Mijëra qytetarë u mblodhën në Tiranë në ditën e 21-të të protestës kundër qeverisë së Edi Ramës. Në tubim iu bashkuan edhe pjesëmarrës nga diaspora, të cilët erdhën posaçërisht në mbështetje të revoltës që vijon prej ditësh. Pas fjalimeve, qytetarët nisën marshimin rreth godinës së Kryeministrisë, ndërsa i bënë thirrje Ramës të jaPë dorëheqjen pasi është i rrethuar.
Shumë emigrantë shprehën idenë e qëndresës gjatë gjithë natës para godinës. Më pas ata vijuan marshimin në zona të tjera përreth. “Kryeministër je i rrethuar, jep dorëheqjen”, bënë thirrje ata.
Një thirrje u përcoll edhe për Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), duke thënë se partneri më i madh është populli që ka zbritur në shesh, dhe duke kërkuar hetimin e Edi Ramës. “SPAK partnerin më të fortë e ke në këtë shesh. Belinda Balluku nuk ka vjedhur vetëm. Erion Veliaj nuk ka vjedhur vetëm.
Të gjithë ata që janë sot në burg nuk kanë vjedhur pa Edi Ramën.”, u shpreh një ndër protestuesit. Qytetarët kanë shprehur vendosshmërinë ndaj qëndresës së tyre deri në largimin e kryeministrit Edi Rama, ndërsa ky i fundit deklaroi më herët gjatë ditës së nuk e kishte ndërmend ta bënte një gjë të tillë.
Prania e diasporës në protestë konsiderohet një mesazh solidariteti dhe mbështetjeje për protestuesit, duke treguar se jehona e pakënaqësive qytetare ka kapërcyer kufijtë e vendit dhe ka mobilizuar edhe shqiptarët që jetojnë jashtë.
