Sveçla: Kosova është dëshmi e lirisë me sakrificën e dëshmorëve e martirëve

0%

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se Kosova është dëshmi e lirisë së fituar me sakrificën e dëshmorëve dhe martirëve tanë, me qëndresën e popullit tonë dhe me vuajtjet e grave e burrave që edhe sot bartin plagët e rënda të luftës. Sveçla në kuadër të vizitës sime zyrtare në Francë, mori pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës, me rastin e 27-vjetorit të çlirimit të Kosovës. ” Kosova është dëshmi e lirisë së fituar me sakrificën e dëshmorëve dhe martirëve tanë, me qëndresën e popullit tonë dhe me vuajtjet e grave e burrave që edhe sot bartin plagët e rënda të luftës. Liria jonë u bë e mundur falë luftës së drejtë çlirimtare të popullit të Kosovës, por edhe mbështetjes vendimtare të NATO-s dhe shteteve aleate, të cilat qëndruan në anën e drejtësisë dhe të popullit tonë në momentet më të vështira të historisë sonë” , ka shkruar ai në “Facebook”. Në këtë ngjarje, ku morën pjesë senatorë francezë, përfaqësues të rupit diplomatik të akredituar në Francë, si dhe bashkatdhetarë tanë, krahas programit artistik u hap edhe ekspozita e përgatitur nga Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë. Ekspozita solli dëshmi dhe dokumentim mbi helmimet e nxënësve dhe të popullatës shqiptare gjatë viteve ’90, duke rikujtuar një nga format më të rënda të represionit të ushtruar ndaj popullit tonë. “Përvjetorët e çlirimit janë kujtesë e përhershme e rrugës së vështirë që kemi kaluar drejt lirisë dhe shtetndërtimit. Ato na obligojnë të ruajmë të vërtetën historike, të nderojmë sakrificën e atyre që dhanë gjithçka për vendin dhe të forcojmë vazhdimisht partneritetet me miqtë dhe aleatët që kontribuan në çlirimin dhe lirinë e Kosovës”, tha ai.

Burimi: Bota Sot