Të refuzosh Manchester Unitedin për të vazhduar studimet universitare nuk është një vendim që do ta merrnin shumë futbollistë. Megjithatë, për portierin e SHBA-së, Matt Freese, kjo është pikërisht historia e tij.
Përfaqësimi i vendit në Kupën e Botës është ëndrra e shumë futbollistëve dhe Freese ka arritur ta realizojë atë, pavarësisht se ndoqi një rrugë jo të zakonshme drejt futbollit profesionist. 27-vjeçari ka fituar besimin e trajnerit Mauricio Pochettino dhe është bërë portieri titullar i SHBA-së, edhe pse debutoi me kombëtaren vetëm vitin e kaluar.
Freese ka zhvilluar një Botëror shumë të mirë deri tani. Në dy paraqitjet e tij, ai ka pësuar vetëm një gol, duke ndihmuar SHBA-në të mposhtë Paraguai dhe Australia në fazën e grupeve. Aktualisht ai luan për New York City në MLS, pasi u zhvillua në akademinë e Philadelphia Unionit.
Megjithatë, karriera e tij mund të kishte marrë një drejtim krejt tjetër nëse do të pranonte ofertën e Manchester United disa vite më parë. Në një intervistë për “Hudson River Blue”, Freese zbuloi se respektoi dëshirën e prindërve të tij, të cilët donin që ai t’i jepte përparësi arsimit përpara futbollit. “Ishte kryesisht një vendim familjar.
Pata disa biseda të vështira me prindërit e mi për këtë çështje. Unë e kisha të qartë rrugën që doja të ndiqja, por duhej të respektoja atë që ata dëshironin. Ata sakrifikuan shumë për mua, ndaj ndjeva se duhej ta nderoja dëshirën e tyre dhe më pas, kur të vinte momenti i duhur, të merrja vetë vendimin tim”, tha ai.
Freese u regjistrua në Universitetin e Harvardit për të studiuar ekonomi, ndërsa njëkohësisht vazhdoi të luante futboll me ekipin universitar, Harvard Crimson. Megjithatë, ai nuk i përfundoi studimet, pasi u largua një vit para diplomimit për të nënshkruar me Philadelphia Unionin si lojtar i dalë nga akademia, përpara sezonit 2019 të MLS.
Portieri amerikan tha se vendimi për të pezulluar studimet dhe për t’iu përkushtuar futbollit profesionist ishte i lehtë. “Ishte shumë e qartë për mua se, për të pasur karrierën që dëshiroja dhe për të arritur objektivat që kisha në fushë, sa më herët të niste karriera ime profesionale, aq më mirë do të ishte.
Ishte një vendim krejtësisht natyral – të gjithë ishim në të njëjtën mendje” , e mbylli ai.
