Në shënim të 27-vjetorit të Ditës së Çlirimit të Podujevës, ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë kujtuar rrugëtimin e luftës, hyrjen e forcave çlirimtare në qytet dhe sakrificën e dëshmorëve për lirinë e vendit. Ish-ushtari i UÇK-së, Rafet Llapashtica, tha se Zona Operative e Llapit, ka pasur fokus të rëndësishëm në hyrjen e forcave çlirimtare në Prishtinë dhe Podujevë.
Llapashtica: Sot Podujeva duket krejt ndryshe “Zona Operative e Llapit, kryesisht është futur në dy qytete që i ka pasur si fokus, kryeqytetin – më 11 qershor batalioni i Gardës i udhëhequr nga komandanti, atëherë i batalionit të pestë Gardist Ajet Potera, kemi qenë në përcjellje të komandantit të zonës, Rrustem Mustafa, që kemi hyrë në kryeqytet me datën 11 qershor.
Kurse në qytetin e Podujevës, më 19 qershor, domethënë ka hyrë brigada 152 “Shaban Shala”, e udhëhequr nga komandanti Arif Muçolli, atëherë si komandant i brigadës. Është e vërtetë që sot Podujeva duket krejt ndryshe.
Në atë periudhë ka pasur edhe më pak qytetarë, për arsye se shumica e qytetarëve, disa i ka shpërngulur pushtuesi, disa kanë qenë të koncentruar kryesisht në fshatin e Shajkocit, që kanë qenë edhe të rrethuar.
Por, sido që të jetë, Kosovën sot, edhe Podujevën në veçanti, e shohim ndryshe, duke filluar që shohim qytetarë plot që ndihen të lirë, edhe liria i ka sjellë vlerat e veta.”, tha Llapashtica. Duke folur për luftën dhe bashkëpunimin me aleatët ndërkombëtarë, Llapashtica tha se drejtësia e kauzës së UÇK-së ishte arsyeja që NATO-ja mbështeti popullin e Kosovës.
Llapashtica: Lufta ka qen e drejtë, përndryshe nuk do kishim mbështetjen e NATO-s “Është e vërtetë që, si në 19 qershor të vitit ’99, po ashtu në këtë 19 qershor të vitit ’26, domethënë rrugëtimet edhe mungesat e njerëzve nuk na bëjnë që ne të ndihemi aq gëzueshëm.
Nuk po mundemi me qenë të përmbushur me gëzimin, kurse sa i përket kontributeve, besoj që çdo luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe çdo familje patriotike e këtij vendi është e përmbushur me punën që e kanë kryer. Ne e kemi arritur qëllimin tonë.
Normal që në bashkëpunim edhe me aleancat që i kemi krijuar me NATO-n, për arsye se puna jonë ka qenë e drejtë, lufta jonë ka qenë e drejtë, qëllimi jonë ka qenë i vendosur, sepse përndryshe edhe NATO në atë kohë nuk na kishte përkrahur. Luftërat fitohen me aleanca.
Ne jemi shumë krenarë që kemi arritur ta bindim edhe botën demokratike, por edhe forcën ndërkombëtare, të vetmen NATO-n që të jetë me neve dhe jo kundër neve.” , tha Llapashtica. Llapashtica kujtoi edhe momentet e tërheqjes së forcave serbe nga Podujeva dhe Kosova, duke theksuar se luftëtarët e UÇK-së dhe NATO-ja monitoruan nga afër procesin pas Marrëveshjes së Kumanovës.
Llapashtica:Ushtria Çlirimtare e ka mbajtur besimin e vet tek miqtë ndërkombëtarë “Data e fundit, 19 qershori ’99, domethënë ka qenë dalja përfundimtare e trupave serbe.
Domethënë, ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës edhe trupat e zonës operative të Llapit, domethënë që nga Prishtina, me një monitorim të përbashkët me NATO-n e kanë përcjellë tërheqjen e trupave serbe dhe kanë qenë në një lloj mbikëqyrje.
Është e vërtetë që kemi pasur një mesazh të qartë atëherë edhe nga KFOR-i apo trupat e NATO-s që të përmbahemi në sulmet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës. Por, po mendoj që Ushtria Çlirimtare e ka mbajtur besimin e vet tek miqtë e vet ndërkombëtarë.”, tha Llapashtica. Ndërkaq veterani dhe veprimtari Vehbi Balaj, kujtoi ditën e hyrjes në Podujevë pas çlirimit.
Balaj: Liria erdhi fal atyre që sakrifikuan “Kam plot emocione sepse bashkë këtë ditë kam ardhur prej zonës së Drenicës. Unë kam qenë pjesë e Drenicës. Edhe kam ardhur me shoqen, e kam prurë këtu, kam takuar arsimtarë, ka ardhur prej Sfeqlës, të gjithë me karroca, me sungjerë e me sende.
Edhe para kuvendit të komunës e kam takuar komandantin Kadri Kastratin, ndjerin Sulejman Gashin, edhe ka ardhur një tank i KFOR-it atëherë. Ka qenë një serbosllav prej Sircici, ka prurë çelësat e komunës, e Kadri Kastrati ia ka marrë dhe i ka dhënë afat 10 minuta me lëshuar territorin e komunës sonë. Edhe kemi hyrë në komunë dhe me dy ushtarë kemi shiku a ka ndonjë send të rrezikshëm aty.
Pastaj kanë filluar qytetarët me ardhur. Kjo pjesa e Dumincës nuk ka qenë ende e çliruar, por kjo pjesa jugore po. Ka qenë kënaqësia më e madhe që e pritëm. Falë të gjithë atyre që kanë rënë në të gjitha periudhat, por edhe luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.” , tha Balaj.
Duke kujtuar momentet e largimit të forcave serbe, ai tha se çlirimi erdhi më shpejt sesa kishin pritur ushtarët në terren. “Këtë ditë e pres edhe e ndjej veten krenar para fëmijëve të mi, që në kohët më të rënda, në luftën më të madhe që ka pas ndonjëherë shqiptaria, nuk kam ndenjur duarkryq.
Jam përpjekur të bëj diçka për çlirimin e Kosovës e posaçërisht për Llapin, që kemi qenë zonë kufitare, me mbi 120 km kufi. Edhe është karakteristikë që në Llap nuk kemi asnjë shtëpi serbe. Jemi prej komunave të pastra, përjashtim që kemi minoritetin ashkali dhe rom. UÇK-ja u ka dalë në mbrojtje ashkalinjve që sot e gëzojnë lirinë barabar me mua e ndoshta edhe më tepër se unë.”, tha Balaj.
Në fund, Balaj tha se ndihet krenar për kontributin e dhënë gjatë luftës dhe për pjesëmarrjen në përpjekjet për çlirimin e Kosovës. Dita e Çlirimit të Podujevës u shënua me homazhe, aktivitete përkujtimore dhe organizime kulturore në nderim të dëshmorëve, veteranëve dhe të gjithë atyre që kontribuuan për lirinë e Kosovës.
