“Ndërtimet në zonat e mbrojtura sipas standardeve të BE-së”, PE miraton raportin për Shqipërinë

0%

Shpërndaje në: Parlamenti Evropian ka miratuar të martën rezolutën mbi raportin për Shqipërinë për vitin 2025, me 483 vota pro, duke sinjalizuar mbështetje të qartë politike për procesin e integrimit evropian të vendit. Teksa shumica e draftit ishte i njëjtë me atë që ishte miratuar pak kohë më parë në Komisionin e Jashtëm, eurodeputetët u vunë përballë dy amendamenteve për ndërtimet në zonat e mbrojtura, nisur edhe nga zhvillimet e fundit në Zvërnec dhe deklaratat për investimin në Sazan. Fillimisht deputetët e Parlamentit Evropian rrëzuan një amendament nga shtatë eurodeputetë të të majtës, që përfshin deputetë radikalë, të cilët donin të përfshinin në variantin përfundimtar të rezolutës ngritjen e shqetësimit për marrëveshjen e qeverisë shqiptare me kompaninë Affinity Partners të Jared Kushner. “Parlamenti Evropian shpreh shqetësime, për rrjedhojë, lidhur me marrëveshjen e qeverisë me kompaninë Affinity Partners të Jared Kushner për zhvillimin e një projekti resorti luksoz në Sazan dhe në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës; bën thirrje për mbështetje të hetimit kundër korrupsionit që aktualisht po zhvillohet nga SPAK në këtë kontekst; kërkon që e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore të garantohet kundër shtypjes nga kompani private të sigurisë, siç ndodhi gjatë përplasjeve të ndodhura në fund të majit 2026”, thuhet në amendamentin e rrëzuar në mbledhjen e deputetëve. Pas këtij momenti, 13 eurodeputetë të grupit të të gjelbërve, propozuan një amendament, i cili ndër të tjera kërkon edhe vendosjen e një moratoriumi për lejet e ndërtimit në zonat e mbrojtura deri në shfuqizimin e ligjit për këto zona. “Parlamenti Evropian u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të vendosin menjëherë një moratorium për të gjitha procedurat e reja të dhënies së lejeve, punimet e ndërtimit dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura derisa dispozitat e papajtueshme të Ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura të jenë shfuqizuar, bazuar në një kërkesë të kahershme të Komisionit dhe Parlamentit dhe në përputhje me kriteret përmbyllëse të Kapitullit 27, si dhe derisa të sigurohet përputhshmëria e plotë me standardet e BE-së për mbrojtjen e natyrës”, thuhet në amendamentin e pranuar. Amendamenti i pranuar 46a. Shpreh shqetësim serioz se zhvillimet e vazhdueshme brenda zonës së mbrojtur natyrore të Vjosës tregojnë pasojat praktike të këtyre ndryshimeve ligjore dhe rreziqet që ato sjellin për zona me vlera të njohura ekologjike; ndjek nga afër protestat paqësore të vazhdueshme në këtë drejtim; u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të vendosin menjëherë një moratorium për të gjitha procedurat e reja të dhënies së lejeve, punimet e ndërtimit dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura derisa dispozitat e papajtueshme të Ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura të jenë shfuqizuar, bazuar në një kërkesë të kahershme të Komisionit dhe Parlamentit dhe në përputhje me kriteret përmbyllëse të Kapitullit 27, si dhe derisa të sigurohet përputhshmëria e plotë me standardet e BE-së për mbrojtjen e natyrës; nënvizon se çdo projekt në këtë zonë duhet t’i nënshtrohet vlerësimeve gjithëpërfshirëse të ndikimit në mjedis, plotësisht në përputhje me standardet e BE-së, duke përfshirë një proces transparent të pjesëmarrjes publike me komunitetet lokale, shkencëtarët dhe shoqërinë civile./ TopChannel

Burimi: Koha