Kombëtarja e Shteteve të Bashkuara ka marrë një premtim të pazakontë që mund të shërbejë si motivim shtesë në Kupën e Botës 2026. Në rast se arrin të shpallet kampione, NASA është zotuar se do të dërgojë një top futbolli në sipërfaqen e Hënës.
Premtimi u bë publik nga administratori i agjencisë amerikane të hapësirës, Jared Isaacman, gjatë prezantimit të zhvillimeve të programit Artemis, i cili synon rikthimin e njerëzve në Hënë dhe krijimin e një baze të qëndrueshme pranë polit jugor të saj. “Një shtysë për ekipin amerikan.
Do të shkojmë edhe më tej se Alan Shepard, i cili luajti golf në Hënë, duke dërguar atje një top futbolli”, deklaroi Isaacman. Ai iu referua astronautit Alan Shepard, komandant i misionit Apollo 14, i cili më hyri në histori pasi goditi dy topa golfi në sipërfaqen hënore, duke u bërë personi i parë që praktikoi një sport jashtë Tokës.
Ndryshe nga ai veprim, që ishte një iniciativë personale e Shepardit, topi i futbollit që NASA planifikon të dërgojë në Hënë do të jetë pjesë e një projekti të miratuar zyrtarisht nga agjencia. Në këtë ide është përfshirë edhe Carlos García-Galán, drejtues i programit të NASA-s për Bazën në Hënë.
Isaacman tha me humor se ende nuk është vendosur se me cilën anije kozmike do të transportohet topi, duke ia lënë këtë detyrë García-Galánit. Edhe ai e priti me humor propozimin, duke theksuar se do të ishte një moment i jashtëzakonshëm nëse SHBA-ja arrin të fitojë Kupën e Botës dhe projekti realizohet. Megjithatë, rruga drejt titullit botëror mbetet e vështirë për amerikanët.
Edhe pse janë një nga vendet organizatore të turneut së bashku me Kanadanë dhe Meksikën, ata duhet të kalojnë kundërshtarë të fortë për të arritur në finale. Historikisht, Kombëtarja e SHBA-së nuk ka pasur rezultate të mëdha në fazat me eliminim direkt të Kupës së Botës. Para këtij edicioni, kishte fituar vetëm dy ndeshje të tilla, ndërsa njëra prej tyre datonte që nga viti 1930.
Megjithatë, këtë herë skuadra ka treguar formë të mirë. Amerikanët e mbyllën grupin në vendin e parë pas fitoreve ndaj Paraguait dhe Australisë, ndërsa humbja kundër Turqisë nuk ndikoi në kualifikimin e tyre.
Në raundin e parë me eliminim direkt, SHBA-ja triumfoi 2-0 ndaj Bosnjë-Hercegovinës dhe tashmë do të përballet me Belgjikën në fazën e 1/8 së finales, një sfidë që konsiderohet testi më serioz deri tani. Nëse kalojnë edhe këtë pengesë, amerikanët do të afrohen edhe më shumë me ëndrrën për ta ngritur trofeun dhe, njëkohësisht, për ta bërë realitet premtimin e NASA-s.
Kjo nuk do të ishte hera e parë që një top i Kupës së Botës udhëton në hapësirë. Më herët, NASA kishte dërguar një top zyrtar të turneut në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor, ku astronautët u filmuan duke luajtur me të në modulin japonez Kibo.
Në një publikim të bërë më 20 qershor në platformën X, NASA theksoi se synon të frymëzojë gjeneratat e reja duke bashkuar eksplorimin e hapësirës me sportin, teknologjinë dhe inovacionin. Nëse SHBA-ja arrin të fitojë Kupën e Botës 2026, historia e futbollit mund të pasurohet me një tjetër moment unik, pasi një top i turneut më prestigjioz në botë mund të përfundojë në sipërfaqen e Hënës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
