Anglia planifikon një ndeshje shtesë në Botëror

0%

Anglia mund të bëhet kombëtarja e parë në histori që zhvillon një ndeshje shtesë miqësore gjatë një fushate të Kupës së Botës, pas një vendimi të pazakontë të trajnerit Thomas Tuchel. “Tre Luanët” e nisin rrugëtimin e tyre në Botërorin 2026 me përballjen ndaj Kroacisë në stadiumin AT&T në Arlington të Teksasit. Megjithatë, sipas raportimeve të BBC, Federata Angleze është në bisedime për të organizuar një ndeshje miqësore me skuadrën amerikane Sporting Kansas City mes ndeshjeve ndaj Kroacisë dhe Ganës. Ende nuk ka një marrëveshje përfundimtare, por ideja është që lojtarët që nuk marrin shumë minuta në ndeshjet zyrtare të kenë mundësi të ruajnë ritmin e garës. Tuchel e konfirmoi se stafi teknik po shqyrton seriozisht këtë mundësi. “Është e vërtetë që po përpiqemi të zhvillojmë një ndeshje të brendshme pas sfidës me Kroacinë. Kemi shumë ditë mes ndeshjeve dhe duam që futbollistët që nuk luajnë shumë të kenë ngarkesë reale loje dhe jo vetëm stërvitje”, deklaroi tekniku gjerman. Ai shtoi se një praktikë e ngjashme ishte përdorur edhe pas miqësores kundër Kosta Rikës dhe se mund të përsëritet gjatë Botërorit. Një ndeshje e tillë mund të jetë veçanërisht e rëndësishme për mbrojtësin Trevoh Chalobah, i cili u thirr me urgjencë në skuadër pas dëmtimit të Tino Livramentos. Mbrojtësi i Newcastle pësoi një dëmtim në muskujt e kofshës gjatë stërvitjes dhe pritet të mungojë për katër deri në pesë javë, duke e detyruar Anglinë ta largojë nga grumbullimi. Chalobah u zgjodh si zëvendësuesi ideal, pasi ka punuar më parë me Tuchelin te Chelsea dhe konsiderohet një opsion i besueshëm në qendër të mbrojtjes. “Sigurisht që Tino ishte i zhgënjyer, ashtu si edhe ne. Ai ishte një lojtar shumë i rëndësishëm për skuadrën. Trevoh na jep më shumë alternativa në repartin defensiv dhe mbulim të plotë në vijën e fundit”, tha Tuchel. Nëse miqësorja realizohet, Anglia do të shkruajë histori si kombëtarja e parë që zhvillon një ndeshje të tillë gjatë një turneu të Kupës së Botës, në përpjekje për të mbajtur të gjithë lojtarët në formë optimale gjatë garës.

Burimi: Bota Sot