Flutura Gashi-Mehmeti Shpërndaje në: Ndërsa liderët e demokracive më të pasura të botës po diskutojnë këtë javë në samitin e G7-ës për disa nga problemet më të mëdha globale, mikrofonët e hapur zbuluan se bisedat e tyre përfshinin edhe tema shumë më të lehta: sportin, cigaret, motin dhe madje edhe një koment misterioz për Grenlandën. Teksa liderët botërorë hynin në sallat e konferencave në një resort buzë liqenit në Francë, pranë kufirit me Zvicrën, mikrofonët e vendosur për diskutimet serioze mbi luftën dhe tregtinë kapën shpesh biseda spontane jashtë protokollit. Meloni hoqi dorë nga duhani Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, u bë pjesë e një momenti të kapur nga mikrofonët të martën, kur kancelari gjerman Friedrich Merz e pyeti nëse kishte pirë tashmë një cigare atë mëngjes. Meloni zbuloi se nuk kishte pirë duhan “që nga 1 maji”. Vendimi i saj për të hequr dorë nga duhani u prit me urime entuziaste nga liderët e Kanadasë, Mbretërisë së Bashkuar, Japonisë dhe Bashkimit Evropian. Meloni ngriti duart në shenjë feste. Ndërkohë, kryeministri kanadez, Mark Carney, e pyeti me humor: “A po përdor ndonjë flaster nikotine?”, duke treguar krahun e tij. Sporti si temë e preferuar Teksa Kupa e Botës që po zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada, futbolli u bë natyrshëm pjesë e bisedave. Ndërsa liderët u mblodhën për drekë, presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe të tjerët diskutuan për futbollin. Dikush dëgjohet duke thirrur “Allez les Bleus!”, brohoritja tradicionale për kombëtaren franceze. Një tjetër lider përmendi fitoren e fundit të Paris Saint-Germain në Ligën e Kampionëve. Presidenti amerikan, Donald Trump, e zhvendosi bisedën te eventi i arteve marciale të përziera UFC që ai organizoi në Shtëpinë e Bardhë të dielën. Trump, i cili kishte ndjekur ndeshjet pranë kafazit në ditëlindjen e tij të 80-të, foli me admirim për Dana Ëhite. Në një moment tjetër, kryeministri britanik, Keir Starmer lavdëroi barazimin surprizë 0-0 të Cape Verde kundër kampiones së botës, Spanjës. “Vërtet e jashtëzakonshme, duhet ta them”, tha ai. Komenti misterioz i Trumpit për Grenlandën Në një moment që ngjalli kureshtje, Trumpi u dëgjua duke biseduar me presidentin e Këshillit Evropian, António Costa. “A e kupton?” tha Trumpi, para se të ndalonte dhe ta shikonte drejtpërdrejt Costën. “Grenlanda.” Fillimi dhe fundi i bisedës nuk u dëgjuan qartë. Politikanët evropianë kanë reaguar me zemërim ndaj deklaratave të mëparshme të Trumpit për mundësinë e marrjes së kontrollit mbi Greenland. Macroni harron orën Më vonë gjatë ditës, Trumpi shkaktoi të qeshura pasi Macroni kishte lënë pas dore orën e tij gjatë largimit nga dreka e punës. Carney e vuri re i pari: “Ai ka lënë orën këtu. Kemi orën e tij.” “Më jepeni mua nëse e ka lënë,” ndërhyri Trumpi, duke shkaktuar të qeshura mes të pranishmëve. Dhurata diplomatike: biçikleta dhe fanellë futbolli Dita solli edhe disa momente diplomatike me shkëmbim dhuratash. Macroni u dhuroi të shtatë homologëve të tij biçikleta të personalizuara për të promovuar Kampionatin Botëror të Çiklizmit që do të mbahet vitin e ardhshëm në Alpet Franceze. Nuk pati mikrofonë të hapur që të zbulonin reagimin e Trumpit, i cili nuk njihet si çiklist dhe ka bërë shaka shpesh se aktiviteti i tij fizik kufizohet kryesisht te loja e golfit. Nga ana tjetër, Merzi i dhuroi Trumpit një fanellë të kombëtares gjermane të futbollit me emrin e tij dhe numrin 47. Trumpi e ngriti fanellën, buzëqeshi për fotografët dhe më pas e vendosi mënjanë. Më vonë, Merzi publikoi një fotografi të momentit në rrjetet sociale, duke shtuar një mesazh me nënkuptim politik: “Në fund të fundit, ne jemi në të njëjtin ekip”.
Mikrofonat e hapur në G7 kapin bisedat e liderëve botërorë, përmenden cigaret, futbolli e Grenlanda

Burimi:
Koha