Në vitin 1991, shqiptarët morën rrugët e emigrimit për t’i shpëtuar një regjimi brutal, por njëkohësisht të rrënuar moralisht, politikisht dhe ekonomikisht — regjimit të Partisë së Punës, që për dekada i kishte mbajtur njerëzit të izoluar, të frikësuar dhe pa të drejtë fjale. Ishin vite të dhimbshme. Vite kur mijëra familje lanë pas shtëpitë, prindërit, fëmijërinë, kujtimet dhe gjithçka që kishin, vetëm për të kërkuar një grimë dinjiteti njerëzor. Anijet e mbushura me shqiptarë nuk ishin thjesht ikje fizike, por një akt dëshpërimi kolektiv dhe një revoltë e heshtur kundër një sistemi që kishte vrarë shpresën. Ata ikën me plagë në shpirt, por edhe me një ëndërr të madhe: që një ditë Shqipëria të bëhej vendi i lirisë, i meritës, i drejtësisë dhe i mundësive për fëmijët e saj. Por sot, pas 36 vitesh, shumë shqiptarë ndiejnë se ajo ëndërr është tradhtuar, sepse historia, edhe kur nuk përsëritet identikisht, shpesh rikthehet me forma të reja. Me slogane të reja. Me propagandë më moderne dhe të rafinuar. Me kontroll më të sofistikuar. Me pushtet më arrogant. Dhe me të njëjtën etje të sëmurë për kapjen e gjithçkaje. Në vitin 2026, shumë prej atyre emigrantëve janë kthyer sërish në këtë vend — jo për t’u larguar nga Shqipëria, por për ta shpëtuar atë. Kanë ardhur për t’u përballur me hijen e një sistemi që shumëkujt i kujton frymën e vjetër të kontrollit, frikës, propagandës dhe pandëshkueshmërisë. Është një pushtet që ka ndërtuar kulturën e servilizmit, klientelizmit, nepotizmit dhe korrupsionit si mënyrë qeverisjeje. Një pushtet që ka varfëruar deri në palcë qytetarin e ndershëm dhe ka pasuruar kastën e lidhur me pushtetin korruptiv. Që ka zbrazur Shqipërinë nga rinia dhe ka vrarë besimin te vota, te drejtësia dhe te e ardhmja. E pikërisht këtu lind shpresa më e madhe: te rinia shqiptare. Te ata të rinj dhe të reja që nuk mbajnë mbi supe mëkatet politike të së shkuarës. Te ata që nuk kanë lidhje me pazaret e errëta të tranzicionit. Te ata që ende besojnë se Shqipëria mund të bëhet normale dhe një vend i jetueshëm për të gjithë. Te ata që nuk pranojnë ta jetojnë jetën në gjunjë përballë propagandës, korrupsionit dhe arrogancës së pushtetit. Këta të rinj janë energjia më e pastër morale e këtij kombi. Janë yjet që ende ndriçojnë qiellin e zymtë të Shqipërisë. Ata përfaqësojnë forcën më transformuese që mund ta shkëpusë vendin nga cikli i gjatë i mashtrimit politik, i korrupsionit dhe i tranzicionit pa fund. Të gjithë e dinë dhe e kanë kuptuar se Shqipëria nuk shpëtohet më nga sloganet dhe as nga propaganda 24 orë në 24. Nuk shpëtohet as nga ekranet e blera. As nga frika që përhapet përmes administratës, patronazhimit apo presionit ekonomik. Shqipëria shpëtohet vetëm kur qytetarët zgjojnë vetëdijen e tyre dhe ndërgjegjen e shoqërisë. Prandaj kjo është një thirrje për çdo shqiptar të ndershëm. Ju, nëna dhe baballarë që sakrifikoni çdo ditë për fëmijët tuaj… Ju, nxënës dhe studentë që kërkoni një të ardhme këtu dhe jo në emigrim… Ju, emigrantë që e mbani Shqipërinë gjallë me mundin dhe zemrën tuaj… Ju, pensionistë që nuk meritoni pleqëri në varfëri dhe harresë… Ju, punonjës të ndershëm të administratës që jetoni nën frikën e politikës… Ju, të majtë dhe të djathtë të ndershëm, që nuk keni qenë kurrë pjesë e skenografisë së pistë të këtij tranzicioni… Mos heshtni më. Heshtja është oksigjeni që mban gjallë çdo pushtet represiv, të padrejtë, të padhembshur dhe arrogant ndaj qytetarit. Zgjohuni nga gjumi letargjik i propagandës. Mos e pranoni më normalitetin e rremë që ju serviret çdo ditë. Mos e pranoni më largimin e fëmijëve si fat kombëtar. Mos e pranoni më korrupsionin si mënyrë jetese. Mos e pranoni më frikën si sistem. Bashkohuni me energjinë e re qytetare dhe me këtë uragan shprese që po lind nga rinia shqiptare. Shqipëria ka nevojë për një rilindje të vërtetë morale, kombëtare dhe demokratike — jo për fasada e propagandë. Ky vend meriton më shumë. Ky komb meriton më shumë. Dhe historia nuk duhet lejuar të rikthehet më si tragjedi e përsëritur.
