Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata Themelore në këtë komunë që të caktojë masë paraburgimi ndaj dy të dyshuarve, B.H. dhe I.H., lidhur me rastin e vrasjes së rëndë që ndodhi të hënën mbrëma në fshatin Zlipotok të Komunës së Dragashit, ku vdiq imami Gazmend Tahirovci.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, B.H. dyshohet se më , rreth orës 23, pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme me viktimën G.T. për shfrytëzimin e një prone (livadhi), e ka sulmuar atë me një mjet të mprehtë (thikë), duke i shkaktuar lëndime fatale, si pasojë e të cilave viktima ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Prokuroria bën të ditur në një kumtesë për medie, se B.H. dyshohet për kryerjen e veprës penale “Vrasja e rëndë”, sipas nenit 173 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndërkaq, I.H., babai i të dyshuarit kryesor, dyshohet se, ndonëse ka qenë në afërsi të vendit të ngjarjes dhe ka pasur mundësi të ofronte ndihmë pa rrezikuar veten apo të tjerët, nuk ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për t’i ndihmuar viktimës. Ai dyshohet për veprën penale “Mosdhënia e ndihmës”, sipas nenit 188 të Kodit Penal.
Prokuroria Themelore në Prizren ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave që bien ndesh me ligjin.
