Fitorja 2:1 ndaj Malishevës në ndeshjen e parë të turit të parë të Conference League ka rikthyer një klimë më pozitive te Vllaznia. Pas një periudhe të mbushur me dyshime, kritika dhe jo pak probleme, suksesi ndaj skuadrës nga Kosova ka sjellë një frymë më optimiste në kampin kuqeblu.
Edhe pse skuadra nuk zhvilloi një ndeshje perfekte dhe u detyrua të përmbyste rezultatin, reagimi në pjesën e dytë dhe triumfi në fund kanë rritur besimin se ky grup ka potencial për të dhënë më shumë. Pozitiviteti është reflektuar edhe te tifozët shkodranë.
Nëse para këtij takimi mbizotëronin skepticizmi dhe rezervat për shkak të merkatos, problemeve me federimet dhe paraqitjeve jo bindëse në miqësore, tashmë atmosfera është ndryshe. Fitorja ka ndryshuar disi opinionin rreth skuadrës, duke rikthyer besimin se Vllaznia mund të ndërtojë një rrugëtim pozitiv në arenën europiane.
Megjithatë, mbështetësit kuqeblu mbeten me këmbë në tokë, të vetëdijshëm se asgjë nuk është mbyllur ende. I njëjti qëndrim vihet re edhe brenda skuadrës. Stafi teknik dhe futbollistët e kanë vlerësuar maksimalisht fitoren, por nuk kanë rënë në eufori.
Të gjithë janë të ndërgjegjshëm se diferenca prej vetëm një goli nuk garanton kualifikimin dhe se sfida e kthimit pritet të jetë po aq e vështirë. Pikërisht për këtë arsye, fokusi është zhvendosur menjëherë te përgatitjet për ndeshjen e dytë, me synimin për të ruajtur avantazhin dhe për të siguruar kalimin në turin tjetër.
Në kampin shkodran ndihet se fitorja ndaj Malishevës mund të shërbejë si një pikë kthese për këtë fillim sezoni. Ajo ka rikthyer besimin, qetësinë dhe entuziasmin, por jo vetëkënaqësinë. Te Vllaznia e dinë se puna sapo ka nisur dhe se prova më e rëndësishme është ende përpara, aty ku do të vendoset edhe fati i kualifikimit europian.
