Eksporti shqiptar në krizë, Prençe: Po humbasim tregje dhe vende pune nga kriza e kursit të këmbimit! Duhet ndërhyrje e menjëhershme, ose…

0%

Eksportet shqiptare vijojnë të përballen me një situatë të vështirë, ndërsa zhvlerësimi i konkurrueshmërisë dhe kursi i këmbimit po godasin rëndë sektorin. Kryetari i Proexport Albania, Edvin Prençe, paralajmëron se kriza nuk është e përkohshme dhe se mungesa e ndërhyrjeve nga institucionet po rrezikon mbylljen e mëtejshme të fabrikave dhe humbjen e vendeve të punës.

Në një intervistë për “Ora News”, Prence theksoi se të dhënat e INSTAT tregojnë një rënie prej 14% të eksporteve, duke e cilësuar situatën si tregues të qartë të vështirësive që po kalon sektori.

Sipas tij, eksportuesit janë ata që po mbajnë peshën më të madhe të krizës së kursit të këmbimit, ndërsa pasojat po ndihen veçanërisht në zonat rurale të vendit, ku industria eksportuese përbën burimin kryesor të punësimit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ai nënvizoi se humbja e tregjeve dhe e konkurrueshmërisë është një problem afatgjatë, pasi rikthimi në tregjet e humbura dhe depërtimi në tregje të reja kërkon kohë dhe investime të konsiderueshme. Prence kritikoi mungesën e masave emergjente nga qeveria dhe Banka e Shqipërisë, duke kërkuar krijimin e amortizatorëve fiskalë dhe skemave mbështetëse për bizneset eksportuese.

Sipas tij, nëse nuk ndërhyhet, situata pritet të përkeqësohet edhe më tej. Ai paralajmëroi se rënia e mëtejshme e kursit të këmbimit do të kishte pasoja jo vetëm për eksportuesit, por për të gjithë ekonominë shqiptare dhe prodhuesit vendas, të cilët po përballen me konkurrencën në rritje të produkteve të importit.

Prence shtoi se produktet e huaja po bëhen gjithnjë e më konkurruese në tregun vendas për shkak të kostove më të ulëta dhe politikave mbështetëse që aplikojnë shtetet e origjinës. Në të kundërt, prodhuesit dhe eksportuesit shqiptarë po përballen me mungesë mbështetjeje dhe vështirësi në ruajtjen e pozicioneve të tyre në treg.

Duke folur për pasojat sociale të krizës, ai deklaroi se mbi 68 mijë punëkërkues janë të regjistruar në zyrat e punës, ndërsa shumë qytetarë që humbasin vendin e punës përballen me mungesë fondesh për përfitimin e pagesës së papunësisë.

Sipas Prences, kjo tregon se institucionet nuk kanë qenë të përgatitura për të përballuar efektet e krizës, pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme nga biznesi.

Kreu i Proexport Albania e mbylli mesazhin e tij me thirrjen për veprime të shpejta dhe konkrete, duke theksuar se pa mbështetje të menjëhershme rrezikohet jo vetëm e ardhmja e eksporteve shqiptare, por edhe qëndrueshmëria e ekonomisë dhe e punësimit në vend. Edvin Prençe Po të shikojmë euro, nga njëra, po edhe nga të dhënat e INSTAT që tregojnë një rënie me minus 14% të sektorit.

Absolutisht është domethënëse dhe është treguese e asaj që ne kemi diskutuar edhe bashkarisht me kohë, që tashmë eksportuesit janë ata që po paguajnë më shumë krizën e kursit të këmbimit, por edhe humbjen e konkurrueshmërisë.

Por mos të harrojmë që të gjitha këto përkthehen në vende pune të humbura, dhe po flasim në zonat më rurale të Shqipërisë të cilat nuk kanë një zhvillim tjetër ekonomik.

Kjo është situata aktuale, por nga ana tjetër ajo çfarë po shikohet është që, kur në momentin që humbet konkurrueshmërinë dhe humbet tregjet, është shumë e vështirë të rimarrësh veten dhe është shumë e vështirë të arrish të përthithësh dhe të futesh në tregje të reja. Jo, nuk është një problematikë e përkohshme ose një situatë që do kalojë.

