​ZKA gjen dobësi në prokurim dhe kontrollin e KEK-ut, ja çfarë evidentoi auditimi

0%

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka marrë opinion të kualifikuar për pasqyrat financiare të vitit 2025, pasi auditimi ka evidentuar mangësi në menaxhimin e pasurisë, kontrollin e brendshëm dhe procedurat e prokurimit.

Raporti i publikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) vlerëson se opinioni i kualifikuar është ndikuar nga tri çështje kryesore: mos-përditësimi i regjistrit të pasurisë së paluajtshme, dobësitë në prezantimin e pasurive afatgjata dhe mungesa e trajtimit të plotë të rezultateve të inventarizimit vjetor, përcjell KosovaPress.

Sipas raportit të publikuar nga ZKA, opinioni i kualifikuar është ndikuar nga tri çështje kryesore: mos-përditësimi i regjistrit të pasurisë së paluajtshme, dobësitë në prezantimin e pasurive afatgjata dhe mungesa e trajtimit të plotë të rezultateve të inventarizimit vjetor.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Auditorët kanë konstatuar se në regjistrat e KEK-ut vazhdojnë të figurojnë prona që nuk janë në pronësi të ndërmarrjes, përfshirë pesë prona të transferuara te Infrakos me vlerë rreth 7.9 milionë euro, 11 parcela me vlerë mbi 866 mijë euro dhe pronën “Mali i pyllëzuar” në Podujevë, me vlerë 5 milionë euro, e cila sipas auditimit i përket Agjencisë së Pyjeve të Kosovës.

“Ndërmarrja nuk ka arritur të finalizojë përditësimin e regjistrit të pasurive të paluajtshme, përkundër veprimeve të ndërmarra gjatë vitit 2025.

Në regjistër vazhdojnë të figurojnë prona që nuk janë në pronësi të ndërmarrjes, përfshirë pesë prona të transferuara te Infrakos në vlerë 7,867,541€, 11 parcela të identifikuara për fshirje në vlerë 866,223€, si dhe prona “Mali i pyllëzuar” në Podujevë në vlerë 5,000,000€.

Po ashtu, prona në Prishtinë nuk është përditësuar sipas certifikatës së pronësisë, ndërsa ajo në Vasilevë është vetëm pjesërisht e regjistruar. Gjithashtu, janë evidentuar mangësi në regjistrin e pasurive, përfshirë përshkrime të paplota dhe parcela të pabartura nga proceset e shpronësimit, thuhet në raportin e auditorit.

Raporti evidenton gjithashtu se 472 pasuri me vlerë neto kontabël prej rreth 7.7 milionë euro nuk trajtohen sipas modelit të përcaktuar kontabël, ndërsa 69 për qind e pasurive të regjistruara, me vlerë fillestare rreth 229 milionë euro, rezultojnë plotësisht të zhvlerësuara, ndonëse vazhdojnë të përdoren në veprimtarinë e ndërmarrjes.

Sa i përket pajtueshmërisë, ZKA ka gjetur se KEK-u nuk ka aplikuar garancion bankar ose parapagim në 32 kontrata të furnizimit me konsumatorë komercialë, megjithëse kjo ishte paraparë në kushtet kontraktuale si masë për menaxhimin e rrezikut kreditor. Sipas auditorëve, kjo e ekspozon ndërmarrjen ndaj rrezikut të mosarkëtimit të faturave dhe humbjeve financiare.

Një tjetër gjetje lidhet me mungesën e dokumentimit për vendimmarrjen rreth tregtimit të tepricave të energjisë në bursën ALPEX dhe platforma të tjera, çka sipas ZKA-së ul transparencën dhe gjurmueshmërinë e procesit. Auditimi ka identifikuar gjithashtu dobësi në kontrollin e brendshëm të procesit të ankandeve për tregtimin e energjisë.

Sipas raportit, procesi mbështetet në një platformë të vjetruar elektronike (Microsoft Exchange Server 2010), pa gjurmë të auditimit dhe pa përditësime të sigurisë, ndërsa sistemi i ri ende nuk është vënë në funksion.

Në përgjithësi, raporti përmban 12 rekomandime, prej të cilave gjashtë janë të reja dhe gjashtë të përsëritura, me synim përmirësimin e raportimit financiar, kontrollit të brendshëm dhe pajtueshmërisë së KEK-ut me legjislacionin në fuqi.

Burimi: Bota Sot