Shpërndaje në: Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka reaguar ndaj koordinatores së Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali, pasi kjo e fundit në përplasjen virtuale me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, teksa e akuzoi për gjendjen e kryeqytetit, tha se e mbajnë në këmbë rrënjët e krimit apo “samilushtakëve me horra të tjerë”. Lushtaku në reagimin e tij tha se i vetmi grup kriminal për të cilin duhet të jepet llogari është vetë Mihali. Ai e quajti si një person me angazhim të dyshimtë dhe e pyeti me çfarë misioni është në Kosovë. “Kush je ti që kontrollon çdo gjë në Vetëvendosje? Si është e mundur që Vetëvendosje dhe i gjithë pushteti i saj në Kosovë të drejtohet nga një greke e dyshimtë? Prej nga vjen dhe kush të qëndron prapa? Kush të financon ty? Çfarë misioni ke në Kosovë? Për kë punon ti? A të ka sjellur në Kosovë shërbimi grek, serb apo rus?”, ka shkruar mes tjerash Lushtaku në Facebook. Mihali e ka përmendur Lushtakun edhe në një postim tjetër në faqen e saj në Facebook, teksa e ka akuzuar kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, se po i shërben Partisë Demokratike të Kosovës për të bllokuar institucionet. “Përpamiu paska folur prapë. Shumë barrë të rëndë ia kanë lënë rrjeti kriminal dhe samilushtakët që herë pas here i shfaqen si fytyrë Urani. Ky klloun duhet vazhdimisht të sulmojë qeverinë që PDK të sigurohet se bllokohen prapë institucionet. PDK gjithnjë ka gjetur klloun të tillë. Këtë herë e ka Përpamiun. Sa për popullin, ata vetë vendosin se çka e si duan. Po me siguri krimin e organizuar dhe samilushtakët nuk i duan”, ka thënë Mihali. E gjithë përplasja mes Ramës e Mihalit nisi pas aksidentit tragjik në autostradë ku Rama e kritikoi Qeverinë e Kosovës . Rama deklaroi se qytetarët po paguajnë çmimin “me jetë dhe me taksa”, duke akuzuar pushtetin qendror për neglizhencë dhe reagim të vonuar ndaj problemit. Në këto akuza e kundër-akuza u përfshi ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, kandidati për deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli dhe Mihali.
