Nga: Besartë Elshani Shpërndaje në: “Një verë veneciane” që tashmë flet edhe në shqip, e ka sjellë në Kosovë shkrimtarin italian, Francesco Rapazzinin, si mysafir nderi të edicionit të sivjetmë të Panairit të Librit. Në romanin e tij nuk është Venecia e turistëve, por qyteti i banorëve të saj, i lojërave të rinisë, i sekreteve të vogla dhe i një kohe që sot duket e largët.
Kësisoj, shndërrohet edhe në elegji për të kaluarën që po zhduket. Rapazzini ringjall Venecian e humbur, por këtë di ta bëjë me tis humori Midis zhurmës së stendave dhe ritmit të edicionit të 26-të të Panairit të Librit në Prishtinë, një copëz e Venecias së viteve ’70 ka zbarkuar në kryeqytet.
Shkrimtari Francesco Rapazzini, i lindur në Itali dhe që punon e vepron në Francë, është takuar me lexues e shkrimtarë vendorë për ta promovuar romanin e tij “Një verë veneciane”, të përkthyer në shqip. Rrëfimi është i ndërtuar mbi kujtesën, miqësinë dhe periudhën e brishtë të jetës kur njeriu nis të zbulojë veten. Rapazzini është mysafir nderi i Panairit të sivjetmë.
Promovimi të premten pasdite ka mbledhur dashamirë të letërsisë, autorë e studiues të cilët kanë diskutuar për romanin që kritika franceze e ka vlerësuar si një nga portretet më të ndjera të adoleshencës dhe të Venecias së humbur. Në qendër të romanit është Francesco, një djalosh 17-vjeçar që kalon verën e vitit 1978 në qytetin e tij.
Rrëfimi përfshin vetëm pak muaj të jetës së tij, por në thelb bëhet fjalë për një udhëtim të thellë drejt pjekurisë. Mes rrugicave të ngushta, kanaleve, miqësive dhe emocioneve të para, protagonisti përballet me pyetjet që shoqërojnë çdo brez: kush jam, çfarë dua dhe cili është vendi im në këtë botë?
Ajo për çfarë shquhet ky roman është mënyra se si Venecia shndërrohet në personazh më vete. Nuk është Venecia e turistëve, por qyteti i banorëve të saj, i lojërave të rinisë, i sekreteve të vogla dhe i një kohe që sot duket e largët. Kësisoj, “Një verë veneciane” është edhe elegji për të kaluarën që po zhduket.
Rapazzini, me humorin që karakterizon edhe romanin e tij, bazuar në leximet e fragmenteve të veprës së tij, ka folur edhe për vështirësinë e të komentuarit të një vepre kaq personale. “Të flasësh për librin që e ke shkruar vetë nuk është e lehtë, sepse mund të kesh ego dhe të ndihesh si Dostojevski, por mund të ndihesh edhe si një buburrec, pra nuk është e lehtë.
Por do të doja të filloja me kopertinën ku është një djalë duke u hedhur në kanalin e Venecias. Verës kisha dëshirë të hidheshim në kanal kur isha i ri. Megjithatë, e patëm bërë, kemi qenë një grup miqsh.
Gjithmonë njëri ka qëndruar jashtë ujit për t’u siguruar se nuk do të na shohë askush”, ka thënë shkrimtari Francesco Rapazzini, autor i më shumë se 15 veprave letrare krahas atyre monografike e eseistike. “Një verë veneciane” qe botuar në frëngjisht më 2018.
I lindur në Itali dhe i vendosur prej dekadash në Francë, është një nga autorët që mishërojnë natyrshëm dialogun mes kulturave evropiane. Si gazetar e shkrimtar ka zgjedhur frëngjishten si gjuhë të krijimtarisë së tij letrare, duke ndërtuar një univers ku përvoja italiane dhe ndjeshmëria franceze ndërthuren në mënyrë organike.
Pikërisht kjo përkatësi e dyfishtë kulturore reflektohet edhe në romanin e tij më të njohur. Për këtë e ka vlerësuar atë shkrimtari Besnik Mustafaj. “Përtej një thjeshtësie të shtirur që ka romani, ai është një roman i sofistikuar, sepse fatet njerëzore që paraqiten aty, mënyra se si ndërtohen ato, është e rafinuar dhe kjo e bën romanin një vepër shumë të mirë.
