…Kemi lënë pas Urën e Milotit, këtë monument historik dhe kulturorë të ndërtuar në kohën e Mbretit Zog, në vitin 1927 dhe që për ironi të fatit është në gjendje të mjeruar, megjithse fondet për riparimin e saj janë derdhur dhe po udhëtojmë përgjatë Luginës së Fanit drejt fshatit Domgjon, ku do të organizohet festa e Shën Barnabës – Shmarramejit, mes banorëve të fshatit dhe miqëve të ardhur nga fshatra e krahina të ndryshme. Së bashku me poetin dhe studiuesin Llesh Ndoj dhe noterin e mirënjohur Vasil Martini nga Lezha, po shijojmë bukuritë e luginës së mrekullueshme të Fanit dhe panoramën natyrore të këtyre anëve, të cilat kanë tërhequr vëmendjen dhe interesimin e shumë udhëtarëve të huaj gjatë viteve të kaluara dhe në ditët tona. Na duhet të theksojmë se pamja është disi e zymtë, kur sheh urën e Matit jashtë funksionit, numrin e madh të makinerive që përpunojnë inerte gjatë bregut të dy lumenjve Mat e Fan, duke u bërë një rrezik serioz për të përmbytur tokat dhe fshatrat dhe dëmtuar urat si mjete lidhëse për krahinat e Shqipërisë. Prandaj edhe bisedat tona gjatë udhëtimit drejt fshatit Domgjon, u kushtohen këtyre problemeve që shqetësojnë mbarë opinionin publik. Në Rubik, na tërheq vemendjen skeleti i mbetur dhe rrenojat e Uzinës së njohur të Bakrit, kunturet e së cilës dallohen endë në dy brigjet e Fanit, atje ku shkrihej ai dhe pastaj perpunohej për të prodhuar floririn, mbi këtë tokë të pasur me një popull që jetonte në varfëri, dhe për ironi të fatit edhe sot pas kaq vjetësh, pak gjëra kanë ndryshuar. Shihet kjo nga fytyrat e zymta të njerëzve, papunësia e lartë, nga mungesa e fuqisë blerëse etj, megjithëse buzë Rrugës së Kombit pamë shumë njësi tregtare, numri i klientëve që blinin produkte ushqimore ishte tepër i kufizuar. – S’ka si ndodh ndryshe, – thotë poeti dhe gazetari Llesh Ndoj, kur njerëzit janë të pa punë, të rinjtë po largohen nga vendlindja, fuqia punëtore po bie çdo ditë, nuk ka rritje rrogash dhe pensionesh. Ç’mund të bëjë një popull kur ndodhet në këto kushte? – Bukur e ke argumentuar, – shton Vasil Martini, pikërisht këto janë arësyet kryesore që rinia shqiptare po proteston tash pesëmbëdhjetë ditë. Ndërkohë kemi arritur në Blinisht, në afërsi të Repsit, pikërisht aty ku biznesmeni i suksesshëm Gjokë Tushaj ka ngritur një rrjetë njësishë tregtare dhe dy karburante në të dy anët e rrugës nacionale për t’u shërbyer udhëtarëve dhe turistëve të shumtë që vijnë nga Kosova, Maqedonia e veriut dhe mbarë Evropa për të shijuar bukuritë e natyrës, historinë, bujarinë dhe mikpritjen shqiptare. Ndërsa kamarieri ofrohet të marrë porosinë, në tavolinën tonë vjen plot buzëqeshje pronari i kompleksit z. Gjokë Tushaj, i cili na uron mirëseardhjen. Biseda me të rrjedh natyrshëm, bisedojmë për të kaluarën, për vështirësitë dhe pengesat që duhen kapercyer në ditët e sotme për të ndërtuar një biznes të suksesshëm siç e ka ndërtuar ai. Më mbetën në mendje fjalët e tij, mendimet që shprehte, gjykimet për të sotmen, vështirësitë që ka kaluar për të ndërtuar atë mrekulli, mu në luginën e Fanit, ku dikur mezi kalonin njerëzit për të shkuar në fshatrat e