(Mos)suksesi i eksperimentit të Hungarisë për të rritur lindshmërinë

0%

Nga: BBC Përktheu:

Flutura Gashi-Mehmeti Shpërndaje në: Për një periudhë, Hungaria u përshëndet nga disa si një histori e madhe suksesi, veçanërisht nga konservatorët amerikanë. Por më pas norma e lindshmërisë filloi të binte… Duke qëndruar ulur në një stol parku në qytetin lindor hungarez të Debrecenit, Barbara Elek rishikon me ankth postën e saj elektronike.

Ajo dhe bashkëshorti i saj, Levi, po presin të mësojnë nëse Barbara është shtatzënë, pas përpjekjes së tyre të tretë për fekondim in vitro (IVF) para 10 ditësh. “Nëse nuk funksionon, sigurisht që do të jem e shkatërruar. Dhe atëherë zgjidhja e fundit do të jetë të përpiqemi të sigurohemi që, të paktën financiarisht, të mos humbasim gjithçka”, i thotë ajo BBC Global Women.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ashtu si shumë çifte të reja hungareze, Barbara, 33 vjeçe, punonjëse sociale, dhe Levi, 34 vjeç, kuzhinier, kishin të drejtë të përfitonin dhjetëra mijëra euro kredi pa interes dhe subvencione, pasi premtuan se do të kishin dy fëmijë.

Por Barbara ka hasur në vështirësi për të mbetur shtatzënë natyrshëm dhe, nëse nuk arrijnë të dëshmojnë deri më 1 nëntor se presin një fëmijë, mund të detyrohen t’i kthejnë kreditë së bashku me interesa ndëshkuese. Çifti mori një kredi prej mbi 28,000 eurosh me premtimin se do të kishte dy fëmijë.

Sipas rregullave të vendosura nga qeveria e mëparshme hungareze, atyre mund t’u kërkohet të paguajnë interesa ndëshkuese nga 4,280 deri në 9,950 euro, një shumë që, sipas tyre, nuk mund ta përballojnë. Ata marrin gjithashtu një subvencion për kredinë e shtëpisë me kushte të ngjashme.

Në vitin 2010, kryeministri i atëhershëm i Hungarisë, Viktor Orban, nisi disa nga politikat më ambicioze për të rritur natalitetin në botë, duke paguar njerëzit për të pasur ose për të premtuar se do të kenë fëmijë. Shkalla e lindshmërisë në Hungari është shumë nën nivelin prej 2.1 fëmijësh për grua, i nevojshëm për të mbajtur të qëndrueshme popullsinë vendase.

Për më tepër, vendi është përballur me emigrim të lartë dhe imigrim të ulët. Ky nuk është vetëm një problem hungarez. Në të gjithë Evropën, normat e lindshmërisë kanë qenë nën nivelin e nevojshëm për të ruajtur popullsinë pa imigrim, që nga vitet 1980. Sot, e njëjta gjë vlen për më shumë se gjysmën e vendeve të botës, ku jetojnë rreth dy të tretat e popullsisë globale.

Kur Orbani u rizgjodh në vitin 2010, shkalla e lindshmërisë në Hungari ishte ndër më të ulëtat në Evropë. Partia e tij, Fidesz, premtoi se do të luftonte rënien e popullsisë. “Në Perëndim, përgjigjja për këtë është imigrimi. Sillen aq njerëz sa mungojnë. Hungarezët mendojnë ndryshe. Ne nuk kemi nevojë për numra, kemi nevojë për fëmijë hungarezë”, deklaronte atëherë Orbani.

Orban, i cili humbi pushtetin në zgjedhjet e prillit të këtij viti, vendosi lehtësime të mëdha tatimore, kredi pa interes dhe subvencione për strehim për çiftet e reja që premtonin të kishin fëmijë. Kishte gjithashtu subvencione për blerjen e një veture më të madhe ose për rinovimin e shtëpisë.

