Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se procesi i gërmimeve që po zhvillohet tash e pesë ditë në fshatin Kalludër e Vogël të Zubin Potokut, ku dyshohet për një varrezë masive, është ende në fazën e hetimeve.
Zëdhënësja e kësaj prokurorie, Nora Luta, në një deklarim për media tha se deri më tani janë lëshuar mbi 10 urdhra për zhvarrosje në kuadër të verifikimeve hetimore që po zhvillohen në këtë lokacion. Megjithatë, ajo thekson se është ende herët për të folur për rezultatet e gërmimeve apo për numrin e mundshëm të personave që mund të jenë varrosur në këtë lokacion.
“Nuk mund të flasim ende për rezultate pa përfunduar procesi hetimor. Ende është herët që në këtë fazë të flasim me numra, duhet të presim të gjitha verifikimet dhe analizat e nevojshme…” – u shpreh Luta.
Sipas saj, gërmimet po zhvillohen në kuadër të procesit të kërkimit për personat e zhdukur dhe janë rezultat i punës së përbashkët hetimore të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale. “Lidhur me gërmimet që janë duke u zhvilluar në kuadër të procesit të kërkimit për personat e zhdukur, ajo çfarë mund t’iu them është se bëhet fjalë për një rast që është ende në fazën e hetimeve.
Ky është një proces i ndjeshëm dhe kompleks, është rezultat i punës hetimore të Policisë dhe Prokurorisë Speciale” – deklaroi Luta, të shtunën, më . Për të pestën ditë radhazi po vazhdojnë gërmimet në fshatin Kalludër e Vogël e Zubin Potokut ku dyshohet për varrezë masive. KALLXO.com mëson se të premten () janë gjetur disa mbetje mortore.
Dyshohet se bëhet fjalë për “23 intelektualët” të cilët sipas rrëfimit të familjarëve për KALLXO.com janë zhdukur para 27 vitesh në këtë zonë. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të shtunën () ka vizituar vendin ku po zhvillohen gërmimet. Ai ka theksuar se për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur është i domosdoshëm shtimi i presionit ndërkombëtar ndaj Serbisë.
Sipas Kurtit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian duhet të rrisin trysninë ndaj Serbisë për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur me Dhunë, të dakorduar më në Bruksel.
Kurti ka kërkuar gjithashtu hapjen e menjëhershme të arkivave serbe, duke përmendur në veçanti arkivin e Brigadës së Motorizuar 37 të Ushtrisë Jugosllave, për të cilën tha se ka kryer masakra në Kosovë, veçanërisht në Drenicë, dhe që sipas tij është klasifikuar nga shteti serb për 30 vjet.
Që nga përfundimi i luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë vazhdojnë të jenë të zhdukur mbi 1,500 persona. Me 11 identifikimet që janë kryer në muajin mars 2025, aktualisht sipas Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit në Kosovë janë edhe 1,577 persona të cilët konsiderohen të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.
Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.
Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.
Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë. Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës. Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni KËTU .
