Legjenda e futbollit boshnjak, Vahid Halilhoxhiq, komentoi eliminimin e Bosnjës dhe Hercegovinës nga Kampionati Botëror, duke vlerësuar paraqitjen e tyre si një hap të rëndësishëm për të ardhmen. Ai gjithashtu foli për përballjen mes Kroacisë dhe Portugalisë, duke theksuar se kroatët nuk duhet të nënvlerësohen.
Bosnja u eliminua në fazën e 1/16 së finales pas humbjes 2:0 ndaj Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por Halilhoxhiq beson se kombëtarja e drejtuar nga Sergej Barbarez ka hedhur themele të forta për të ardhmen. “Dhuruam maksimumin që mundëm në këtë moment. Tani mbetet pyetja nëse mund ta kishim shfrytëzuar më mirë periudhën kur kishim një lojtar më shumë.
Ndoshta po, por kështu është futbolli. Mendoj se kjo është një bazë e mirë për vazhdimin e punës”, deklaroi Halilhoxhiq. Ai theksoi se Bosnja tashmë ka një brez të ri futbollistësh premtues, por paralajmëroi se ata kanë ende nevojë për kohë që të arrijnë pjekurinë e plotë. “Kemi djem të rinj për të cilët tashmë flitet shumë.
U duhet edhe pak kohë që të piqen dhe të bëhen lojtarë të mëdhenj. Baza është krijuar, por tani duhet të ndërtohet mbi të, të përmirësohen disa gjëra dhe të rritet niveli i talentit”, u shpreh ai. Duke folur për duelin mes Kroacisë dhe Portugalisë në fazën e 1/16 së finales, Halilhoxhiq vlerësoi se, pavarësisht favorizimit të Portugalisë, kroatët kanë cilësi për të bërë befasi.
“Ata e tregojnë vlerën e tyre pikërisht kur të gjithë i konsiderojnë të eliminuar. Kjo është arma e tyre dhe arsyeja pse kanë arritur rezultate të mëdha në Kampionatet Botërore. Portugalia është favorite për shkak të yjeve që ka, por kolektivi i Kroacisë është i gatshëm të bëjë befasi” , tha ai. Në fund, trajneri legjendar shtoi: “Kroacia ka vetëbesim, krenari dhe ambicie.
Nuk i frikësohet askujt dhe mund të bëjë një arritje të madhe. Megjithatë, do të jetë jashtëzakonisht e vështirë. Në ndeshje të tilla nuk ka favoritë, sepse gjithçka mund të ndodhë”.
