​Nga sfidat te triumfi, libri që zbulon rrugëtimin e Majlinda Kelmendit

0%

Në kuadër të Panairit të Librit “Prishtina 2026”, autorja Teuta Berisha ka prezantuar librin biografik “Unë jam Majlinda Kelmendi”, një projekt të cilin ajo e ka cilësuar si shumë të dashur dhe të veçantë, si për të ashtu edhe për Shtëpinë Botuese Albas.

Majlinda Kelmendi ka bërë të ditur se libri përfshin detaje të veçanta nga karriera e saj, duke zbuluar momente të panjohura më parë për publikun, përfshirë sfidat personale dhe profesionale që kanë shënuar rrugëtimin e saj drejt suksesit olimpik.

“Realisht ky nuk është libri i parë që është shkruar për Majlinda Kelmendin, por është hera e parë për mua që po e përjetoj një ngjarje të tillë, jam shumë e lumtur që këtë ditë u gjenda në Kosovë, pata kohë me ardhë me taku të gjithë juve, sidomos fëmijët, ky libër përmban një pjesë, mund të them ndoshta jo krejt, sepse e kam pasur një karrierë të bujshme 20-vjeçare, mirëpo jemi mundu sa do që kemi mundur me i përmbledhë të gjitha momentet, ndoshta mos të them të këqija, por të vështira dhe të bukura që i kam pasur gjatë karrierës”, tregoi Majlinda.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Autorje e librit, Teuta Berisha theksoi se libri sjell një dimension ndryshe të historisë së kampiones olimpike, duke e përshtatur rrëfimin për fëmijë dhe duke e shkruar në vetën e parë. Sipas saj, qëllimi kryesor ka qenë që lexuesit e vegjël të njohin jo vetëm sukseset e Majlindës, por edhe sfidat dhe sakrificat që ajo ka kaluar për të arritur majat e sportit botëror.

“Ky libër është një projekt shumë i dashur për mua dhe një projekt shumë i veçantë për Albasin, për shkak se e kemi sjellë një dimension tjetër të historisë së kampiones tonë olimpike, të përshtatur për fëmijë dhe në vetën e parë.

Qëllimi im ka qenë që fëmijët të njohin jo vetëm sukseset dhe triumfet e Majlinda Kelmendit, por edhe sfidat, sakrificat të cilat i ka pasur për t’ia arritur deri te suksesi i saj kulminant. Libri përmban mesazhe të ndryshme.

Majlinda Kelmendi e ka zhvilluar karrierën e saj bashkë me rritjen e shtetit të Kosovës çdo etapë që ka kaluar shteti i Kosovës e ka kaluar edhe Majlinda, e cila ka bërë përpjekje të shumta dhe ka shërbyer si shembull për ndërkombëtarizimin e sportit”, u shpreh Berisha.

Autorja, njëherësh ligjëruese në Universitetin e Prishtinës, foli gjithashtu edhe për mesazhin kryesor që dëshiron ta përçon tek lexuesit si dhe gjithashtu rëndësinë e gazetarisë sportive, duke nënvizuar se ky libër mund të shërbejë si frymëzim për studentët dhe gazetarët e rinj që të trajtojnë sportin përtej lajmeve dhe reportazheve, duke sjellë përmbajtje më të thelluara.

“Me e dashtë vendin tënd, mos me u dorëzu përballë sakrificave ka mesazhe edhe për shëndetin mendor. Ndërsa unë, si vetë autore që jam dhe si ligjëruese në UP, që kam pasur përvojë me studentët e gazetarisë sportive, kam parë një pasion shumë të madh tek ta për të shkruar për sportin, por gazetaria sportive asnjëherë nuk merret si fushë serioze e gazetarisë, kështu që le të shërbejë ky libër ndoshta si frymëzim për krejt ata studentë që tashmë janë gazetarë, për të vazhduar të shkruajnë për sportin, jo veç reportazhe dhe lajme, por të vijnë edhe me përmbajtje të tjera”, përfundoi Berisha.

Promovimi dhe nënshkrimi i librit u mbajt në stendën e Shtëpisë Botuese Albas në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, ku kampionja olimpike u takua dhe bashkëbisedoi me lexues dhe media, në një aktivitet që ngjalli interes të madh në kuadër të edicionit të 26-të të panairit.

Burimi: Bota Sot