Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se do të tërhiqet nga posti i tij brenda disa javësh, duke paralajmëruar më pas shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme presidenciale dhe parlamentare në vend.
Deklarata e tij vjen pas një periudhe të gjatë protestash kundër korrupsionit që kanë përfshirë Serbinë, të udhëhequra kryesisht nga studentët, pas tragjedisë në stacionin hekurudhor në Novi Sad ku humbën jetën 16 persona. “Do të jem president vetëm edhe disa javë, dhe pastaj do të jap dorëheqjen”, është shprehur Vuçiq gjatë një tubimi pro-qeveritar në Beograd, sipas mediave ndërkombëtare.
Ai ka theksuar se pas dorëheqjes së tij do të hapet rruga për zgjedhje të reja, duke shtuar se do të mbështesë partinë e tij, Partinë Progresive Serbe, në procesin zgjedhor. Megjithatë, Vuçiq nuk ka dhënë detaje të sakta për datën e dorëheqjes së tij, as për momentin e shpërndarjes së parlamentit, që do të mundësonte zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Mandati i tij i dytë dhe i fundit presidencial përfundon në mesin e vitit 2027. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
