Halil, Kreshnik e Kastriot Mehmetaj, janë të akuzuar për vrasjen e trefishtë në Gllogjan në mbrëmjen e , në autobusin që ishte sulmuar me kallashnikov dhe kishin mbetur të vrarë dy nxënës të moshës 17 vjeçare, L. H. dhe G.M. dhe shoferi i autobusit G. Gj. Pasditen e , Gjykata e Pejës pritet ta shpallë aktgjykimin në këtë rast. Cili është motivi i vrasjes sipas Prokurorisë?
Kjo vrasje dyshohet se është bërë për qëllime hakmarrëse ndaj shoferit G.Gj., duke e lidhur këtë vrasje me “vetëvrasjen e H.M., në vitin 2020”, e cila ishte bija e të akuzuarit Halil Mehmetaj. Sipas Prokurorisë, për këtë vetëvrasje që kishte ndodhur në familjen Mehmetaj, këta të fundit e kishin fajësuar shoferin G.Gj., i cili u vra në sulmin ndaj autobusit.
Edhe gruaja e shoferit të ndjerë kishte dhënë dëshminë e saj, por seanca ishte mbyllur për publikun për shkak të ndjeshmërisë së dëshmisë së saj. Për këtë rast janë dëgjuar dëshmitaret Pranvera Halilaj dhe Rozeta Pjetraj, që sipas Prokurorisë vërtetojnë motivin e hakmarrjes të kësaj vrasjeje.
Por, për shkak që këta dëshmitarë kanë rrëfyer detaje nga jeta personale e tani të ndjerës H.M., vajzës së të akuzuarit Halil Mehmetaj, e nga jeta personale e vetë të akuzuarve, publiku ishte përjashtuar. I akuzuari Halil Mehmetaj, sipas Prokurorisë, është betuar për hakmarrje tek varri i vajzës së tij kur e ka varrosur, duke vënë orën e dorës së tij në arkivolin e vajzës.
Sipas dosjes, Kreshnik e Kastriot Mehmetaj kishin planifikuar vrasjen dhe kishin ndarë detyrat, për mënyrën dhe kohën e kryerjes së vrasjes, kurse babai tyre i kishte shtyrë në këto veprime. Asnjëri nga të akuzuarit nuk e ka pranuar fajësinë për këtë. Në këtë gjykim janë dëgjuar edhe rrëfimet e prindërve të nxënësve të vrarë në natën kritike.
Beqë Hamzaj dhe Florim Mustafaj kanë dhënë rrëfimet e tyre për ngjarjen në të cilën u vranë fëmijët e tyre 17-vjeçarë. Lidhur me hakmarrjen në fjalë, për të cilën Prokuroria po dyshon si është motivi i vrasjes, Beqë Hamzaj kishte thënë se vrasja e fëmijëve ishte bërë për ta mbuluar hakmarrjen.
Mbrojtja e të akuzuarve këtë motiv e kishte cilësuar si hetim të gabuar e veprime të ngutshme, duke u bazuar sipas tyre në spekulime dhe thashetheme të fshatit, të cilat e kanë orientuar gabimisht Prokurorinë në ndriçimin e rastit.
Aktakuza e ngritur nga Prokuroria e Pejës ishte bërë publike përmes një konference nga ky institucion, ku ishin shpalosur detaje mbi veprimet hetimore të ndërmarra. Ngjarja e ndodhur në Gllogjan ishte konsideruar tronditëse edhe për opinionin publik. Arrestimi i të akuzuarve kishte ndodhur vetëm disa ditë pas ngjarjes së rëndë.
Mbi Kreshnik dhe Kastriot Mehmetajn rëndojnë akuzat për vrasje të rëndë në bashkëkryerje, ndërsa Halil Mehmetaj akuzohet për shtytje në vrasje të rëndë. Mbi ta rëndon edhe akuza e armëmbajtjes pa leje.
