Emërimi i Mauricio Pochettinos në krye të kombëtares së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishte një nga lëvizjet më të bujshme të vitit 2024, por prapaskenat e këtij operacioni janë po aq spektakolare sa vetë emri i trajnerit. Si arriti Federata Amerikane e Futbollit (US Soccer) të përballonte financiarisht një nga teknikët më të kërkuar në botë për Kampionatin Botëror 2026?
Përgjigjja fshihet pas emrit të një prej njerëzve më të pasur në planet: miliarderit Ken Griffin. Kur US Soccer shkarkoi Gregg Berhalter-in pas zhgënjimit në Copa América 2024, objektivi ishte i qartë: duhej një emër i madh, me famë botërore, për të udhëhequr ekipin në Botërorin që do të luhet në shtëpi.
Megjithatë, ndryshe nga shumë federata të tjera, US Soccer nuk merr financime direkte nga qeveria, por mbahet përmes të ardhurave të veta, sponsorizimeve dhe donacioneve. Buxheti i zakonshëm nuk mjaftonte as për t’iu afruar kërkesave të një trajneri të kalibrit të Pochettinos. Këtu nisi operacioni i “shpëtimit”.
Lidhja mes “Wall Street” dhe futbollit Gjithçka filloi kur Scott Goodwin, bashkëthemelues i fondit Diameter Capital, e shtyu federatën të synonte lart, pavarësisht frikës se emrat e mëdhenj ishin të papërballueshëm.
Goodwin mori përsipër të kontaktonte Ken Griffin-in, me të cilin kishte diskutuar më parë për ndikimin e jashtëzakonshëm të Lionel Messit tek Inter Miami dhe zhvillimin e futbollit rinor në SHBA. Griffin pranoi të bënte një donacion filantropik masiv për të mbuluar pagën e trajnerit argjentinas.
Edhe pse shifra e saktë e donacionit nuk është bërë publike, ajo llogaritet në disa milionë dollarë në vit. Vlen të theksohet se Griffin kishte tashmë një histori të spikatur në mbështetjen e futbollit, duke dhuruar më herët 8 milionë dollarë për ndërtimin e fushave të vogla në Chicago dhe Miami-Dade.
Shifrat e “çmendura” të kontratës Pateka e kompensimit e bën Pochettinon trajnerin më të paguar në të gjithë historinë e US Soccer dhe një nga më të paguarit në arenën ndërkombëtare. Paga vjetore: Sipas të dhënave tatimore të federatës, paga bazë vjetore e argjentinasit kap shifrën e 6.040.600 dollarëve. Bonusi i firmosjes: Tekniku përfitoi menjëherë një bonus prej 2.5 milionë dollarësh.
Paketa e plotë: Në total, kompensimi i tij arrin deri në rreth 6 milionë dollarë në vit, kontratë kjo e vlefshme deri në përfundim të Kampionatit Botëror 2026. Me këto shifra, Pochettino renditet si trajneri i tretë ndërkombëtar më i paguar në botë, duke lënë pas shumë emra të njohur dhe duke u pozicionuar vetëm pas Thomas Tuchel (Anglia) dhe Carlo Ancelotti (Brazili).
Kush është Ken Griffin? Njeriu që bëri të mundur këtë “ëndërr” amerikane është një legjendë e botës së financës. I lindur në vitin 1968 në Florida, Griffin filloi të tregtonte obligacione që nga dhoma e tij e konviktit në Harvard në vitin 1987, duke mbledhur rreth 265,000 dollarë nga nëna, gjyshja dhe dy investitorë.
Sot, ai është themeluesi, CEO-ja dhe pronari i padiskutueshëm (80-85% të aksioneve) i Citadel LLC. Citadel menaxhon rreth 67-69 miliardë dollarë në asete dhe cilësohet si “hedge fondi” më fitimprurës në botë, me rreth 83 miliardë dollarë fitime neto që nga themelimi në 1990.
Pasuria personale e Griffin vlerësohet mes 48-51 miliardë dollarëve (janar 2026), duke e renditur atë si njeriun e 34-të më të pasur në botë. Përtej biznesit, ai njihet edhe për anën e tij bamirëse, duke dhuruar rreth 2.4 miliardë dollarë në fusha si arsimi, mobiliteti ekonomik dhe kërkimet mjekësore.
Zgjidhja e gjetur nga US Soccer dëshmon një epokë të re në sport, ku vizioni sportiv dhe fuqia financiare e miliarderëve po bashkohen për të synuar majën e botës.