Këto përfitime ishin të disponueshme vetëm për çiftet e martuara heteroseksuale dhe për ata që ishin pjesë e tregut formal të punës. Për një kohë, dukej sikur këto masa po i nxisnin hungarezët të kishin më shumë fëmijë. Norma e lindshmërisë u rrit nga 1.25 në vitin 2010 në 1.59 në vitin 2020.

Për një periudhë, Hungaria u përshëndet nga disa si një histori e madhe suksesi – veçanërisht nga konservatorët amerikanë. Por më pas norma e lindshmërisë filloi të binte dhe në vitin 2025 ra në 1.31, jo shumë më lart se kur këta stimuj u prezantuan për herë të parë.

“Nëse gjykohet sipas objektivave të politikave, kjo është qartazi një dështim”, thotë Tomas Sobotka nga Instituti i Demografisë në Vjenë. Por pse dështoi qasja e Hungarisë pro natalitetit? Pse politikat e Hungarisë pro natalitetit sollën fillimisht një rritje të lindjeve, por më pas ato ranë përsëri?

Dhe çfarë mësimesh ofrojnë ato për vendet e tjera që po përpiqen me dëshpërim të rrisin lindshmërinë? Politikat e Hungarisë pro natalitetit Një pikëpamje është se statistikat e Hungarisë tregojnë një sukses. Meqenëse lindshmëria ka rënë në të gjithë Evropën gjatë dekadës së fundit, disa argumentojnë se politikat hungareze mund të kenë parandaluar një rënie edhe më të madhe.

Fruzsina Skrabski, nga organizata pro-familjes “Three Princes, Three Princesses”, beson se pa këto politika “do të kishte qindra mijëra fëmijë më pak”. Ajo është “e bindur se këto politika sollën më shumë lindje, por jo aq sa të përmbysnin trendin”. Mate, 43 vjeç, dhe Agi Gorondy, 37 vjeçe, që jetojnë në periferi të Budapestit, pajtohen plotësisht.

Ata kanë pesë fëmijë, të gjithë nën moshën 10-vjeçare, dhe thonë se mund të kenë edhe më shumë. Ata ia atribuojnë këtë mjedisit miqësor ndaj familjes në Hungari. Çifti ka përfituar nga pagesat e lehonisë, kreditë pa interes për foshnjat dhe subvencionet për rinovimin e shtëpisë dhe blerjen e një veture më të madhe.

Mate, që punon i pavarur në zhvillimin e biznesit, përfiton nga uljet e taksave. Ndërsa Agi, si nënë me më shumë se dy fëmijë, nuk do të paguajë fare tatim mbi të ardhurat nëse kthehet në punë. “Mendoj se gjatë 16 vjetëve të fundit ka pasur një ndryshim. Në këtë lagje… familjet me katër ose pesë fëmijë nuk janë më të rralla”, thotë Mate.

Statistikat tregojnë se numri i familjeve me tre ose më shumë fëmijë u rrit gjatë viteve 2010, duke arritur kulmin në vitin 2020 me 146,000 familje. Mirëpo, deri në vitin 2024, ky numër kishte rënë në 125,000. Timothy P.

Carney, studiues i lartë në “American Enterprise Institute” dhe autor i disa librave mbi rënien e lindshmërisë, beson se një nga sukseset e Orbanit ishte vendosja e familjes dhe mbështetjes së saj në qendër të debatit politik. Ai përmend sloganin “Hungaria miqësore ndaj familjes”, i cili shfaqej edhe në sallën e mbërritjeve të aeroportit të Budapestit.

Të tjerë thonë se përfitimet nuk u shpërndanë në mënyrë të barabartë. Profesori Janos Toth, filozof që studion çështjet demografike në Universitetin e Szegedit, beson se stimujt funksionuan veçanërisht mirë për një grup të caktuar – shtresën e ulët të mesme në zonat rurale. Por në qytete, ku lindshmëria është më e ulët, paratë nuk mjaftojnë.

Ai mendon se kredia prej afro 29,000 eurosh për çiftet që planifikojnë të kenë fëmijë, ndihmoi fillimisht shumë çifte të reja të krijonin familje, por inflacioni i lartë ia ka zbehur vlerën. “Çdo vend e ka problemin e lindshmërisë së ulët në qytete”, thotë ai.

