Falja e gjakut dhe institucioni i besës në të drejtën dokësore shqiptare

0%

E drejta dokësore shqiptare përfaqëson një nga sistemet më të konsoliduara të së drejtës zakonore në Evropën Juglindore. E formësuar ndër shekuj dhe e transmetuar kryesisht në mënyrë gojore, ajo rregulloi jetën juridike, shoqërore dhe morale të bashkësive shqiptare në kushtet e mungesës së institucioneve shtetërore moderne.

Brenda këtij sistemi normativ, një vend të veçantë zënë institucionet e faljes së gjakut dhe të besës, të cilat synonin ruajtjen e rendit, kufizimin e konflikteve dhe rivendosjen e harmonisë shoqërore.1 Mirdita përbën një nga trevat ku këto institucione kanë gjetur shprehje të veçantë.

Organizimi i saj tradicional, autoriteti i kuvendeve dhe ndikimi i Kishës Katolike krijuan kushte për zhvillimin e mekanizmave të pajtimit që shpesh kanë tërhequr vëmendjen e studiuesve shqiptarë dhe të huaj.2 Në të drejtën dokësore shqiptare, gjaku konsiderohej një e drejtë juridike e familjes së dëmtuar, e lindur si pasojë e vrasjes së një anëtari të saj.3 Sipas Kanunit, gjakmarrja përbënte një të drejtë të njohur zakonore të familjes së dëmtuar, por kjo e drejtë mund të pezullohej ose të shuhej përmes faljes së gjakut 4 Megjithatë, Kanuni nuk e konsideronte gjakmarrjen si qëllim në vetvete.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Përkundrazi, ai parashikonte një sërë mekanizmash që synonin kufizimin e saj dhe orientimin e palëve drejt pajtimit. Falja e gjakut përbënte aktin juridik përmes të cilit familja e dëmtuar hiqte dorë vullnetarisht nga ushtrimi i së drejtës së gjakut. Ky veprim shënonte fundin e konfliktit dhe rikthimin e marrëdhënieve normale ndërmjet familjeve.

Në këtë kuptim, falja nuk ishte vetëm një akt moral, por edhe një institucion juridik me pasoja konkrete në jetën e bashkësisë.5 Falja nuk konsiderohej akt dobësie, por një virtyt i lartë moral dhe një veprim me rëndësi juridike e shoqërore. Përmes saj rivendosej paqja ndërmjet familjeve dhe shmangej vazhdimi i ciklit të hakmarrjes.

Kanuni e vlerësonte faljen si një virtyt të lartë, duke e konsideruar atë shprehje të urtësisë, fisnikërisë dhe përgjegjësisë ndaj interesit të përgjithshëm shoqëror.6 Pajtimi realizohej zakonisht përmes ndërmjetësve, të cilët gëzonin autoritet moral në bashkësi.

Ata mund të ishin pleq, krerë bajraqesh, klerikë ose miq të respektuar të të dy palëve.7 Roli i ndërmjetësit ishte të bindte familjen e dëmtuar të pranonte faljen dhe të siguronte garanci morale për respektimin e marrëveshjes. Pas pranimit të kërkesës për falje caktohej dita e ceremonisë së pajtimit. Në traditën e Mirditës, ceremonia zhvillohej sipas një rituali të mirëpërcaktuar.

Dorasi paraqitej me duar të lidhura pas shpine, në shenjë pendimi dhe nënshtrimi. Pas tij vinin pjesëtarët e familjes, përfshirë gratë dhe fëmijët. Prania e fëmijëve simbolizonte pafajësinë dhe vazhdimësinë e jetës, duke synuar të zgjonte ndjenjën e mëshirës te familja e dëmtuar. 8 Momenti kulmor i ceremonisë ishte shpallja publike e faljes.

Pas saj zgjidheshin duart e dorasit dhe konsiderohej se gjaku ishte falur. Ky veprim simbolik shënonte fundin e hasmërisë dhe rikthimin e paqes ndërmjet familjeve. Burimet etnografike dhe dëshmitë gojore tregojnë se në Mirditë kanë ekzistuar forma të veçanta të ceremonisë së pajtimit. Në disa raste, pajtimi zhvillohej në shtëpinë e dorasit.

Ceremonia fillonte me rrëzimin simbolik të një djepi, të cilin e ngrinte ai që falte gjakun. Ky veprim interpretohej si rikthim i jetës dhe i shpresës për familjen e dorasit.9 Në disa fshatra të Mirditës përmendet edhe zakoni i gdhendjes së një kryqi në pragun ose në qoshkun e derës së shtëpisë pas përfundimit të pajtimit.

Kryqi shërbente si simbol i pajtimit dhe kujtesë e përhershme e marrëveshjes së arritur.10 Në raste të veçanta, pajtimi kurorëzohej me lidhje krushqie ndërmjet familjeve që më parë kishin qenë në hasmëri. Kjo përbënte formën më të lartë të rivendosjes së marrëdhënieve shoqërore. Ndër institucionet më të rëndësishme të së drejtës dokësore shqiptare qëndron besa.

Në kuptimin juridik, ajo përfaqësonte garancinë e sigurisë së jetës dhe të paprekshmërisë së personit për një periudhë të caktuar ose për një situatë të veçantë.11 Kanuni e trajton besën si detyrim kolektiv. Pasi jepej besa, askush nuk kishte të drejtë ta cenonte atë.

Shkelja e saj konsiderohej një nga veprat më të rënda kundër rendit juridik dhe moral të bashkësisë. 12 Në Mirditë njihej një formë e veçantë e besës së përgjithshme, e cila buronte nga vendimet e kuvendeve ndërbajraktare. Kjo besë garantonte mbrojtje edhe për personat në gjak gjatë situatave të jashtëzakonshme.

Në rast zjarri, përmbytjeje, mbytjeje në ujë, goditjeje nga rrufeja ose rrezikimi të një gruaje, çdo burrë kishte detyrimin të ndërhynte për ndihmë, pavarësisht marrëdhënieve të hasmërisë.13 Po kështu, gjatë kuvendeve ose ekspeditave luftarake, personat në gjak gëzonin mbrojtjen e besës dhe mund të merrnin pjesë pa frikën e hakmarrjes.

Në këto raste interesat e bashkësisë vendoseshin mbi konfliktin individual. Megjithëse Kanuni favorizonte pajtimin, ai njihte edhe raste kur falja konsiderohej jashtëzakonisht e vështirë.

Vrasja e mikut, vrasja pas dhënies së besës, përdhunimi dhe grabitja e armëve përbënin vepra që cenonin rëndë rendin moral e juridik të bashkësisë.14 Për këto raste ndërhyrja e pleqve dhe e ndërmjetësve shpesh nuk mjaftonte për të arritur pajtimin. Falja e gjakut dhe besa përbëjnë dy prej institucioneve më të rëndësishme të së drejtës dokësore shqiptare.

Ato dëshmojnë për ekzistencën e një sistemi juridik tradicional që synonte jo vetëm ndëshkimin e shkelësit, por edhe rivendosjen e paqes shoqërore.

Rasti i Mirditës paraqet interes të veçantë për historinë e së drejtës shqiptare, sepse në këtë krahinë këto institucione morën forma rituale dhe juridike të zhvilluara, duke reflektuar ndërthurjen e traditës zakonore me ndikimin e krishterimit katolik dhe të organizimit bajraktar. Fusnotat Shtjefën Gjeçovi, Kanuni i Lekë Dukagjinit, Shkodër, 1933.

At Zef Valentini, Ligji i Maleve Shqiptare, Palermo, 1956.

Burimi: Bota Sot