Nga: Shaban Maxharraj Shpërndaje në: Kërkesës për vëmendje më të madhe ndaj librit e leximit, në ceremoninë e hapjes së edicionit të 26-të të Panairit të Librit në Prishtinë i është shtuar edhe refreni për hapësira më të denja për ngjarje të tilla kulturore. Titujt ndërrojnë, por jo edhe kushtet në të cilat mbahet Panairi tash e 26 vjet. Panairi konsiderohet festë, sivjet asaj i janë bashkuar më pak botues, përfaqësues institucionesh kanë përsëritur mesazhet për peshën e leximit dhe premtimet e kahershme. Motoja sivjet është “Libri hap botën” dhe një thirrje si kjo vjen si kontrapunkt ndaj hovit në epokën digjitale Është ngjarja më e madhe e librit në vend me gjithë tkurrjen e sivjetme. Në platenë e Pallatit të Rinisë kësaj radhe nuk ka shtande. Nga rreth 100 botues që ishin të përvitshëm, në këtë edicion janë stacionuar veç rreth 60. Edhe shtëpi të mëdha botuese janë tkurrur duke bashkuar forcat në shtande të përbashkëta. Panairi i Librit në Prishtinë po kalon në njëfarë tranzicioni. S’është më si një librari e madhe por më shumë një festë e kurorëzim i punës njëvjeçare të botuesve. Me gjithë zvogëlimin mbahet në kushte aspak të denja. Kërkesës për vëmendje më të madhe ndaj librit e leximit, në ceremoninë hapesë i është shtuar edhe ajo për hapësira më të mira për ngjarje të tilla kulturore. Me rreth dy mijë tituj të rinj e 6 mijë tituj të botuar në vitet e fundit, në mesditën e së mërkurës ka hapur dyert edicioni i 26-të i Panairit të Librit në Prishtinë. Nën moton “Libri hap botën”, ekspozita e librit për pesë ditë pritet të ketë rreth 30 mijë vizitorë dhe të jetë vendtakim i madh midis botuesve, shkrimtarëve, përkthyesve e lexuesve. “Ëndërrojmë ditën kur Prishtina dhe Kosova do të kenë një hapësirë moderne…” Sipas kryetarit të Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli, libri është porta drejt botëve të panumërta, udhëtimi përtej kohës dhe hapësirës, mundësia për të mësuar, për të reflektuar e për të komunikuar me mendjet më të ndritura që ka njohur njerëzimi. “Qoftë përmes letërsisë, si forma më kreative e shprehjes njerëzore, qoftë përmes veprave studimore e diskursive, libri mbetet mjeti më i fuqishëm i formimit të njeriut. Po aq të rëndësishëm janë librat për fëmijë, sidomos ata që nxisin kureshtjen, imagjinatën dhe krijimtarinë. Në këtë kohë kur ekranet po e marrin gjithnjë e më shumë vëmendjen e brezave të rinj, libri mbetet ftesa kryesore për t’u rikthyer te mendja që mendon, rezonon dhe krijon”, ka thënë ai. Në këtë rast ka shtuar se mësimet e para fillojnë në familje. Por sipas tij, kur institucionet e vendit i japin vëmendjen e duhur librit dhe kulturës, mesazhi që përcillet është i qartë: libri është i domosdoshëm për secilin anëtar të shoqërisë. S’ka munguar kërkesa për hapësira më të denja. “Ëndërrojmë ditën kur Prishtina dhe Kosova do të kenë një hapësirë moderne dhe të denjë për organizimin e panaireve, ekspozitave dhe ngjarjeve të mëdha kulturore e artistike. Potenciali krijues i këtij vendi është shumë më i madh sesa hapësirat që kemi në dispozicion. Andaj, lutja ime e sinqertë për ata që kanë mundësinë ta bëjnë këtë realitet është e thjeshtë: jepini Kosovës një qendër moderne për kulturën dhe panairet. Jam i bindur se përfitimet që do t’i sjellë shoqërisë sonë do të jenë shumëfish më të mëdha se çdo investim i bërë”, ka thënë ai. Panairi si