zonës. – Gjithë këtë punë e kam bërë me shumë vështirësi, – na thotë Gjoka, – netë të tëra pa gjumë, luftë dhe përpjekje për të arritur këtu ku jam sot. Për të ndërtuar një biznes, nuk është shumë e vështirë, – shton ai, – po më vështirë është për t’a mbajtur atë, prandaj puna do njeriun. Të bën pështypje mënyra e të folurit, komunikimi me klientët, por edhe respekti dhe bujaria që Gjoka i reflekton çdo ditë me klientët dhe punonjësit e tij. – Këtu jemi në Bargjanë, – na thotë Lleshi, i cili i ka shetitur me pëllëmbë këto anë, pasi ka punuar si drejtues ekonomie disa vite. Ȅshtë vend historik, sepse pikërisht këtu është zhilluar një betejë e fanasve të prirë nga Preng Tuc Doda me forcat serbe, – shton ai. Nga pikëpamja natyrore, ky peisazh gjeografik më ngjante me grykën e Termopileve, dhe në kujtesën time u ndërtua beteja e Termopileve, ku 300 forca spartane me Leonidhën në krye, luftuan për tre ditë me radhë kundër ushtrisë perse, deri sa ranë të gjithë për mbrojtjen e atdheut. Kështu kishte ndodhur edhe në Bargjanë, në atë grykë të ngushtë, mes shkëmbinjëve të së cilës gjarpëronte me rrëmbim lumi i Fanit. Uji i tij i kristaltë më ngjasoi me kaltërsinë e Valbonës së bukur. Kemi lanë rrugën e Kombit dhe jemi kthyer drejt qendrës së Fanit. Aty ku dikur kishte lëvizje dhe gjallëri, sot zor se sheh njerëz të lëvizin, veç ndonjë restoranti të ndërtuar në anë të rrugës, që për hir të së vërtetës pak klientë kishte brenda. Përballë nesh, ngrihej madhështorë mali legjendar i Munellës, në pjesën e sipërme tërësisht shkemborë, ndërsa në këmbë të tij pushtohej nga gjelbërimi. Në bjeshkët e tij, dikur kishte gjallëri, sepse malësorët mirditas çdo verë dërgonin lart në stane tufat me bagëti. – Megjithëse është terren i vështirë, kam dalë disa herë në bjeshkët e Munellës si çoban me tufën e bagëtive, – na thotë Lleshi. Noter Vasili mrekullohet me bukuritë e kësaj zone, madje në bisedë e sipër sugjeron që këto troje të mos mbetën të heshtura, sidomos gjatë periudhës së verës. – Një shtëpi e vogël, në mes të gjelbërimit, mes pemëve, rrethuar me lëndina me bar të njomë, mund të ndikoje pozitivisht edhe në rritjen dhe edukimin e fëmijëve, e sidomos në argëtimin e tyre, – sugjeron ai. Ndërkohë kemi marrë rrugën drejt fshatit Domgjon, i njohur për bukuritë e tij natyrore, gjelbërimin dhe larminë e pemëve, për banorët e tij besnikë, bujarë dhe mjaft punëtorë. Ndonëse rruga nuk është krejt e asfaltuar, banorët e këtyre anëve e kanë mirëmbajtur dhe kujdesen çdo moment për të. Në dy anët e rrugës të tërheqin vëmendjen pemët e shumta, plym me kokrra. Aty sheh kumbulla, thana, mollë, dardha, arra, hardhia rrushi dhe qershia, të cilat sapo ishin pjekur. Nuk mund t’i rezistojmë tundimit, prandaj Lleshi si vendali, ndalon makinën dhe na fton të hamë ca qershi Domgjoni të shijshme dhe mjaft të ëmbla. Madje na habit fakti që disa fshatarë, siç na tha Lleshi, i mbledhin dhe prodhojnë raki qërshie, por vendin e parë këtu e zinte rakia e thanës. Kemi kaluar qendrën e fshatit dhe jemi drejtuar për tek objekti historik më i njohur, jo vetëm në Domgjon, por në të gjitha trojet