha ai, transmeton AP, pwrcjellw KosovaPress.
“Këto kompani nuk zhvillojnë biznes në Kinë, prandaj ndikimi do të jetë kryesisht simbolik.” Veçmas, Ministria kineze e Financave njoftoi se institucionet shtetërore nuk do të lejohen të blejnë produkte nga 46 kompani amerikane, përfshirë disa njësi të Lockheed Martin, Raytheon dhe General Dynamics. Në deklaratën e shkurtër nuk u dha ndonjë arsye specifike për këtë ndalim.
Më herët gjatë këtij muaji, Departamenti amerikan i Mbrojtjes shtoi në listën e vetw disa kompani teknologjike kineze, përfshirë Alibaba dhe Baidu, duke pretenduar se ato kanë lidhje me ushtrinë kineze. Baidu i hodhi poshtë këto pretendime, duke i cilësuar si “plotësisht të pabaza”. Përfshirja në këtë listë ua pamundëson kompanive marrjen e kontratave ushtarake nga Shtetet e Bashkuara.
Ministria kineze e Tregtisë deklaroi në atë kohë se sanksionet amerikane bien ndesh me mirëkuptimin e arritur mes presidentit kinez Xi Jinping dhe presidentit amerikan Donald Trump gjatë vizitës së Trumpit në Kinë në muajin maj.
Dhjetë kompanitë e prekura nga sanksionet, siç raporton AP, janë: AVEOX në Simi Valley të Kalifornisë; Red Cat Holdings dhe Teal Drones në South Salt Lake të Utahut; IMSAR në Springville të Utahut; Jaia Robotics në Bristol të Rhode Island; Ball Aerospace & Technologies në Broomfield të Colorados; Oshkosh Defense në Oshkosh të Wisconsin; L3Harris Maritime Services në Norfolk të Virginias; MP Materials në Las Vegas; dhe USA Rare Earth në Stillwater të Oklahomas.
