Yjet e Zvicrës mezi po e presin ndeshjen ndaj Argjentinës, Xhaka i

0%

Yjet e Zvicrës janë plotësisht të motivuar përpara çerekfinales së madhe të Kupës së Botës kundër kampiones në fuqi, Argjentinës, që do të zhvillohet në Kansas City.

Kapiteni Granit Xhaka ka deklaruar se skuadra e tij është e vendosur të shkaktojë një nga surprizat më të mëdha të turneut, ndërsa disa prej futbollistëve zviceranë mezi presin të përballen për herë të parë në karrierë me Lionel Messin. Zvicra siguroi kualifikimin në çerekfinale të Botërorit 2026 pasi eliminoi Kolumbinë pas ekzekutimit të penalltive në 1/8 e finales.

Skuadra e Murat Yakinit tani do të sfidojë Argjentinën, e cila siguroi kualifikimin pas një fitoreje dramatike 3-2 me përmbysje ndaj Egjiptit. Takimi në Kansas City konsiderohet testi më i madh për Zvicrën, e cila aktualisht ka tetë ndeshje radhazi pa humbje. Granit Xhaka theksoi se presioni që ndjen skuadra është shndërruar në motivim shtesë për të shkuar sa më larg në turne.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Kur je kaq pranë, uria bëhet edhe më e madhe. Ky është një lloj presioni shumë pozitiv për ne, sepse duam të vazhdojmë përpara”, tha ai, i cituar nga “Nau.ch”. Mesfushori foli gjithashtu për privilegjin që ka brezi i tij të luajë në epokën e dy ikonave të futbollit. “Është një privilegj i madh që kemi mundësinë të luajmë në epokën e Messit dhe Cristiano Ronaldos.

Ende nuk e kemi analizuar Argjentinën në detaje, por nga nesër do të nisim një analizë shumë të thelluar”, tha ai. Sulmuesi Cedric Itten dhe mesfushori Remo Freuler ndajnë të njëjtin entuziazëm, duke pranuar se përballja me Messin është një moment i veçantë në karrierën e tyre. “Nuk ka shumë gjëra më të bukura sesa të luash kundër Messit.

Ai është në formë shumë të mirë dhe ne duhet të jemi gati për ndeshjen e ardhshme. Por mund ta shihni se çdo ndeshje në këtë Botëror është e luftuar. Mezi presim të luajmë në Kansas”, u shpreh Itten. Ndërsa Freuler tha: “Nuk kam luajtur kurrë më parë kundër Messit dhe kjo është padyshim diçka e veçantë. E kemi merituar të arrijmë në çerekfinale kundër Argjentinës.

Por një gjë është e qartë: nuk do të kënaqemi vetëm me kaq. Do të japim gjithçka”. Fabian Rieder pranoi se si fëmijë nuk e kishte imagjinuar kurrë se një ditë do të ndante fushën me yllin argjentinas në skenën më të madhe të futbollit. “Kur isha i ri, nuk do ta kisha imagjinuar kurrë se një ditë do të luaja kundër Messit. Prandaj është edhe më e bukur që kjo po ndodh tani.

Do të jetë një tjetër ndeshje fantastike në një stadium të mrekullueshëm, edhe pse shumica e tifozëve do të jenë argjentinas”, tha ai. Edhe Breel Embolo dhe Ruben Vargas paralajmëruan bashkëlojtarët se duhet të jenë të përgatitur për një sfidë shumë të vështirë kundër kampionëve të botës.

Embolo kujtoi përmbysjen e Argjentinës ndaj Egjiptit si shembull të karakterit të jashtëzakonshëm të kësaj skuadre. “Egjipti tregoi se çfarë është e mundur. Pas 70 minutash, pothuajse të gjithë do të kishin vënë bast për fitoren e Egjiptit. Por Argjentina nuk dorëzohet kurrë dhe pikërisht kjo e bën të veçantë.

Për më tepër, ata kanë futbollistin më të mirë të të gjitha kohërave, gjë që e bën këtë ndeshje edhe më speciale. Respekt? Po, kemi shumë respekt. Por e dimë se mund t’i shkaktojmë probleme çdo kundërshtari, përfshirë edhe Argjentinën. Jemi të uritur për sukses” , u shpreh ai. Ndërkohë, Ruben Vargas shtoi: “Të gjithë e dimë se çfarë është në gjendje të bëjë Argjentina.

Ata janë një skuadër që di të luajë në turne të mëdhenj. Janë kampionët e botës, por në këtë Kupë Bote gjithçka është e mundur”.

Burimi: Bota Sot