shqiptare. Bëhet fjalë për Gurrën e Lashtë të Domgjonit, vendosur në krye të fshatit. Ishte propozim dhe dëshirë e Vasil Martinit t’a vizitonte këtë objekt me vlera historike. Numri visitorëve ishte i shumtë, ndoshta edhe për faktin se në qendër të fshatit po organizohej festa e Shën Barnabës. Tashmë Gurra është e njohur thuajse në gjithë Europën, sepse vizitorët që vijnë për t’a parë janë nga vende të ndryshme të saj. Aty gjetëm vizitorë nga Gjermania, Italia, Kosova, Maqedonia etj, të cilët mbeteshin të mahnitur nga projekti, puna dhe sakrificat e mjeshtrave të lashtë për ndërtimin e saj. Gurra shekullore e Domgjonit, e quajtur Gurra e Lashtë, mendohet të jetë ndërtuar rreth shekullit të VI – të, për nevojat e banorëve kryesisht për ujë të pijshëm, por dhe për vaditje. Ata shfrytëzuan burimet ujore që rridhnin nga bjeshkët e madhështore të malit të Munellës. Gojëdhënat për zbulimin e burimit janë të shumta, por edhe puna, sakrifica dhe përpjekjet e banorëve janë të mëdha. – Ja atje në atë rrëzë mali, shi mes pemëve kanë qenë themelet e kullës së të parëve të atë Gjergj Fishtës, – tregon Lleshi. Trojet e poetit të madh qëndronin ballë përballë me Gurrën e Lashtë, e cila e pati frymëzuar poetin tek kryevepra poetike “Jerina ase Mretnesha e luleve”, i cili i përshkruan bjeshkët dhe gurrat e Munellës, në Domgjon të Mirditës: ”… Falmeshndet Ora e Mirditës, / Falmeshndet un u kam çue, / Që n’për gurra të Mundellës, / Më shkon vera tue u freskue…”. E mbi bazën e këtyre vargjeve, pati lindur edhe “Vallja e Gurrës së Lashtë”, interpretuar nga grupi artistic i Fanit në vitin 1987, ndërsa në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës të vitit 1988, vallja nen interpretimin e Grupit të Mirditës, me koreografi të artistes Angjelina Leka, pati fituar çmimin e parë. Jemi në qendër të Domgjonit, aty ku sot gjallon jeta, ka lëvizje, kanë ardhur nga ana e anës dhjetra banorë, miq, shokë, vizitorë dhe turistë për të festuar së bashku me banorët e këtij fshati të njohur festën e Shmarrameit. Në oborrin e shkollës “Ndue Prend Bajraktari” është improvizuar një skenë e thjeshtë zbukuruar me flamuj kombëtarë dhe banderola. Nxënësit e shkollës së Domgjonit, të rreshtuar në skenë nën drejtimin e mësueses tyre, poetes dhe kengëtares së njohur Angjelina Nikolli, janë të gatshëm të interpretojnë me emocion këngët, vallet dhe recitimet e përzgjedhura nga mësuesja e tyre. Të entuziazmon fakti se mësuese Angjelina vjen çdo ditë nga Rraja e Velës në fshatin Domgjon, duke përshkuar dhjetëra km. rrugë për të mësuar këto vogëlushë dhe për të organizuar aktivitete të tilla që synojnë të gjallërojnë jetën në fshatrat e thella të Mirditës dhe të ruajnë e transmetojnë traditat më të mira të popullit tonë brez pas brezi. Ndërkohë ka nisur shfaqja e nxënësve me kengë, valle, recitime, dramatizime dhe grimca humoristike. Tërheq vemendjen fakti se të gjitha recitimet janë bazuar te krijues domgjonas si Atë Gjergj Fishta, Hasan Hasani dhe vazhduesi i denjë i tyre, poeti i njohur Llesh Ndoj. Skenari i hartuar nga drejtuesja e aktivitetit Angjelina Nikolli ishte për t’u patur zili, madje