Norvegjia rikthehet në Kupën e Botës pas plot 28 vitesh mungesë dhe, ndonëse të gjitha sytë janë te Erling Haaland, skandinavët nuk mbështeten vetëm te superylli i Manchester Cityt. Përkundrazi, skuadra e drejtuar nga Stale Solbakken ka ndërtuar një grup të fortë dhe të balancuar, që mund ta shndërrojë në një nga surprizat më të mëdha të Botërorit 2026. Natyrisht, Haaland mbetet figura qendrore e kësaj përfaqësuese. Sulmuesi 25-vjeçar ishte i pandalshëm në kualifikime, duke shënuar në të tetë ndeshjet dhe duke realizuar plot 16 gola. Ai spikati veçanërisht me pesë golat ndaj Moldavisë dhe tre të tjerë kundër Izraelit, duke dëshmuar edhe një herë pse konsiderohet një nga sulmuesit më të mirë në botë. Megjithatë, suksesi i Norvegjisë nuk varet vetëm nga instinkti i tij para portës. Përreth Haalandit gjenden lojtarë me cilësi të lartë, të cilët mund ta bëjnë diferencën në çdo moment. telegrafi.com Nusa dhe Schjelderup, talentet që sjellin magji në krahë Një nga armët më të forta të norvegjezëve është Antonio Nusa. Futbollisti i RB Leipzig pritet të jetë titullar në krahun e majtë, ku shquhet për shpejtësinë, driblimet dhe aftësinë për të krijuar rrezik në situata një kundër një. 21-vjeçari pati një fushatë fantastike në kualifikime, duke kontribuar në gjashtë gola në gjashtë paraqitje. Ai shënoi dhe asistoi në fitoren e madhe 3-0 ndaj Italisë, ndërsa përsëriti paraqitjen e shkëlqyer edhe në triumfin 4-1 në ndeshjen e kthimit. Alternativa e tij është Andreas Schjelderup, një tjetër talent i madh i futbollit norvegjez. Futbollisti i Benficës zhvilloi një gjysmëseson mbresëlënës nën drejtimin e Jose Mourinhos, duke regjistruar 10 gola dhe 14 asistime në kampionat. Ai tërhoqi vëmendjen edhe në Ligën e Kampionëve, ku shënoi dy herë ndaj Real Madridit. Në krahun e djathtë, Alexander Sorloth ofron një profil krejtësisht ndryshe. Edhe pse është 1.88 metra i gjatë, sulmuesi i Atletico Madridit lëviz shpesh në zona anësore dhe bashkohet me Haalandin në sulm gjatë fazës ofensive. Ai ishte po ashtu vendimtar në kualifikime, me tetë kontribute direkte në gola në tetë ndeshje. Në dispozicion të Solbakken janë edhe Oscar Bobb dhe Jens Petter Hauge, që i japin skuadrës alternativa cilësore dhe thellësi të konsiderueshme në repartin ofensiv. Mesfushë me eksperiencë të nivelit më të lartë – por Odegaard, truri i ekipit Një tjetër pikë e fortë e Norvegjisë është mesfusha. Kapiteni Martin Odegaard mbetet dirigjenti i lojës, ndërsa mbështetet nga Sander Berge dhe Fredrik Aursnes. Berge sjell forcë fizike dhe ekuilibër në qendër të fushës, ndërsa Aursnes është një lojtar me eksperiencë të madhe në nivelet më të larta të futbollit evropian. Interesant është fakti se Aursnes ishte tërhequr nga kombëtarja në vitin 2024 për arsye personale, por vendosi të rikthehej në fillim të këtij viti dhe tashmë konsiderohet një nga titullarët e padiskutueshëm. telegrafi.com Përveç tyre, Solbakken mund të llogarisë edhe te Patrick Berg, Kristian Thorstvedt dhe Morten Thorsby, duke krijuar një repart mesfushe me shumë alternativa dhe fleksibilitet. Nëse Haaland është njeriu i golave, atëherë Martin Odegaard është motori që e vë në lëvizje gjithë mekanizmin e Norvegjisë. Kapiteni i Arsenalit, pavarësisht problemeve me lëndimet gjatë sezonit, regjistroi shtatë asistime në kualifikime, më shumë se çdo lojtar tjetër në Evropë. Vetëm ndaj Izraelit ai dhuroi tri asistime, duke treguar vizionin dhe cilësinë e tij të jashtëzakonshme. Odegaard do të ketë një rol kyç në Botëror, jo vetëm për të furnizuar Haalandin me topa, por edhe për të lidhur repartet dhe për të shfrytëzuar lëvizjet e Nusas, Sorlothit dhe pjesës tjetër të sulmit. Norvegjia kërkon të jetë surpriza e madhe Për shumë tifozë dhe analistë, Norvegjia mbetet një nga “kuajt e errët” të Botërorit 2026. Megjithatë, me një sulm të udhëhequr nga Haaland, një mesfushë të komanduar nga Odegaard dhe disa prej talenteve më premtuese të futbollit evropian, skandinavët kanë potencialin të shkojnë shumë më larg sesa parashikimet fillestare. Nëse yjet kryesorë arrijnë të ruajnë formën e tyre më të mirë, Norvegjia mund të jetë një nga skuadrat që do t’i shkaktojë probleme serioze çdo kundërshtari në Amerikën e Veriut.
Jo vetëm Haaland, Norvegjia ka armë të mjaftueshme për të ëndërruar në Botërorin 2026

Burimi:
Telegrafi