Vita Abrashi-Kajtazi Shpërndaje në: Personazhet e famshëm të “The Muppets” do të bashkohen me universin e “Marvelit” në një projekt të ri komik që po cilësohet si “ikonik”. Në një botim të veçantë me një numër për të shënuar 50-vjetorin e “The Muppet Show”, personazhe si Kermit, Miss Piggy dhe Fozzie Bear do të bashkohen me superheronj si Spider-Mani, Wolverine dhe Black Panther në aventura të përbashkëta, thuhet në webfaqen zyrtare Marvel.com Historia kryesore e komikut, me titull “The Muppet Take The Marvel Universe #1”, nis me rrëmbimin e Rowlf the Dog nga personazhi Mojo, i cili tenton të krijojë platformën e tij të transmetimit. Kjo detyron Muppetsat dhe superheronjtë e “Marvelit” të bashkojnë forcat për ta shpëtuar atë. Projektin e kanë shkruar një grup autorësh të njohur të industrisë së komikëve, ndërsa ilustrimet janë realizuar nga disa artistë të njohur të “Marvelit”. Shkrimtari, ilustruesi e gazetari, Chip Zdarsky ka thënë se bashkimi i dy botëve sjell një përgjegjësi të madhe krijuese dhe se puna me këta personazhe ka qenë një përvojë e veçantë. Nga ana tjetër, përfaqësues të “The Muppets Studio” kanë deklaruar se bashkëpunimi me “Marvel Comics” është një mënyrë e re dhe kreative për të sjellë humorin dhe energjinë e Muppetsëve në një univers tjetër të madh të kulturës pop. Projekti filmik pritet të dalë në shitje më 23 shtator dhe tashmë është i disponueshëm për porosi paraprake.
