Zvicra e nisi Kampionatin Botëror me një barazim 1:1 ndaj Katarit dhe përballja kundër Bosnje e Hercegovinës të enjten mund të përcaktojë në masë të madhe fatin e saj në këtë turne. “Edhe Bosnja e Hercegovina barazoi me të njëjtin rezultat ndaj Kanadasë, ndonëse ishte në epërsi, prandaj dueli mes dy kombëtareve mund të jetë vendimtar për rrugëtimin drejt fazës tjetër. Në qendër të vëmendjes para ndeshjes është statusi i sulmuesit veteran Edin Xheko, i cili nuk luajti asnjë minutë në sfidën e parë ndaj Kanadasë. Sulmuesi me përvojë e kaloi tërë ndeshjen në bankën rezervë, gjë që ka ngritur shumë pikëpyetje në mediat zvicerane. Sipas raportimeve të mediave zvicerane, veçanërisht gazetës ‘Blick’, ekziston një “mister i Xhekos” që po shkakton shqetësim në kampin helvetik. Zviceranët po përpiqen të kuptojnë nëse mungesa e tij lidhet vërtet me problemet fizike apo nëse selektori Sergej Barbarez po përdor një manovër taktike për ta fshehur gjendjen reale para ndeshjes së rëndësishme. Xheko kishte probleme që nga ndeshja e plejofit ndaj Italisë, kur pësoi një rënie të pakëndshme në shpatull. Pas kësaj mungoi në katër ndeshje të klubit të tij Schalke dhe, pas rikthimit, pati minuta të kufizuara në Bundesliga”, ka transmetuar media kroate “Tportal”. Gjithashtu, ai mungoi në ndeshjet përgatitore kundër Maqedonisë së Veriut dhe Panamasë, ndërsa nuk u aktivizua fare as ndaj Kanadasë. Pas ndeshjes, Barbarez kishte deklaruar se planifikonte ta aktivizonte Xhekon në pjesën e dytë, por dëmtimi i Sead Kollashinacit ia kishte ndryshuar planet. Megjithatë, kjo deklaratë nuk i ka bindur plotësisht mediat zvicerane. “A është historia me Kolashinacin vetëm një mbulesë e lirë dhe një bllof klasik taktik ndaj Zvicrës? Shumë gjëra tregojnë se shpatulla nuk është më problemi kryesor i sulmuesit me përvojë”, shkruan mediumi zviceran. Sipas tyre, Barbarez po qëndron shumë i rezervuar para mediave dhe nuk po jep detaje konkrete për gjendjen e Xhekos, duke u kufizuar vetëm me deklaratën se sulmuesi kishte arritur të kryente vetëm gjysmën e stërvitjeve para ndeshjes me Kanadanë dhe se aktualisht po punon në përgatitjen fizike. Kjo pasiguri po krijon dilemë për Zvicrën. Nëse Xheko është realisht i papërgatitur, Bosnja do të duhet të kërkojë zgjidhje pa sulmuesin e saj më me përvojë. Por, nëse bëhet fjalë për një taktikë të Barbarezit për të fshehur planet, atëherë Zvicra mund të përballet me një skenar krejt tjetër. Pikërisht për këtë arsye, shtabi teknik zviceran po përgatitet për dy mundësi: një ku Xheko është vërtet i lënduar dhe një tjetër, shumë më e rrezikshme, ku Bosnja po ruan “armën” e saj më të fortë për momentin e duhur. Situata bëhet edhe më delikate pasi Zvicra, pas barazimit me Katarin, nuk ka më shumë hapësirë për gabime. Pas xhiros së parë, të katër kombëtaret në grup kanë nga një pikë dhe çdo gabim tjetër mund të kushtojë shtrenjtë. Pavarësisht moshës dhe gjendjes fizike, Xheko mbetet një futbollist që kundërshtarët nuk mund ta injorojnë. Përvoja, intuita për pozicionim dhe aftësia për të vendosur ndeshje me një moment të vetëm bëjnë që emri i tij ende të shkaktojë kujdes maksimal. Për Bosnjën, rikthimi i tij do të ishte një shtysë e madhe, qoftë edhe nga banka rezervë. Për Zvicrën, kjo do të nënkuptonte një kërcënim shtesë në një ndeshje ku një tjetër hap fals nuk lejohet. Prandaj, para sfidës nuk po flitet vetëm për taktikë, formë apo rezultatet e para, por për një pyetje që duket se po i shqetëson më së shumti zviceranët: A është Xheko realisht problem për Bosnjën apo befasi e madhe që Barbarez po e ruan për momentin ideal.
