– Protestuesi: Qeveria e Ramës po rrëzohet, mundëm kulturën e mosbesimit! Diaspora po frymëzon Protesta e qytetarëve hyn sot në ditën e saj të 19-të. Një prej të rinjve, protestuesi Edison Nika, tha sot nga studio e emisionit të “News24” se qytetarët e mundën kulturën e mosbesimit dhe tani po mbushin sheshet për të rrëzuar qeverinë.
Ai shprehu besimin se kjo lëvizje po e largon qeverinë e kryeministrit Edi Rama. Nika nënvizoi se kjo lëvizje “ka arritur tashmë një fitore të madhe shpirtërore, duke thyer skepticizmin e mbjellë prej vitesh në shoqërinë shqiptare”. “Në këtë protestë, për mua mundëm kulturën e mosbesimit fillimisht. Nuk besonim te njëri-tjetri.
Dukej sikur nuk do bashkoheshim kurrë dhe askush nuk rrëzon qeverinë e Ramës”, deklaroi Nika. Më tej, ai theksoi se qëllimi kryesor i kësaj revolte mbetet ndryshimi rrënjësor i situatës në vend dhe ndalimi i shpopullimit. “Ne duam të ndërtojmë një Shqipëri të re. Nuk mund ta quajmë zhvillim kur na ikin shqiptarë me shumicë nga vendi”, u shpreh ai.
Një tjetër pikë kyçe që ka dhënë forcë në shesh, sipas protestuesit, është reagimi dhe mbështetja e jashtëzakonshme që po vjen nga shqiptarët jashtë kufijve, duke e cilësuar këtë si një raport të ri të fituar. “Panorama që vjen nga diaspora më frymëzon, në këtë protestë kemi fituar shumë gjëra, një prej tyre raporti me diasporën.
E dinim që diaspora ishte me ne, ata dërgonin para këtu, por duhet të ndodhte diçka që të ndryshonte një gjë në vendin tonë që të shikonim ndryshimin e raporteve, pikërisht ky me diasporën ka ndryshuar dhe e kemi kuptuar sa afër janë me ne.
Ka pasur protesta deri në Australi dhe shërbejnë si model frymëzimi për ne”, tha ai. – “Qytetarët e kanë vendosur, Rama të japë dorëheqjen” – Shehaj: Parlamenti të shkrihet dhe të shkojmë në zgjedhje të parakohshme Kreu dhe deputeti i Partisë “Mundësia” theksoi se dorëheqja e Edi Ramës si kryeministër është e pashmangshme, teksa komentoi protestat masive të qytetarëve kundër qeverisë.
Në një komunikim me gazetarët para Kuvendit, deputeti theksoi se diskutimi nuk është më nëse Rama do të largohet apo jo, por se sa do të durojë ai dhe do të mbrohet nga deputetët e tij. Sipas Shehajt, qytetarët janë të vendosur në vijimin e protestave deri në largimin e kryeministrit. Shehaj shtoi se parlamenti duhet të shkrihet dhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme.
“Presin që të vijë Rama nga pushimet, Rama po bredh nëpër Evropë ndërkohë që qytetarët protestojnë se duan që ai të japë dorëheqjen. Presin që të vijë ai dhe të bëjnë votat për të aprovuar ligjin për amnistinë penale.
Ka shumë gjasa që të fusin ndonjë amendament ku të përfshijnë aty edhe amnistinë për të korruptuarit, të dënuarit nga GJKKO, në këtë rast edhe ballukun dhe të akuzuarit e tjerë për korrupsion. Sepse këta këtë hall kanë si t’i shpëtojnë drejtësisë. Qytetarë e kanë vendosur se Rama do të japë dorëheqjen.
Nuk ka më diskutim do të japë apo jo, por edhe sa ditë do të durojë aty dhe sa do vazhdojë të mbrohet nga deputetë aty. Një mesazh për protestuesit, se diskutimi është se çfarë do ndodhë pas largimit të Ramës.