Çdo ituatë kalon kur ka një ndërhyrje emergjente dhe urgjente. Çdo situatë përmirësohet dhe kalon kur ka një dëshirë politike për ta bërë të mundur një gjë të tillë.

Kjo situatë kalon kur kuptohet mirë dhe lexohet mirë, si në rastin konkret për kursin e këmbimit, nga Banka e Shqipërisë dhe qeveria në të vërtetë, e cila duhet të krijojë amortizatorë fiskalë dhe të krijojë, të themi, inçentivime për të amortizuar sadopak këto humbje.

Kur ne shohim që këto gjëra nuk po ndodhin, po shohim nga krahu tjetër që ka fabrika që tashmë po mbyllen përditë, dhe po flasim, siç edhe ju thatë, për zona të thella rurale të Shqipërisë që nuk kanë një zhvillim tjetër ekonomik. Besoj që situata do të vazhdojë të jetë akoma më e rënduar, do të vazhdojë të jetë akoma më kritike.

Dhe ajo çfarë ka humbur tashmë është shpresa që qeveria në radhë të parë, por edhe Banka e Shqipërisë do të mund të bëjnë, ose janë të gatshme, ose kanë dëshirën politike dhe fuqinë për të bërë, të themi, të mundur një farë ndërhyrje, këtë kthim mbrapsht të kursit të këmbimit.

Dhe ajo çfarë pritet dhe shpresojmë mos të ndodhë, është pikërisht që ky kurs i këmbimit do të shkojë akoma më poshtë, dhe kjo do të ishte akoma më drastike jo vetëm për eksportuesin shqiptar, por për ekonominë shqiptare në tërësi.

Dhe mos të harrojmë edhe për prodhuesin shqiptar, i cili shet në tregun tonë, në tregun e brendshëm, i cili tashmë edhe ai po humbet konkurrueshmërinë dhe janë prodhimet e importit të cilat po tregohen më të forta dhe më agresive kundrejt tregut të brendshëm Ajo, po flasim, po të mbajmë në analizë tregun e brendshëm, është çmimet që vijnë nga importi janë më të lira se ato të vendit.

Çfarë do të thotë kjo? Janë prodhime që vijnë të incentivuara nga shtetet përkatëse, nga çmime që vijnë më lirë sepse në kur bëhet përkthimi do të themi në lekë i çmimeve, të këtyre çmimeve, janë akoma më të konkurrueshme se ato shqiptare. Por ajo çfarë është më e rëndësishmja siç e thashë më përpara janë incentivimet që ato kanë në vendet e tyre të cilat e bëjnë këtë produkt më të lirë.

Ndërsa po të marrim për eksportuesit, është e kundërta. Pra çmimet tashmë që ne dalim në treg, ka humbur konkurrueshmëria me kohë, por ajo çfarë ka munguar dhe vazhdon të mungojë është pikërisht fokusi nga ana e qeverisë për të parë nga afër ajo çfarë po ndodh, në realitet çfarë po ndodh.

Mos të harrojmë që sot ne kemi mbi 68 mijë punëkërkues ose të regjistruar në zyrat e punës, dhe ajo që është më kritike, mbetet që dhe këto njerëz kur dalin jashtë sistemit të punës dhe shkojnë të regjistrohen për papunësinë, përgjigja që u vjen nga zyrat e punës është pikërisht ‘nuk kemi likuiditetin e nevojshëm’ ose ‘nuk kemi fonde për t’ju paguar papunësinë’.

Pra nga njëra anë duhet ta prisnim këtë, të themi, krizë dhe këtë regjistrim të punonjësve kur humbasin vendin e punës, por nga ana tjetër fondet ndoshta janë të dedikuara për gjëra të tjera dhe jo për kriza të tilla emergjente dhe që janë të pritura dhe janë të paralajmëruara, të cilat qeveria nuk i ka marrë parasysh, ose ndoshta nuk i ka menduar, ose nuk e mendon fare.

Burimi: Bota Sot