zakonisht mbahet në atë që është Salla e Kuqe e Atelieja e Pallatit të Rinisë. Atelieja është pjesë e hapësirave që i ka me qira Filharmonia e Kosovës e që shfrytëzohet edhe nga Opera e Kosovës. Institucioni i Operës – që është njëfarë agjencie operistike pa ansambël të vetin – është dashur të zhvendoset në qendrën kulturore të katedrales “Bogdani Polis” për t’i vazhduar provat në mënyrë që Panairit të mos i mungojnë hapësirat. Zeneli në cilësinë e organizatorit ka thënë se libri këto ditë do të jetë kryefjala dhe Panairi i Librit vendtakim i përbashkët për dijen, kulturën dhe dashurinë për leximin. “Potenciali krijues i këtij vendi është shumë më i madh sesa hapësirat që kemi në dispozicion. Andaj, lutja ime e sinqertë për ata që kanë mundësinë ta bëjnë këtë realitet është e thjeshtë: jepini Kosovës një qendër moderne për kulturën dhe panairet”, ka thënë kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli (Foto: Driton Paçarada) “Leximi kërkon ndërgjegjësim të përbashkët” Albulena Haxhiu si ushtruese e detyrës së presidentit të Kosovës ka thënë se leximi është një nga mënyrat e para si njeriu mëson të kuptojë botën dhe veten. Sipas saj, një fëmijë që lexon me vëmendje, mëson ta ndjekë mendimin deri në fund dhe ta dallojë të vërtetën. “Mëson të bëjë pyetje, të krahasojë, të mos ngutet për përfundim. Mëson se jo çdo fjalë që tingëllon e sigurt është e vërtetë. Një qytetar që lexon e kupton më mirë lajmin, e kupton më mirë ligjin, premtimin politik, kontratën, historinë, dokumentin zyrtar dhe të drejtën e vet. Ai apo ajo ka më shumë mundësi të mendojë me kokën e vet, të kuptojë atë që i thuhet dhe të mos mbetet i varur nga të tjerët”, ka thënë ajo. Sipas Haxhiut, leximi po përballet me rënien e vëmendjes nga shpërqendrimi i ekranit e me një ritëm jete që e përjetojnë të gjithë pa përjashtim. “Por fakti që kjo po ndodh edhe diku tjetër, nuk e bën çështjen më pak të rëndësishme për ne. Përkundrazi. Na tregon se duhet të veprojmë me forcë, por edhe me mençuri. Jo duke e fajësuar njëri-tjetrin, por duke e pranuar se leximi kërkon ndërgjegjësim të përbashkët, por po ashtu edhe punë të koordinuar”, ka thënë ajo. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se një popull që lexon ndërton institucione më të forta, shtete më stabile dhe shoqëri më të drejta. “Ai e kupton se demokracia nuk mbrohet vetëm me ligje, por me vetëdije. Një popull që lexon e mbron historinë e tij, sepse e njeh atë. Nuk lejon që ajo të shtrembërohet, të harrohet apo të shkruhet nga të tjerët. Ai e kupton se identiteti dhe kujtesa e përbashkët janë themeli mbi të cilin ndërtohet e ardhmja”, ka thënë ai. Sipas Ramës, mbi të gjitha, një popull që lexon zhvillon sensin e progresit e zhvillimit. “Ai nuk ka frikë nga idetë e reja dhe nuk e sheh dijen si privilegj, por si të drejtë dhe përgjegjësi. Prandaj, çdo libër i blerë sot nuk është vetëm një investim për një individ, por një investim për një shoqëri më të lirë, më të arsimuar dhe më të fortë”, ka thënë i pari i Prishtinës. Ministria e Kulturës dhe Turizimit në ceremoninë hapëse të Panairit është përfaqësuar nga zëvendësministrja Nora Arapi-Krasniqi. Ajo ka thënë se libri mbetet një prej institucioneve më të rëndësishme të kulturës dhe dijes njerëzore. “Përmes tij ruhen dhe përcillen kujtesa historike, përvojat kolektive dhe idetë që formësojnë shoqëritë