Në fillim të viteve ’90, Anthea erdhi në Shqipëri si një nga misionaret e para, pa e ditur se ky vend do t’i ndryshonte përgjithmonë jetën. Vajza nga Zelanda e Re u përball me një vend të varfër, të etur për liri, por edhe të tronditur nga zhvillimet pas rënies së komunizmit. Pavarësisht vështirësive, ajo gjeti në Durrës mikpritjen, bujarinë e njerëzve dhe dashurinë e jetës.
Sot, pas 34 vjetësh, Anthea Ramohitaj mbetet po aq e lidhur me vendin tonë. Nënë e dy djemve të rritur, ajo rikthehet shpesh. I pëlqen të ecë nëpër Durrës, të kërkojë gjurmët e kohës dhe të shohë se si qyteti ndryshon vazhdimisht. Mes takimeve me miq të vjetër e të rinj dhe angazhimit të vazhdueshëm si misionare, qyteti mbetet një vend i dashur kujtimesh.
Sa herë që vjen, ajo jeton me vjehrrën e saj, duke respektuar traditat e familjes shqiptare, ndërsa thotë se për njërin nga djemtë do të donte një nuse shqiptare. Ajo që nisi në vitet e vështira të paskomunizmit, sot është një histori e bukur që vazhdon të jetohet mes rikthimeve plot mall, urave që lidhin dy anët e botës dhe një dashurie që koha vetëm e forcon.