Sipas tij, Hungaria duhet të bëjë më shumë për t’i ndihmuar njerëzit të kenë fëmijën e parë, në vend që të fokusohet tek bindja e atyre që tashmë kanë fëmijë për të pasur më shumë. “Fëmija i parë është më i rëndësishmi”, thekson ai. Eva Fodor, bashkëdrejtuese e Institutit për Demokraci në Universitetin e Evropës Qendrore, vë në pikëpyetje ndikimin real të këtyre politikave.

“Duket se këto politika funksionuan për një kohë të shkurtër, ashtu si shumica e politikave pro natalitetit”, thotë ajo. Sipas saj, ato thjesht i shtynë disa njerëz të kenë fëmijët që gjithsesi do t’i kishin pasur, por pak më herët se sa kishin planifikuar. “Prandaj norma e lindshmërisë u rrit për një kohë, për një ose dy vjet, dhe më pas filloi të bjerë përsëri”, shpjegon ajo.

Megjithatë, rritja dhe më pas rënia e lindshmërisë në Hungari mund të ketë pasur shumë pak lidhje me politikat e saj dhe thjesht të ketë pasqyruar tendencat më të gjera në Evropën Lindore. Për shembull, Republika Çeke nuk vendosi masa kaq të gjera pro natalitetit, por përjetoi një rritje të ngjashme dhe më pas një rënie të ngjashme të lindshmërisë.

Më shumë se çështje financiare Për shumë prindër, pengesa e vërtetë mund të mos jenë financat, por shërbimet bazë nga të cilat varen. Antonia Miskolczi, një nënë 29-vjeçare nga Budapesti, thotë se shqetësimi i saj për sistemin shëndetësor hungarez ndikoi shumë më tepër në vendimmarrjen e saj sesa çdo stimul financiar. “Në fakt, kisha frikë nga lindja”, thotë Antonia.

Ajo kishte parë video në TikTok ku nënat shtatzëna paralajmëroheshin të merrnin me vete letër higjienike dhe dezinfektues në spital, dhe thotë se disa të afërme të saj kishin pasur përvoja shumë të këqija. Për këtë arsye, ajo e solli në jetë djalin e saj në një spital privat.

Antonia dhe bashkëshorti i saj, Marton, shfrytëzuan disa nga përfitimet shtetërore për të pasur fëmijën e tyre të parë, por ajo thotë se kjo nuk e ka ndryshuar planin e tyre për të pasur vetëm edhe një fëmijë tjetër. “Nuk mendoj se nevojiten premtime të mëdha. Thjesht rregulloni gjërat themelore dhe dëshira për të pasur fëmijë do të rritet”, thotë ajo.

“Përmirësimi i arsimit dhe kujdesit shëndetësor duhet të jetë hapi i parë në mënyrë që njerëzit të ndihen rehat për të pasur fëmijë”, shton Antonia. Hungaria nuk ishte e vetmja që u përpoq të ulte rënien e lindshmërisë. Për shembull, Koreja e Jugut kishte një normë lindshmërie prej 1.19 në vitin 2008, një nga më të ulëtat në botë.

Që atëherë, ajo ka shpenzuar qindra miliarda euro për të nxitur popullsinë të ketë më shumë fëmijë. Por norma totale e lindshmërisë në Korenë e Jugut vazhdoi të bjerë, duke arritur në vetëm 0.8 në vitin 2025. Lindshmëria ka rënë në shumicën e vendeve që nga pandemia, një ndryshim që shumë ekspertë besojnë se shkaktohet nga faktorë më të gjerë sesa ekonomia.

Demografi Tomas Sobotka argumenton se izolimet gjatë pandemisë, fushatat e vaksinimit, të cilat mund të kenë bërë që gratë të shtynin shtatzëninë, dhe një ndjenjë e përgjithshme pasigurie, i kanë bërë njerëzit më hezitues për të pasur fëmijë. “Lindshmëria ka tendencë të bjerë sepse njerëzit nuk kanë besim te e ardhmja”, thotë ai.