tona. Në një kohë të karakterizuar nga ritmi i shpejtë i informacionit dhe komunikimit, libri vazhdon të mbetet një hapësirë e pazëvendësueshme e reflektimit, mendimit kritik dhe dialogut të mirëfilltë intelektual”, ka thënë Arapi-Krasniqi. Shtëpitë botuese janë bërë gati për të qenë në shërbim të vizitorëve deri të dielën kur edhe mbyllet ngjarja. Botimet KOHA sivjet në ngjarjen e librit sjell 120 tituj, e zbritjet arrijnë deri në 90 për qind (Foto: Driton Paçarada) “Ajo çka shoh këtu është buzëqeshja…” Sivjet i ftuar i nderit është shkrimtari italo-francez Francesco Rapazzini. Sipas tij disponimi që krijon një panair te të pranishmit është gjë që duhet vlerësuar. “Ajo çka shoh këtu është buzëqeshja. Atë që nuk e shoh për çdo ditë në vendin ku jetoj. Të shkruarit është një profesion shumë i vetmuar. Njeriu është shumë i vetmuar kur shkruan, është i mbyllur në shtëpinë e vet. Dhe çasti kur boton dhe nuk është gjithmonë e lehtë të arrish të botosh, por kur boton dhe shkon në takimin me një lexues, me një lexues të mundshëm, ai është momenti i përmbushjes së një mundi, të një lodhjeje, të një bote të brendshme që mund ta ndash me të tjerët”, ka thënë ai. Sivjet Panairi do të ketë rreth 20 ngjarje, ndër të cilat bëjnë pjesë edhe 200-vjetori i lindjes së Gavril Darës së Ri, 100-vjetori i lindjes së njërit prej disidentëve më të mëdhenj në letërsinë shqipe, Kasëm Trebeshinës, si dhe 90-vjetori i lindjes së Ismail Kadaresë, Rexhep Qosjes e Adem Demaçit. Shtëpitë botuese janë bërë gati për të qenë në shërbim të vizitorëve deri të dielën kur edhe mbyllet ngjarja. Botimet KOHA sivjet në ngjarjen e librit sjell 120 tituj. Prej tyre, gjashtë janë të rinj, botime ekskluzive për Panairin e Librit. “Rrëfimi për kufijtë e Luginës së Preshevës” me autor Skënder Latifin, “Përmbytja” nga Granit Zela, “Jugosllavija i Kosovo” i Azem Vllasit, “Një amerikane në Kosovë” i Janet Reineck, vepra “Thesaret e humbura” e Muharrem Blakajt dhe “Ikja si shpëtim” e Ibrahim Kadriut janë veprat e reja me të cilat Botimet KOHA prezantohen gjatë ditëve të Panairit. Sikurse viteve të kaluara, edhe sivjet kjo shtëpi botuese vjen me çmime speciale. “Marrëdhënia jonë me lexuesin është tejet e afërt. Ofrojmë vepra të fushave të ndryshme dhe për të gjitha gjeneratat, duke nisur nga fëmijët deri te lexuesit e pasionuar të romaneve, për të kaluar te studiuesit”, ka thënë Fidan Imeri, menaxher i Botimeve KOHA. Sipas tij, zbritja e çmimeve në ditët e Panairit sivjet shkon përtej çdo norme. “Ne kemi vendosur një standard që çdo vit të kemi deri në 70 e 80 për qind zbritje. Por sivjet shkojmë deri në 90 për qind. Kemi vepra monumentale që mund të blihen me tre, katër e pesë euro. Kjo është një politikë që ndjekim për të qenë sa më afër lexuesve. Derisa inflacioni rritet, ne mundohemi në çdo formë të kontribuojmë që libri të jetë i përballueshëm për lexuesit”, ka thënë ai. Tkurrja e numrit të botuesve pjesëmarrës, për organizatorët është tregues se tashme shtëpitë botuese janë fokusuar në veprimtarinë botuese që zhvillojnë. Nga viti në vit, bie në sy se tregu i librave për fëmijë është duke u zgjeruar. Kryesisht me përkthime e libra ilustrativë. Në ditën e parë të Panairit s’është vërejtur ndonjë fluks i madh i vizitorëve. Por zakonisht ditët e fundit të javës janë ato kur blerës e lexues e kanë destinacion ngjarjen e librit.
