Zelensky ka një problem me Poloninë

0%

Përçarja në rritje brenda NATO-s kërcënon të minojë përpjekjet luftarake të Ukrainës. Burimi: The Telegraph Përkthimi: Telegrafi.com Në samitin e NATO-s që do të mbahet javën e ardhshme në Ankara, udhëheqësit e aleancës përballen me një sulm në tri fronte ndaj unitetit, vendosmërisë dhe sigurisë së saj.

I pari vjen nga Donald Trumpi i cili – pas shumë vjetësh retorike kundër aleatëve e Amerikës që nuk po paguajnë hisen e tyre – ka nisur të tërheqë trupat, armët dhe fondet nga Evropa.

I dyti është përçarja që po thellohet brenda aleancës lidhur me financimin e përpjekjeve luftarake të Ukrainës, ndërsa disa prej aleatëve të Kievit në Evropën Qendrore tani po tërhiqen nga dërgimi i më shumë parave.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Dhe, i treti, nëse duhen besuar shërbimet e inteligjencës së Polonisë dhe Letonisë, është një kërcënim i drejtpërdrejtë nga vetë Rusia, e cila thuhet se po planifikon një “provokim” kundër Polonisë. E gjithë kjo është lajm i keq për Volodymyr Zelenskyn i cili do të marrë pjesë në samitin e NATO-s si i ftuar.

Ndryshe nga fazat e mëhershme të luftës, kërkesa kryesore e Zelenskyt këtë vit nuk është armatimi, por paratë. Revolucioni i dronëve në Ukrainë e ka bërë ushtrinë e saj më të frikshmen në Evropë – pa ndihmën e tankeve të shtrenjta gjermane apo aeroplanëve amerikanë. Por, paratë – jo vetëm për të luftuar luftën, por edhe për të mbështetur ekonominë e shkatërruar të Ukrainës – janë të pakta.

Fatkeqësisht, i pakët është edhe vullneti i mirë nga vendet që dikur qëndronin si aleatët më të afërt të Kievit. “Ukraina po lufton, por Polonia mban barrën kryesore të mbrojtjes së kufirit dhe ka nevojë për trajtim të veçantë”, tha Donald Tusk, kryeministri polak, në një konferencë për shtyp në Varshavë.

“Polonia ka përgjegjësinë e saj të madhe për mbrojtjen e kufirit lindor të Bashkimit Evropian.” Tusk tha se u kishte dhënë udhëzime ministrave të tij të Mbrojtjes dhe të Jashtëm “të jenë të kujdesshëm me çdo deklaratë për mbështetje të mëtejshme financiare nga Polonia” për Ukrainën dhe, në vend të kësaj, të përqendrohen në financimin e shpenzimeve ushtarake të vetë Varshavës.

Polonia ka vendosur gjithashtu të nxjerrë jashtë përdorimit aeroplanët e saj të mbetur luftarakë MiG-29, në vend që t’ia dhurojë Ukrainës. Robert Fico, kryeministri i Sllovakisë, ka refuzuar të mbështesë planet e NATO-s për të angazhuar ndihmë financiare dhe ushtarake në shkallë të gjerë në samit, duke deklaruar se “Sllovakia nuk do të paguajë për shpenzimet ushtarake të Ukrainës”.

Andrej Babiš, kryeministri i Republikës Çeke, ka përjashtuar mbështetjen për një hua prej 90 miliardë eurosh të BE-së për Ukrainën dhe ka bllokuar eksportin e aeroplanëve të lehtë çekë drejt Kievit. Edhe Peter Magyar, kryeministri i ri i Hungarisë, i cili pasoi Viktor Orbánin e linjës së ashpër kundër Ukrainës, ka përjashtuar mundësinë e armatosjes së Ukrainës.

Tërheqja e Polonisë është, në masë të madhe, pasojë e një sërë hapash të gabuar seriozë nga Zelensky. Në maj, Zelensky zgjodhi të nderonte partizanët ukrainas të cilët luftuan përkrah nazistëve në Luftën e Dytë Botërore dhe kryen masakra ndaj dhjetëra mijëra polakëve dhe hebrenjve, si edhe ndaj civilëve ukrainas të dyshuar për bashkëpunim me sovjetikët.