Unë besoj se me këtë botim, ‘Buzuku’ e ka pasuruar bibliotekën shqipe. Ka sjellë modelin e një shkrimtari që, ndonëse ka shqiptarë që shkruajnë në gjuhë tjetër, por të mendosh një italian që është lindur e rritur me gjuhën e Dantes dhe zgjedh si gjuhë për t’u shprehur frëngjishten, do të thotë se brenda tij ka përzgjedhje kulturash shumë të fuqishme të cilat gjejnë shprehjen konkrete përmes frëngjishtes në rastin konkret”, ka thënë Mustafaj derisa e ka vlerësuar veprën si roman të rafinuar që fsheh nën thjeshtësinë e rrëfimit një ndërtim të kujdesshëm artistik.
Sipas tij, një nga sfidat më të mëdha të romanit është fakti se protagonisti mban të njëjtin emër me autorin, pa rënë në grackën e kujtimeve të thjeshta apo të vetë idealizimit. “Dua të them dy fjalë se pse duhet lexuar ky libër. E para: kemi personazhin qendror që quhet njësoj si autori.
Zakonisht duhet kurajë e madhe nga autori për ta bërë veten personazh sepse ka rrezikun të bjerë në kujtime ose në zbukurim të personazhit që do donte të ishte vetë. Gjetja e një ekuilibri për të ruajtur vërtetësinë letrare, sepse duhet që personazhi të tingëllojë i vërtetë, i besueshëm, tërheqës dhe bartës i një mesazhi të rëndësishëm. Për ta arritur këtë kërkon mjeshtëri.
Në këtë rast, autori e ka imagjinatën, gjuhën, e zotëron mirë gjuhën me të cilën shprehet, e zotëron mirë ndërtimin e prozës, sepse ndërtimi i një romani është si çështje arkitekture”, ka thënë Mustafaj. Në shqip, vepra është përkthyer nga përkthyesi Urim Dërguti. Ai e ka përshkruar romanin si histori që, megjithëse përqendrohet në një verë të vetme, arrin të prekë përvoja universale.
“Francesco na sjell vetëm një verë, verën e 1978-s. Francesco është 17 vjeç në atë kohë. Është një djalë i ri, adoleshent. Të gjithë kemi qenë adoleshentë dhe kemi pasur dyshimet tona. Është vera kur, siç thotë Francesco, kur do të bëhet burrë. Është një moment me rëndësi në jetën e një njeriu. Por në fakt jo të gjithë e dinë se kush jemi dhe çfarë duam.
Këtu të gjithë na kanë kaluar këto pyetje se cila është rruga ime, cili është hapi im”, ka thënë ai. Ka veçuar atmosferën e qytetit që autori e rikthen në roman. “Adoleshenca e Francescos është në rrugica të vogla, jo në Venecian, ose Beratin, ose Gjirokastrën që kemi sot që janë kthyer në qytete turistike.
Një beratas sot nuk e ka kurrsesi ndjesinë e qytetit të vet siç e ka pasur babai i tij dikur. Është tjetër jetë. Gjithë këtë, Francesco e sjell me një gjuhë plot humor. Shpesh e kam gjetur veten duke qeshur. Ka disa skena epike”, është shprehur përkthyesi i veprës Promovimi është organizuar nga Ambasada e Francës në Kosovë dhe Instituti Francez, në bashkëpunim me shtëpinë botuese “Buzuku”.
Edouard Mayoral, këshilltar për kulturë në Ambasadën e Francës në Kosovë dhe drejtor i Institutit Francez, ka theksuar rëndësinë e sjelljes së autorëve frankofonë para publikut në Kosovë. Ka bërë me dije se çmimi prestigjioz francez për letërsi “Prix Goncourt” do të ndahet edhe në Kosovë. “Këtë vit, Ambasada e Francës në Kosovë ka vendosur ta sjellë çmimin në Kosovë.
Kemi pasur kënaqësinë që gjatë kësaj jave të Panairit të Librit ta kemi librin francez në Kosovë. Çdo vit për ne është kënaqësi të bashkëpunojmë me shtëpinë botuese ‘Buzuku’ gjatë javës së Panairit ku kemi të ftuar shkrimtarë frankofonë. Kjo është edhe tradita e letërsisë frankofone, që të sjellë shkrimtarë frankofonë.
Franca është e dashuruar në Venecian, ashtu që kur dëgjova që e kemi mundësinë të sjellim një shkrimtar të Venecias në Kosovë isha shumë i emocionuar”, ka thënë ai. Me “Një verë veneciane”, Francesco Rapazzini rikthen aromën e kohës së humbur, ritmin e qytetit që ka ndryshuar dhe emocionet që kanë mbetur të njëjta për çdo brez.