Për të gjithë ata që e shikojnë shpëtimin tek një qeveri e mundshme teknike apo tranzitore nuk ka asnjë shans që të ndodhë se ata që janë në parlament nuk kanë për të votuar kurrë një kryeministër të ndershëm. Mund të zgjedhin më të mirin, por ata janë aty për tu shërbyer të korruptuarve, Ramës, Ballës, oligarkëve dhe krimit. E vetmja zgjidhje janë zgjedhjet e parakohshme.
Duhet që parlamenti të shkrihet dhe të zgjidhen njerëz që përfaqësojnë qytetarët. “, u shpreh ai. – “Revolta ka arritur kulmin e saj”- Dita e 19-të e protestës kundër qeverisë, flasin dy aktivistët nga Londra dhe Suedia Protesta dhe revolta e qytetarëve ka ndërgjegjësuar mbarë opinionin shqiptar kudo në botë.
“Revolucioni Flamingo” ka hyrë sot në ditën e 19 të tij dhe përveç tubimeve madhështore antiqeveritareqë janë mbajtur në Tiranë dhe qytete të tjera, një organizim si asnjë herë më parë është parë dhe në shtete të ndryshme ku jetojnë shqiptarë. Kësaj proteste i janë bashkuar edhe qindra aktivistë.
Aktivistët Stavri Pashko dhe Tomor Kokona, specifikisht nga Suedia dhe Londra, të ftuar në lidhje direkte me studion e “News24”, thanë se në këto vende shihet një organizim i jashtëzakonshëm dhe arsyeja pse ata janë bashkuar është solidariteti me rininë shqiptare. “Ne në Londër kemi në plan të protestojmë të shtunën dhe të dielën.
Javën e kaluar numrat u dyfishuan, ka një organizim të jashtëzakonshëm vullnetar. Revolta ka arritur kulmin e saj. Ne mbështesim rininë shqiptare që ta drejtojë atë vend. Shifrat e përafërta janë diku te 100 mijë shqiptarë. Javën e kaluar para ambasadës shqiptare u mblodhën deri në 600 persona”, tha Kokona mes të tjerash.
Kurse aktivisti Pashko tregoi për organizimet popullore në vendin ku jeton dhe se planifikohen protesta në qytete të tjera. “Në Suedi jemi më pak shqiptarë dhe nuk ka regjistrime të etnicitetit. Jemi diku te 25-30 mijë shqiptarë së bashku me ata të Kosovës. Po planifikohen protesta në qytete të ndryshme.
Në Malmo iu bashkova grupit organizues si një shqiptar që jeton këtu prej 15 vitesh në shenjë solidariteti. Prisja numër më të vogël, por organizatorët bënë punë shumë të mirë, morëm pjesë rreth 100 persona”, deklaroi Stavri Pashko. – Sot protesta e 19-të, mijëra qytetarë në sheshe e rrugë për largimin e qeverisë Për të 19-tën ditë radhazi mijëra qytetarë do të zbresin në sheshe dhe rrugë, duke protestuar ndaj qeverisë dhe politikës shqiptare në tërësi.
Në qendër të kërkesave të protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe largimi i kabinetit qeveritar. Megjithatë, kritikat nuk drejtohen vetëm ndaj mazhorancës.
Gjatë tubimeve të fundit janë artikuluar vazhdimisht qëndrime kundër opozitës tradicionale, ndërsa slogani “Opozita jemi ne” është kthyer në një nga mesazhet më të spikatura të protestës, duke reflektuar pakënaqësinë ndaj partive të vjetra politike dhe kërkesën për një përfaqësim të ri qytetar.
Organizatorët kanë bërë të ditur se protesta do të nisë në orën , një orar i përshtatur për shkak të temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin gjatë ditëve të fundit.
Edhe protesta e një dite më parë u shoqërua me pjesëmarrje të konsiderueshme, ku mijëra qytetarë mbushën sheshin përpara Kryeministrisë dhe marshuan në rrugët kryesore të kryeqytetit, duke vijuar kështu serinë e tubimeve të përditshme kundër qeverisë dhe establishmentit politik.