i vështirë për t’u realizuar aq bukur nga një shkollë ku frekuentonin rreth 20 nxënës, ku secili jepte kontributin e vet në këtë shfaqje. Aktivitetin e hapi vogëlushi Leon Pjetri, pastaj recituan me radhë nxënësit Antonela Lalaj, Eridon Pjetri, Xhoana Biba, Ardit Kola, Benedeta Lalaj të cilët recituan një cikël poezish të poetit të tyre vandas Llesh Ndoj kushtuar vendlindjes dhe atdheut. Nuk munguan edhe vallet, ashtu siç e ka traditë mirditori në raste të tilla, ku përshtypje mjaft të mira lanë nxënësit Arlinda Prendi, Antonela Lalaj, Alesja Lalaj, Ardita Kola, si dhe treshja e djemëve Eridon Pjetri, Renato Biba dhe Emiljano Kola. Emocion të vaçantë solli mes pjesmarrësve kënga e kënduar me vargje të krijuara nga mësuesja Angjelina Nikolli me titull “Manushaqja”, e cila duke shpalosur përmes vargjeve bukuritë e natyrës, bënte thirrje për të mos e braktisur atdheun. Atmosferën e ndezi këngëtari i njohur Kastriot Kola, i cili interpretoi për të pranishmit një kolazh me këngët e tij, shoqëruar nga grupi i valleve. Tingujt e këngëve të tij, perfshinë në valle edhe të pranishmit, mësues, bashkëfshatarë, turistë dhe të ftuar. U krijua një atmosfere e bukur, e zjarrtë dhe vllazërore që rrallë mund të jetë dëgjuar në ato anë, duke ngjallur shpresën se vitet e ardhshme bijtë e këtij fshati do të punojnë më shumë për t’i dhënë jetë këtij fshati të rënë në qetësi, ashtu siç vepron një djalë domgjonas, Zef Marku, i cili kishte qenë emigrant në Gjermani dhe pas ca vitesh ishte kthyer në fshatin e tij të lindjes dhe punonte si operator turistik, duke promovuar atraksionet turistike të Domgjonit. Si rrjedhojë e punës së tij, në këtë fshat të njohur historik, kishte thuajse çdo ditë turistë nga vende të ndryshme të botës. Bisedoj me drejtuesin e shkollës z. Tonin Laska, i cili jep kontributin e tij në mësimdhënien e lendës së matematikës në këtë shkollë. Ai vjen çdo ditë nga Bisaku i Fanit për të mësuar vogëlushët e Domgjonit dhe këtë punë e bën me pasion. Na flet Tonini për artin e mësimdhënies, vështirësitë që i dalin kolektivit arsimorë çdo ditë, përpjekjet për të mësuar dhe edukuar nxënës që të hyjnë denjësisht në tregun e punës. Ai nuk le pa evidentuar edhe punën plot pasion të mësuesëve të përkushtuar në profesionin e tyre si Angjelina Nikolli, që vinte çdo ditë nga Vela, Roza Paci bijë Domgjoni, që vinte nga Rresheni, Fabiola Domgjoni po ashtu, Angje Pjetri etj. Shembulli, mundi, djersa dhe sidomos sakrificat e tyre në edukimin e nxenësve, mendoj se duhen përgjithësuar, sepse është e vështirë të organizosh një aktivitet të tillë me një numër të kufizuar nxenësish. Nuk harron mësuese Angjelina të falenderojë edhe kontribuesit në këtë aktivitet të bukur. Ajo ve në dukje ndihmën e prindërve, të institucionit fetar që vepron në Domgjon, ndihmën e pakursyer të poetit Llesh Ndoj, të kengëtarit Kastriot Kola etj. Përshendeti takimin edhe poeti, studiuesi dhe gazetari i njohur Llesh Ndoj, i cili ndër të tjera tha: “… Nga zemra ju uroj festën e Shmarramejt, Shën Barnabës, apo Shën Arrameut, pajtorit të kishës sonë. Le të jetë kjo datë, jo vetëm festë përbashkimi, por