Gërvalla në AKSP: Investimi në dije dhe aftësi është thelbësor për sigurinë

0%

Akademia e Kosovës për Siguri Publike është një nga institucionet kyçe në ngritjen e standardeve të trajnimit dhe profesionalizimit në fushën e sigurisë publike. Kështu ka deklaruar ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, pas një vizite që i bëri Akademisë së Kosovës për Siguri Publike. Gërvalla, së bashku me drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), Ismail Dibrani, u pritën nga ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm, Shpend Shabani. Gjatë vizitës, u diskutua për zhvillimin institucional të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, programet trajnuese dhe të arriturat e saj, përfshirë akreditimet vendore dhe ndërkombëtare, si dhe kapacitetet për trajnim teorik dhe praktik të gjeneratës së re të zyrtarëve korrektues. Gërvalla vlerësoi akademinë si një institucion kyç në ngritjen e standardeve të trajnimit dhe profesionalizimit në fushën e sigurisë publike, duke theksuar rëndësinë e investimit të vazhdueshëm në dije, aftësi profesionale dhe kapacitete njerëzore për përballimin e sfidave bashkëkohore të sigurisë. Ajo theksoi se institucionet e forta ndërtohen mbi profesionistë të përgatitur mirë dhe se siguria publike kërkon gatishmëri për t’iu përgjigjur si sfidave tradicionale, ashtu edhe atyre që lidhen me hapësirën digjitale dhe teknologjitë e reja. Në këtë kontekst, u përgëzua gjenerata e re e kadetëve për rrugëtimin e tyre profesional, të cilët u inkurajuan të ushtrojnë detyrën me integritet, përgjegjësi dhe përkushtim ndaj shërbimit publik. Shërbimi Korrektues i Kosovës u vlerësua si një hallkë e rëndësishme e sistemit të drejtësisë dhe sigurisë, ndërsa profesionalizmi i zyrtarëve u theksua si një nga garancitë për funksionimin e një shteti demokratik dhe të së drejtës.

Burimi: Bota Sot