Vendet e lira të punës në 2025, profesionet elementare më të kërkuarat

0%

Tregu i punës në vendin tonë tregoi nevoja në rritje për fuqi punëtore në të gjithë sektorët kryesorë të ekonomisë. Sipas të dhënave të administruara nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA), gjatë periudhës janar-dhjetor 2025 janë shpallur gjithsej 68,860 vende të lira pune në Zyrat e Punës.

Ky numër shënoi një rritje prej 12% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke dëshmuar për një kërkesë më të shtuar të bizneseve për staf. Në aspektin e kategorive profesionale, të dhënat tregojnë se tregu ka pasur nevojën më të madhe për profesionet elementare, të cilat kërkohen në 29.9% të rasteve.

Kjo kategori pasohet nga zanatçinjtë dhe profesionet e lidhura me to që zënë 23.7%, punonjësit e shitjeve dhe shërbimeve me 15.9%, dhe punonjësit në industri me 10.5%. Për sa i përket profesioneve që kërkojnë nivele më të larta kualifikimi dhe aftësi të specializuara, të dhënat e administruara nga AKPA për vitin 2025 tregojnë një kërkesë më modeste në krahasim me profesionet elementare.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Këto pozicione kërkojnë shpesh arsimim akademik ose trajnime teknike specifike, dhe pesha e tyre në tregun e punës gjatë kësaj periudhe ishte si më poshtë: Pash kategoria “Specialistët me arsim të lartë” përfaqëson vetëm 6.4% të vendeve të lira të shpallura, duke kërkuar individë me formim universitar për role që zakonisht lidhen me analiza, menaxhim projektesh apo detyra të specializuara teknike.

Teknikët dhe specialistët e mesëm, të cilët shpesh shërbejnë si ura lidhëse mes menaxhimit dhe zbatimit praktik, zënë 5.3% të totalit të vendeve të lira të punës. Zhvillimet e vitit 2025 konfirmon një strukturë të kërkesës për punë që favorizon rolet që kërkojnë aftësi bazë dhe zejtare, duke diktuar kështu edhe strategjitë e punësimit për vitin në vijim.

Përgjatë vitit 2025, rezulton se 9,690 subjekte unike kanë zgjedhur të shpallin nevojat e tyre për punonjës pranë Zyrave të Punësimit.

Rajoni i Tiranës, Durrësit dhe Vlorës së bashku mbajnë peshën kryesore, duke shpallur rreth 60% të vendeve të lira, ndërsa në anën tjetër të spektrit, rajonet e Kukësit, Dibrës dhe Beratit shënojnë numrin më të ulët të shpalljeve Analiza e sektorëve ekonomikë tregon se industria përpunuese kryeson listën si sektori me kërkesën më të lartë, duke zënë 25.5% të totalit të vendeve të lira të shpallura.

Pas saj renditen sektori i akomodimit dhe shërbimit ushqimor me 17.7%, tregtia me shumicë dhe pakicë së bashku me riparimin e automjeteve dhe motoçikletave me 14.7%, aktivitetet e tjera të shërbimit me 12.1% dhe sektori i ndërtimit me 10.6%.

Krahasimisht me një vit më parë, vërehet një luhatje e ndjeshme në këto kërkesa, ku sektori i industrisë përpunuese ka pësuar një rënie me rreth 3% të vendeve të shpallura, ndërsa sektori i ndërtimit ka shënuar një rritje prej 2%, duke reflektuar kështu ndryshimet në dinamikat e tregut të punës./Monitor

Burimi: Bota Sot