edhe ditë lutje për përtëritjen e këtyre trojeve të bekuara. Miqve që na nderojnë sot, u them: – Mirë se erdhët! Bujaria domgjonase, si shumëçka tjetër në këtë vend, është krejt e veçantë. Ndërsa në të gjithë Mirditën e Veriun shqiptar, kur thërret dikush në derë “A do miq o i zoti shtëpisë?”, merr përgjigjen standarte “Shtëpia ime e Zotit dhe e mikut!”, në Domgjon vendasit, pasi shkëmbejnë duhan e përshëndetjet e çastit edhe me ndonjë të panjohur, të fusin krahun në udhë të madhe e të thonë: – Hajde të shkojmë ka shpia! Historia jonë daton në këto troje tash më shumë se 2000 vjet, e dëshmuar kjo me fakte që fatmirësisht, e falë punës së njerëzve të mrekullueshëm domgjonas, i rezistojnë kohës. Gurra e Lashtë 1500 -1600 vjeçare, Lteri i vjetër mbi 1200 vjeçar e Qyteza, sigurisht më e vjetër por fatkeqësisht e pa studjuar dhe e lënë në mëshirë të fatit, janë dëshmi e fortë ekzistence. Historia jonë dymijëvjeçare është histori qëndrueshmërie, histori lutje e besimi, histori përpjekjesh të vijueshme për t’a nxjerr jetesën edhe nga guri, histori gjodhishë. Ishim munellas, dhe u matnim për nga krenia me Munellën, ndërsa si gjodhi jetonim e nxirrnim jetesën në këto anë. Kur jeta këtu shkoi në të sosur, u shfaq Shën Barnaba dhe i bekoi trojet e kishës e të banimit tonë, këtu ku jemi edhe tash, e jeta lulëzoi në këtë vend pa u ndal, pastaj një sëmundje e mallkuar, varfëria e tejskajshme dhe luftërat rreth 600 -700 vjet më parë e vunë përsëri në pikëpyetje jetën në këto troje, prandaj prifti vendas, dom Gjoni, u lut në kishë. Lutjet e tij i dëgjoi Zoti dhe jeta u ripërtëri, duke i dhënë jetesës tonë e njerëzve këtu, si tiparin e tyre themelor, besimin. Që nga Gurra e Lashtë e deri tek kullat e larta e mjeshtrit e sotëm duarartë, (gjej rastin të falenderoj një brez të rinjsh, mjeshtër që kanë realizuar edhe gurrën e re tek kisha, e cila u bekue nga prifti para tri ditësh, për punën e mrekullueshme që kanë bërë), historia jonë dëshmoi për njerëz punëtorë, mjeshtër duarartë e për përpjekje të vazhdueshme mbijetese në këto troje. Fatmirësisht edhe sot ato nuk janë braktisur dhe kjo ditë e ky aktivitet i bukur e dëshmon lumturisht këtë. Ky vend i bekuar na fton si me magji drejt rikthimit, ashtu siç është atraksion turistik i kandshëm për jo vendasit e të huajt. Filizat e parë kanë nisur e nga madhështia e kësaj dite të bekuar, uroj që ato të shumohen, të rriten e të bëhen trendi i të sotmes e të ardhmes…”. Pas aktivitetit na përshendet Tonin Nikolli, punonjës i policisë së shtetit, diku mes njerëzve dalloj edhe kengëtarin e njohur Besim Lekgega, ndërsa pronari i të vetmit lokal në fshat Martin Biba na fton për kafe. Në bisedë me të mësoj se ai ka edhe tre lokale në pronësi të tij në Tiranë, por nuk e harron vendlindjen e tij të dashur, prandaj vjen çdo ditë dhe punon tek lokali i tij në fshat. Mendoj se është një shembull që duhet ndjekur. Së bashku me z. Vasil Martini dhe poetin dhe studiuesin Llesh Ndoj, të entuziazmuar nga ngjarjet e ditës, marrim rrugën e kthimit, nën sundimin e freskisë së luginës së Fanit, për t’u rikthyer serish në aktivitete të tjera.
