Shpërndaje në: Tatuazhi në pjesën e poshtme të këmbës së aktorit 30-vjeçar, Tom Holland, u shfaq në kuadrin e fundit të një skene ku ai varej kokëposhtë, i zhveshur, në anën e një ndërtese si superheroi i komikëve të Marvelit, dhe ekipi i efekteve vizuale (VFX) u detyrua ta hiqte atë në mënyrë digjitale.
Tom i tha influencueses Taya Miller gjatë eventit global për fansat e filmit në Muzeun STRAAT, në Amsterdam të Holandës, më 17 qershor se ka një tatuazh interesant. “Kam një tatuazh dhe një histori interesante për të. Ai ndodhet në pjesën e poshtme të shputës së këmbës sime; është emblema e Spider-Man nga filmi i parë. E kam të shtrirë në të gjithë pjesën e poshtme të këmbës.
Dhe në film është një skenë ku nuk kam fare rroba dhe jam i varur në anën e një ndërtese. Ishte shumë e sikletshme për t’u xhiruar. Gjatë takimeve për efektet vizuale, të gjithë thoshin: ‘Po, telat janë hequr, duket shkëlqyeshëm.’ Por ende mund të shihej tatuazhi në pjesën e poshtme të këmbës sime.
Tani e kanë hequr, por pati një moment kur po shikonin versionin përfundimtar të filmit dhe thanë: ‘Jo, jo, jo, duhet ta fshijmë edhe këtë’”, ka bërë të ditur ai. Në filmin Spider-Man: Brand New Day, bota nuk është më në dijeni të ekzistencës së Peter Parker/Spider-Man pas ngjarjeve të filmit Spider-Man: No Way Home.
Tom luan në film së bashku me bashkëshorten e tij 29-vjeçare, Zendaya, e cila interpreton personazhin MJ, dhe marrëdhënia e tyre në jetën reale e bëri më të lehtë xhirimin e disa skenave.
“Ka një skenë shumë të rëndësishme në film që po e xhironim dhe unë i hodha sytë nga Zendaya dhe i thashë: ‘A mendon se kjo skenë po funksionon?’ Ajo më pa dhe më tha: ‘Nuk e di…’.Po të mos kisha marrëdhënien që kam me Zendaya-n, nuk do ta imagjinoja kurrë t’i thosha një aktoreje pas një xhirimi të afërt: ‘A mendon se kjo po funksionon?’”, ka thënë ai.
Zendaya tha se ky shembull tregon sa shumë janë zhvilluar të dy që kur luajtën për herë të parë këto role në filmin Spider-Man: Homecoming. “Ajo që ka qenë vërtet interesante te ky film, veçanërisht, është se atëherë ishim shumë më të rinj dhe nuk ishim aq të përfshirë. Filmat ishin pothuajse të formuar para se ne të fillonim punën tonë.
Por tani Tom është i lidhur me këta filma në një mënyrë krejt tjetër. Ai është pjesë e gjithçkaje, e çdo vendimi për rikthimin e këtyre personazheve në ekranet tona. Ai është jashtëzakonisht i përkushtuar. Do ta kishit të vështirë të gjenit dikë që i kupton këta filma më mirë se ai”, ka thënë ajo.
