Zbardhen detaje të reja nga hetimet për vdekjen e Eglant Koçit, i cili u gjet i pajetë në fshatin Cerrujë pas afro dy javësh kërkime intensive. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se gjatë ekzaminimit paraprak të trupit është konstatuar një dëmtim i rëndë në pjesën e pasme të kokës.
Dyshimet e para janë se bëhet fjalë për një plagë të shkaktuar nga armë zjarri, megjithatë shkaku i saktë i vdekjes do të përcaktohet vetëm pas përfundimit të ekspertizës mjeko-ligjore. Pas gjetjes, trupi është transportuar drejt Institutit të Mjekësisë Ligjore, ku specialistët do të kryejnë analizat e nevojshme për të hedhur dritë mbi rrethanat e ngjarjes.
Viktima u identifikua nga familjarët e tij, pasi efektivët e policisë arritën të lokalizonin trupin në një zonë të izoluar të fshatit Cerrujë. Operacioni i kërkimit u mbështet edhe nga përdorimi i dronëve, të cilët ndihmuan në evidentimin e vendndodhjes së trupit. Sipas burimeve, në momentin kur u gjet, ai ndodhej në një fazë të avancuar dekompozimi.
Eglant Koçi ishte raportuar i zhdukur rreth dy javë më parë nga familja e tij, e cila kishte kërkuar ndihmën e autoriteteve për gjetjen e tij. Ndërkaq, hetuesit po verifikojnë lëvizjet dhe kontaktet e fundit të viktimës, ndërsa në fokus të veprimeve hetimore është edhe Armand Shakaj.
Ky i fundit është shpallur në kërkim dhe konsiderohet nga policia si një prej personave kyç që mund të ndihmojë në zbardhjen e plotë të ngjarjes.
