Njësitet Anti Kontrabandë të Doganës së Kosovës kanë realizuar një aksion në tri lokacione të ndryshme në rajonin e Prishtinës, në kuadër të aktiviteteve të vazhdueshme për luftimin e kontrabandës dhe tregtisë së paligjshme.
Sipas Doganës së Kosovës, gjatë kontrolleve të kryera janë zbuluar dhe sekuestruar gjithsej 33,000 njësi të produkteve të duhanit të ngrohur të markës TERREA, të cilat përdoren në pajisje elektronike për ngrohjen e duhanit. Po ashtu, është sekuestruar edhe një pajisje elektronike për përdorimin e këtyre produkteve.
Vlera e përafërt e mallit të sekuestruar vlerësohet të jetë rreth 12 mijë euro. Dogana e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe tregtisë së paligjshme, me synim mbrojtjen e ekonomisë së vendit, garantimin e konkurrencës së drejtë në treg dhe ruajtjen e të hyrave buxhetore të Republikës së Kosovës.