Lufta në Ukrainë dhe rritja globale e inflacionit krijuan tronditje të reja, dhe Sobotka vëren se vendet më pranë konfliktit kanë përjetuar rëniet më të mëdha të lindshmërisë. “Njerëzit ende ndihen të pasigurt dhe të paqartë për të ardhmen, sepse po përballen me shumë kriza dhe mjedisi politik është shumë toksik”, thotë ai.

Ndryshimi i kulturës Në vitet 2000, Suedia dhe disa nga fqinjët e saj nordikë prezantuan një sërë politikash që rritën lindshmërinë, megjithëse ky nuk ishte qëllimi i tyre i drejtpërdrejtë. Lejet prindërore të ndara mes të dy prindërve, kujdesi i përballueshëm për fëmijët dhe arsimi parashkollor universal krijuan kushte që e bënin më të lehtë kombinimin e punës me jetën familjare.

Gjatë dekadës së ardhshme, norma e lindshmërisë në Suedi u rrit nga 1.5 në 2.0. Shumë studiues menduan se Suedia kishte zgjidhur konfliktin mes feminizmit dhe lindshmërisë duke e bërë më të lehtë që të dy prindërit të punonin dhe të rrisnin një fëmijë. Por më pas, në vitet 2010, lindshmëria ra sërish, duke i lënë studiuesit të habitur.

Megjithatë, Sobotka mendon se këto politika i mbrojtën vendet nordike nga rëniet dramatike të lindshmërisë që janë parë në Azinë Lindore. Ai beson se vendet që e bëjnë më të lehtë ndarjen e përgjegjësive familjare mes burrave dhe grave janë shumë më të mbrojtura nga rënia e thellë e lindshmërisë.

Nga ana tjetër, Eva Fodor, profesoreshë e Studimeve Gjinore thotë se Hungaria “e ka forcuar idenë se gratë janë kujdestaret kryesore të familjes”. “Rolet gjinore janë bërë më të ngurta”, thotë ajo. Dhe mund të jetë se kultura ka më shumë rëndësi sesa paratë.

Izraeli, i vetmi vend në OECD (Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim) me një normë lindshmërie dukshëm mbi nivelin e zëvendësimit, nuk shpenzon shumë për përfitime familjare. Megjithatë, ai ka një fokus të fortë kulturor dhe ideologjik te lindja e fëmijëve, pjesërisht i ndikuar nga dëshira për të rindërtuar popullsinë hebraike pas tmerrit të Holokaustit.

Franca ndërkaq ka arritur t’i rezistojë më mirë rënies së lindshmërisë në Evropë. Me një normë prej 1.6, ajo ka një nga nivelet më të larta në Bashkimin Evropian. Ajo ka shpenzime publike relativisht të larta dhe një fokus më të madh në balancën mes jetës dhe punës sesa shumë nga fqinjët e saj. Koreja e Jugut nuk e ka këtë fleksibilitet.

“Për burrat ekziston ende ideja tradicionale se ata duhet të jenë siguresa financiare e familjes, prandaj shpesh kthehen shumë vonë në shtëpi”, thotë Sobotka.

Qeveria e Orbanit shpenzoi rreth 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për iniciativat e saj në mbështetje të familjes dhe ato dukeshin mjaft të popullarizuara sa që lideri i ri hungarez, Peter Magyar, nuk bëri fushatë për t’i ndryshuar ato. Kështu, situata e Barbarës dhe Levit nuk është unike.

Banka Kombëtare e Hungarisë raporton se një në pesë çifte që morën këto kredi para pesë vjetësh nuk përfunduan duke pasur fëmijë. “Është e tmerrshme, thjesht e tmerrshme”, tha Levi, duke përqafuar gruan e tij.

Në Hungarinë “miqësore ndaj familjes”, çifti gjendet i bllokuar në një sistem që u premtoi mbështetje, por tani ata e gjejnë veten pa familjen që shpresonin të krijonin dhe përballë mundësisë që stabiliteti i tyre financiar të shembet.

Burimi: Koha