Jep dorëheqje kryeministri britanik, Keir Starmer

0%

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, ka paralajmëruar dorëheqjen nga posti i kryeministrit dhe nga udhëheqja e Partisë Laburiste, raporton BBC . Në një deklarim para Downing Street, Starmer tha se do të bëjë gjithçka që është e mundur për të siguruar një kalim të rregullt të pushtetit dhe se pasardhësi i tij do ta ketë mbështetjen e plotë.

Ai tha se personi që do ta marrë drejtimin do të trashëgojë “një Britani më të fortë dhe më të drejtë se dy vjet më parë”. Starmer falënderoi miqtë dhe kolegët që, sipas tij, i kanë qëndruar pranë gjatë gjashtë viteve të fundit. Ai falënderoi edhe stafin e Downing Street dhe shërbimin civil britanik, të cilin e quajti “të jashtëzakonshëm”.

Duke folur për të ardhmen e tij politike, Starmer tha se pyetja që Partia Laburiste po e shtronte ishte nëse ai ishte personi më i përshtatshëm për ta udhëhequr partinë në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Ai tha se e ka “dëgjuar përgjigjen” e partisë dhe se e pranon atë “me mirëkuptim”. “Çdo vendim që kam marrë ka qenë për ta vënë vendin që e dua në rend të parë” – tha Starmer.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Do të jap dorëheqje si lider i Partisë Laburiste” – shtoi ai. Para se ta paralajmëronte dorëheqjen, Starmer foli edhe për kohën kur kishte marrë drejtimin e Partisë Laburiste. Ai tha se kishte trashëguar një parti “politikisht, financiarisht dhe moralisht të falimentuar”.

Sipas tij, atij i ishte thënë “vazhdimisht” se partia ishte “e përfunduar”, por ai tha se kishte dëshmuar të kundërtën. Starmer tha se e kishte ndryshuar partinë duke “çrrënjosur helmin e antisemitizmit” dhe duke rikthyer besimin në ekonomi, mbrojtje dhe siguri kombëtare. Ai e përshkroi hyrjen në Downing Street në vitin 2024 si “momentin më krenar” të jetës së tij.

“Erdha në politikë për mundësinë që t’ua ndryshoj jetën për të mirë miliona njerëzve” – tha ai. Starmer foli edhe për rrugëtimin politik që e çoi Partinë Laburiste në pushtet në korrik të vitit 2024. Në momentin e deklarimit të tij, jashtë Downing Street ndodheshin disa ministra të kabinetit, përfshirë zëvendëskryeministrin David Lammy, të cilët po e ndiqnin fjalimin e tij.

Largimi i tij e çon Britaninë drejt liderit të saj të shtatë në dhjetë vjetët e fundit.

Burimi: Kallxo