Departamenti amerikan i Luftës po kërkon nga Kongresi miratimin e një pakete shtesë financimi prej rreth 80 miliardë dollarësh për të mbuluar kostot e luftës me Iranin, si dhe disa shpenzime të tjera që nuk lidhen drejtpërdrejt me konfliktin. Kjo është bërë e ditur nga zëvendëssekretari i Luftës, Stephen Feinberg, gjatë bisedave me ligjvënësit amerikanë.
Sipas raportimeve, kërkesa e plotë për fondet shtesë mund t’i paraqitet Kongresit brenda ditëve në vijim, shkruan wsj . Përveç financimit të Pentagonit, paketa pritet të përfshijë edhe prioritete civile, si ndihma për fermerët dhe fondet për përballimin e pasojave të fatkeqësive natyrore. Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni nuk kanë komentuar ende zyrtarisht mbi çështjen.
Trump: Lufta e ka dobësuar Iranin Vlerësimet e para zyrtare të Pentagonit tregojnë se lufta me Iranin i ka kushtuar deri tani Shteteve të Bashkuara rreth 25 miliardë dollarë. Megjithatë, analistët besojnë se shifra reale mund të jetë shumë më e lartë, pasi nuk përfshin dëmet në bazat amerikane, kostot operative të forcave të dislokuara dhe shpenzime të tjera të lidhura me konfliktin.
Më herët gjatë vitit, Pentagoni kishte shqyrtuar edhe kërkesa shumë më të larta financimi, përfshirë paketa prej 50 miliardë dhe madje 200 miliardë dollarësh, për të mbështetur operacionet ushtarake dhe për të rimbushur rezervat e armatimeve të përdorura në konflikt.
Kërkesa e re pritet të nxisë debat të fortë politik në Kongres, ku një pjesë e ligjvënësve, si republikanë ashtu edhe demokratë, kanë shprehur shqetësime për koston në rritje të luftës dhe barrën që ajo po u imponon taksapaguesve amerikanë.
