Fest Folk 2026 vijon të udhëtojë nëpër Shqipëri, duke bashkuar publikun me këngën, vallen dhe pasurinë e traditës sonë kulturore. Pas shfaqjeve në Vlorë, Laç, Sarandë, dje trupa e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore u ndal në Durrës. Në sheshin “Taulantia”, trupa e Ansamblit ngjiti në skenë një koncert të veçantë me këngë e valle popullore.
Në Durrës, këngët, vallet dhe tradita shqiptare krijuan një atmosferë festive, me ritëm, ngjyra dhe energji, ndërsa publiku u bë pjesë e drejtpërdrejtë e spektaklit. Nën tingujt e muzikës qytetare dhe ritmet e folklorit shqiptar, skena u shndërrua në një festë të përbashkët, ku artistët dhe publiku u bashkuan përmes këngës dhe valles.
Kjo ishte një mbrëmje ku spektatori nuk mbeti thjesht përballë skenës, por u bë pjesë e saj. Në skenë u ngjitën 30 artistë të cilët sollën më të mirën e folkut shqiptar. Fest Folk 2026 vijon rrugëtimin me një tjetër ndalesë të rëndësishme, këtë herë në Gjirokastër.
Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore do të ngjitet nesër (13 gusht) në skenën e Gjirokastrës, për t’i dhuruar publikut një mbrëmje të veçantë kushtuar muzikës, këngës dhe valles shqiptare.
Gjirokastra, një prej qendrave më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare, ku tradita është pjesë e pandarë e identitetit, artistët e Ansamblit do të sjellin ngjyrat, ritmet dhe emocionet e folklorit shqiptar. Rrugëtimi i deritanishëm është shoqëruar me duartrokitje dhe emocione në qytetet ku Ansambli ka performuar.
Fest Folk 2026 dhe turi i ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve i kushtohet traditës, këngës, valles dhe kostumeve popullore.
