Breshëri dhe stuhia që përfshinë Korçën, pak minuta iu deshën për të shkatërruar sipërfaqe të konsiderueshme me grurë e kultura të tjera bujqësore në fushën e Maliqit. Pak ditë përpara korrjes, breshëri goditi parcelat me grurë, duke bërë që fermerët të humbin më shumë se gjysmën e prodhimit.
Në shumë parcela, kallinjtë janë rrëzuar plotësisht në tokë, duke e bërë thuajse të pamundur korrjen. Breshëri nuk kurseu as kulturat e tjera. Sipërfaqe me qepë e kultura të tjera sezonale u prekën nga kushtet e përkeqësuara atmosferike, duke dëmtuar ekonomitë familjarë të dhjetëra fermerëve. Me një situatë të ngjashme, fermerët kujtojnë se janë përballur edhe 4 vitë më parë.