Ky veprim u bë për t’ua bërë qejfin elementeve ultranacionaliste që kanë ndikim të konsiderueshëm brenda ushtrisë ukrainase, por shpërtheu në marrëdhëniet e Kievit me Varshavën. Polonia, e zemëruar, ia hoqi Zelenskyt nderimin e saj më të lartë, Urdhrin e Shqiponjës së Bardhë, dhe doli hapur kundër planeve të Ukrainës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Përplasja me Poloninë – si edhe ftohja e marrëdhënieve me aleatë të tjerë të Evropës Qendrore – nuk mund të kishte ardhur në një moment më të keq. Vitin e kaluar, Trumpi ndërpreu të gjitha financimet amerikane për Ukrainën dhe përpjekjet evropiane për të përdorur asetet shtetërore ruse – të ngrira – për të vazhduar financimin e përpjekjes së luftës së Kievit, nuk dhanë rezultat.

Si pasojë, po afrohet një krizë financimi. Në letër, anëtarët e NATO-s pritet të zotohen për 70 miliardë euro ndihmë ushtarake për Ukrainën për vitin 2026 dhe për “të paktën nivele të barasvlershme” mbështetjeje në vitin 2027. Por, e vërteta është se kjo shifër kryesore është, në masë të madhe, një ripaketim i financimeve ekzistuese, jo para të reja.

Shuma prej 70 miliardë eurosh kombinon zotimin vjetor ekzistues të NATO-s me financimin e siguruar përmes një huaje të Bashkimit Evropian, pa angazhime të reja. Edhe më problematike për Zelenskyn janë raportimet se ai nuk do të jetë pjesë e samitit kryesor të nesërmen dhe nuk do të mbajë, si në vitet e mëparshme, një fjalim të fuqishëm para udhëheqësve të NATO-s.

Në vend të kësaj, aleanca ka zgjedhur ta mbajë Zelenskyn dhe të gjithë çështjen e Ukrainës në prapaskenë, nga frika se mos e zemëron Trumpin. Ndërkohë, vetë Trump gjeti kohë, gjatë përgatitjeve për kremtimet e 250-vjetorit të Shteteve të Bashkuara, të tallej vazhdimisht me NATO-n.

“Është qesharake që SHBA-ja të vazhdojë në këtë rrugë të njëanshme kur marrëdhënia nuk është reciproke”, shkroi Trump në rrjetet sociale mbi një grafik shtyllor që tregonte shpenzimet ushtarake të ShBA-së prej 999 miliardë dollarësh, krahasuar me 90,5 miliardë dollarët e Mbretërisë së Bashkuar dhe 44,3 miliardë dollarët e Polonisë.

Refuzimi i fundit nga shumë vende evropiane për t’u vënë në dispozicion forcave amerikane që sulmonin Iranin bazat ajrore, madje edhe hapësirën ajrore, duket qartë se e ka irrituar Trumpin. “Ata nuk ishin aty për ne!!!”, u shpreh ai me zemërim.

Pete Hegseth, sekretari amerikan i Mbrojtjes, ka këmbëngulur se NATO-ja duhet të jetë “një aleancë e balancuar, me Evropën në krye të mbrojtjes së saj”. Planet e Hegsethit për shkurtime të gjera të trupave amerikane në Evropë janë bllokuar – për momentin – nga zyrtarë të tjerë të lartë të administratës Trump, përfshirë Marco Rubion, sekretarin e Shtetit.

Por, synimi për ta lënë Evropën të mbrojë veten mbetet baza e një rishikimi gjashtëmujor të niveleve të forcave amerikane. Ironikisht, një provokim i vërtetë rus – qoftë një sulm hibrid, kibernetik apo kundër infrastrukturës – është e vetmja gjë që ka më shumë gjasa të rikthejë unitetin e NATO-s dhe t’ia kujtojë Uashingtonit interesin e tij strategjik për ta frenuar Kremlinin.

Por, në gjendjen aktuale, uniteti i Aleancës po çahet dhe, bashkë me të, edhe mbështetja për të cilën Zelensky ka nevojë që të vazhdojë rezistencën ndaj përparimit të forcave ruse.

Burimi: Telegrafi