Kapiteni i Holandës, Virgil van Dijk, ka larguar frikën e tifozëve pas fitores bindëse (5;1) ndaj Suedisë në Kampionatin Botëror, duke bërë të ditur se problemi fizik që përjetoi gjatë ndeshjes nuk duket të jetë serioz.
Holanda e drejtuar nga Ronald Koeman triumfoi me rezultat të thellë dhe u ngjit në krye të Grupit F, duke hedhur një hap të madh drejt kualifikimit në fazën me eliminim direkt. Pas ndeshjes, Van Dajk vlerësoi paraqitjen e skuadrës së tij. “Ishte një ndeshje e jashtëzakonshme, kishte gjithçka. Duhej të tregonim se çfarë dimë të bëjmë. E analizuam mirë sfidën me Japoninë.
E nisëm shumë mirë dhe luajtëm në nivel të lartë deri te pauza e parë për freskim. Më pas ritmi ra pak, por në pjesën e dytë u rikthyem fuqishëm dhe realizuam pesë gola të bukur. Ishte një paraqitje shumë e mirë nga ana jonë. Kur sheh aq shumë fanella portokalli në stadium, është diçka fantastike”, deklaroi futbollisti.
Gjatë takimit, mbrojtësi holandez mori një goditje të pakëndshme, duke shkaktuar shqetësim te tifozët. Megjithatë, ai siguroi se nuk bëhet fjalë për ndonjë lëndim serioz. “Kjo fitore na jep një shtysë të madhe. Tani duhet të rikuperohemi dhe të përgatitemi për ndeshjen me Tunizinë. Mora një goditje në ijë dhe për një moment nuk e ndjeja kofshën.
Ishte një ndjesi shumë e çuditshme, ndoshta ishte prekur ndonjë nerv. Besoj se nuk është asgjë serioze”, tha Van Dajk me buzëqeshje. Holanda tani shihet si favorite e madhe në përballjen e fundit të grupit kundër Tunizisë, ku synon të vulosë kualifikimin në fazën tjetër të Botërorit.
