FC Prishtina po vazhdon investimet në infrastrukturën e klubit në prag të sezonit të ri, duke funksionalizuar një sallë moderne në qendrën stërvitore në Bërnicë.
Klubi kryeqytetas ka bërë të ditur se po punon vazhdimisht në zhvillimin e qendrës stërvitore, ndërsa investimi më i fundit është krijimi i një hapësire të dedikuar për konferenca për shtyp, analiza të ndeshjeve, takime profesionale dhe mbledhje të ndryshme të klubit.
Salla e re është e pajisur me 60 ulëse, Smart TV dhe pajisje bashkëkohore, duke ofruar kushte moderne për punë dhe organizim në nivel profesional. Ky investim konsiderohet një tjetër hap i rëndësishëm në përmirësimin e infrastrukturës së klubit dhe ngritjen e standardeve të punës në të gjitha nivelet.
Ndërkohë, FC Prishtina ka nisur sezonin me ndryshime të rëndësishme në strukturën sportive. Fillimisht, Malsor Gjonbalaj është emëruar udhëheqës i Këshillit Sportiv, ndërsa Mentor Zhdrella ka marrë detyrën e drejtorit sportiv të klubit. Po ashtu, drejtimin e skuadrës e ka marrë trajneri Orges Shehi, me klubin që synon të ndërtojë një projekt konkurrues për edicionin e ardhshëm.
Me investimet në infrastrukturë dhe riorganizimin e sektorit sportiv, FC Prishtina po tregon ambicie të qarta për të ngritur nivelin e funksionimit të klubit dhe për të synuar sukseset në sezonin e ri.
